Ukraina sheh nga Perëndimi, hija e Rusisë rishfaqet

Fushat pjellore të Ukrainës, por edhe korridoret e naftës drejt Azisë Qendrore, janë dy çmime të mëdha për Bashkimin Europian. Por ato janë edhe dy mollë sherri me Rusinë, e cila synon të dominojë botën postsovjetike
Gjeopolitika
Ukraina sheh nga Perëndimi, hija e Rusisë rishfaqet
Luke Baker dhe Justyna Pawlak, “Reuters”


Kur Rusia dëshiron të bëjë të qartë synimin e vet, ajo ka tendencën të mos lërë hapësirë për keqkuptime. E lënë mënjanë nga përpjekjet e Europës për të ndërtuar marrëdhënie më të ngushta me gjashtë vende në Europën Lindore dhe Kaukaz – të gjitha ish-republika sovjetike që Rusia i sheh si vende brenda sferës së vet të influencës – Moska ka reaguar gjithnjë e më shumë me ashpërsi.
Armenia ishte e para që u dorëzua, duke i kthyer kurrizin Marrëveshjes së Asocimit me Bashkimin Europian dhe duke rënë dakord për t’u bashkuar me unionin doganor rus – një zonë e tregtisë së lirë ku bëjnë pjesë Bjellorusia e Kazakistani dhe që nisi të funksionojë në vitin 2010.
Moska ka përdorur gjithashtu për mbrojtjen e vet dobësitë tregtare të Gjeorgjisë, Moldavisë dhe Azerbajxhanit, megjithëse dy të parat ka gjasa se do të lëvizin drejt lidhjeve më të ngushta me Bashkimin Europian, në një samit special që do të zhvillohet në Vilnius vonë në nëntor. Bjellorusia, pavarësisht mosmarrëveshjeve me Moskën, mbetet bindshëm në kampin rus tani për tani.
big
barroso

M

international9_eastern

eastern-partnership

cheap-flights-to-kiev
Pyetja e madhe është se çfarë do të ndodhë me Ukrainën, vendi më i rëndësishëm ekonomikisht dhe politikisht në të gjashta vendet ish-sovjetike me të cilat Brukseli dëshiron të ndërtojë marrëdhënie partneriteti. Pavarësisht presionit mbi tregtinë, përfshirë furnizimet kyçe me gaz nga Rusia, e cila e sheh Ukrainën kulturalisht si të vetën, Kiev është e vendosur të shohë nga Perëndimi dhe të vulosë lidhje më të forta me Europën muajin e ardhshëm.
Kjo nuk është ajo çfarë Moska dëshiron të dëgjojë apo të pranojë.
“Ajo që kemi parë gjatë javëve të fundit është një presion brutal rus kundër vendeve të partneritetit, një lloj presioni që ne nuk e kemi parë në Europë prej shumë kohësh”, tha ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt, muajin e kaluar, duke i përshkruar veprimet e Moskës si “luftë ekonomike”.
Rusia thotë se thjesht po mbron interesat e veta. “Rusia në asnjë mënyrë nuk po ndërhyn në të drejtat sovrane të ndonjë shteti tjetër dhe mbi vendimet e tyre mbi aktivitetin ndërkombëtar”, tha Presidenti Vladimir Putin në shtator.
Pothuajse të gjitha vendet e partneritetit e kryejnë pjesën dërrmuese të tregtisë së tyre ndërkombëtare me Rusinë dhe varen prej saj për furnizimet me gaz. Moska është e shqetësuar, nga frika se një dallgë mallrash europiane mund të hyjnë në Ukrainë nëse Kievi nënshkruan marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në.
Tregtia është veçanërisht e ndjeshme: Rusia ishte partneri më i madh tregtar i Ukrainës, por gjërat kanë ndryshuar. Tashmë BE-ja zë 27 për qind të eksporteve të Ukrainës dhe 34 për qind të importeve, ndërsa volumi po rritet me ritme dyshifrore çdo vit.
Rusia është gjithashtu e shqetësuar për axhendën më të gjerë të BE-së. Duke u afruar me rajonin me kalimin e kohës, BE-ja mund të sigurojë një shkallë ndikimi mbi rrugët e rëndësishme të furnizimit me gaz e naftë drejt Perëndimit në dëm të dominimit rus.
Për rrjedhojë, Putin ka kërcënuar se do të vendosë tarifa ndëshkuese dhe kufizime të tjera në importet përmes Ukrainës nëse ky shtet ecën përpara me marrëveshjen e BE-së.
“Në një farë mënyre ne duhet të mbrojmë tregun tonë, të vendosim masa proteksioniste”, tha Putin muajin e kaluar. “Po e themi këtë hapur paraprakisht.”
Për ta theksuar mesazhin, Rusia ka ndërmarrë masa kundër Lituanisë, një vend anëtar i BE-së që aktualisht mban presidencën e bashkimit, duke vendosur kontrolle ekstradoganore mbi kamionët lituanë dhe duke shkaktuar humbje të konsiderueshme për sektorin e transportit rrugor të këtij vendi.
Dhe të gjitha vendet e partneritetit kanë parasysh luftën e vitit 2008 mes Rusisë dhe Gjeorgjisë, kur Moska bëri të qartë fuqinë e vet kundër një ish-republike sovjetike.
Timoshenko
Ndërsa Ukraina nuk është përkulur para kërcënimeve dhe përdor çdo mundësi për të ritheksuar angazhimin e vet përballë bllokut europian, ku katër nga shtatë fqinjët e vet janë anëtarësuar sakaq, lidhjet me BE-në nuk janë një rast i pastër vendimmarrjeje pa probleme.
Me 46 milionë banorët e vet dhe me ekonominë prej 330 miliardë dollarësh, Ukraina është lehtësisht llokma më e madhe mes shteteve të partneritetit në lindje. Por Europa nuk mund të përballojë një kompromis mbi drejtësinë dhe të drejtat e njeriut thjesht për të afruar një vend më pranë orbitës së vet dhe nuk ka rëndësi se sa i rëndësishëm nga pikëpamja strategjike mund të jetë ky vend.
Ukraina duhet të ndërmarrë një seri reformash në drejtësi, elektorale dhe në fushën e biznesit, për të siguruar një marrëveshje asocimi, si dhe duhet të gjejë një zgjidhje për ratin e Julia Timoshenkos, ish-kryeministres tashmë të burgosur për abuzim me pushtetin pas një gjyqi në vitin 2011, për të cilin BE-ja tha se u bazua në drejtësi selektive.
Zyrtarët e BE-së janë të kënaqur me progresin e bërë mbi reformat dhe presin që të gjitha “kushtet” të jenë plotësuar deri sa të mbërrijë Samiti i Vilnius më 28-29 nëntor. Por Timoshenko është një problem më i komplikuar dhe nuk ka një zgjidhje të lehtë.
Gjermania ka thënë se dëshiron që ish-kryeministrja, e cila po mjekohet për probleme në kurriz me regjim rojesh në spital, të lirohet ose së paku të lejohet të udhëtojë jashtë vendit për mjekime para se Berlini të japë miratimin e vet për Marrëveshjen e Asocimit.
Ky pozicion mbështetet gjerësisht nga Britania, Franca, Holanda dhe vendet nordike, ndërsa shumë vende anëtare të Lindjes janë më fleksibël në kushtet që duhet të zbatohen para marrëveshjes.
Për Presidentin e Ukrainës, Viktor Janukoviç, kjo është një çështje shumë emocionale. Ka një armiqësi të thellë mes tij dhe ish-rivales së vet politike, si dhe frikë, thonë analistët, për hakmarrje të saj ndaj tij nëse arrin të fitojë lirinë.
Për më tepër, Ukraina thotë se nuk është e mundur të lirohet Timoshenko pa kushte, sepse një masë e tillë mund të shkelë ligjin, një argument për të cilin zyrtarët në Bruksel thonë se është në një farë mase i vërtetë.
Shpresa ishte që një marrëveshje të mund të arrihej nga 21 tetori, kur ministrat e Jashtëm të BE-së të mbajnë një takim mujor. Por zyrtarët e BE-së nuk mendojnë se kjo është e mundshme. Ata nuk janë të bindur se kjo është e mundshme. Një marrëveshje e arritur vetëm pak ditë para samitit, pra në takimin mujor të radhës më 18 nëntor, mund të mos jetë i vlefshëm.
“Nëse më pyet mua, mendoj se kjo do të shkojë drejtpërsëdrejti në telashe ose shumë pranë”, tha një zyrtar i BE-së i angazhuar në bisedime.
“I pyetur nëse Timoshenko mund të jetë ende në arrest në Ukrainë më 29 nëntor, kur Kiev duhet të jetë duke nënshkruar Marrëveshjen e Asocimit, dy zyrtarë të BE-së, të angazhuar në përpjekjet për të zgjidhur mosmarrëveshjen, pranuan se kjo mund të jetë e vërtetë.
“Por ajo mund të mos jetë atje herët në dhjetor”, tha njëri prej tyre, duke sugjeruar mundësinë e një kompromisi që përfshin lirimin e saj menjëherë pas samitit.
Hakmarrje
Si Ukraina ashtu edhe Bashkimi Europian duken të vendosura për të shfrytëzuar momentin dhe për të nënshkruar marrëveshjen, pavarësisht se çfarë rezervash kanë. Mesazhi që do t’i dërgojë ky hap të gjithë rajonit, përfshirë edhe Kaukazin e pasur me burime, do të jetë një mesazh i fuqishëm.
Nga këndvështrimi i BE-së, Ukraina është një mundësi që nuk mund të humbet: Kiev kërkon afrim më të ngushtë dhe nëse Europa nuk vepron tani, ajo mund ta humbë këtë vend te Rusia dhe te bashkimi doganor postsovjetik përgjithmonë. Dallga e historisë mund të ndryshojë drejtim.
Dështimi në tërheqjen e Ukrainës ka gjasa të pakësojë të gjithë ndikimin e BE-së në vendet e tjera të mbuluara nga politika e partneritetit lindor, duke minuar objektivat e saj për nxitjen e reformave demokratike në rajon dhe në ruajtjen e stabilitetit politik.
“Ne nuk mund të pranojmë asnjë përpjekje që synon të kufizojë zgjedhjet sovrane të këtyre vendeve”, tha presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, para Parlamentit Europian në deklaratën e tij vjetore muajin e kaluar. “Ne nuk mund t’u kthejmë kurrizin atyre.”
Shpresa në Europë është se hapja e rrugëve tregtare do të përmirësojë bashkëpunimin edhe në çështje të tjera si siguria dhe, me kalimin e kohës, do të demonstrojë të mirat e qeverisjes demokratike.
Në terma afatshkurtër, Europa ka nevojë të luftojë krimin – vende si Moldavia gjenden në rrugë të rëndësishme të trafiqeve drejt Bashkimit Europian. Në Kaukaz, mosmarrëveshjet territoriale të tilla si ajo mes Armenisë dhe Azerbajxhanit mund të dëmtojnë objektivat e BE-së për energji dhe ta vendosin atë në konflikt me Rusinë.
“Interesi themelor në partneritetin lindor është të kemi një zonë stabiliteti në lindje të Bashkimit Europian dhe të mos përballemi me shtete të dështuara… Në një rast të tillë mund të ketë rrjedhje destabiliteti në BE”, tha Michael Leigh, një këshilltar i lartë në Fondin Marshall në Bruksel.
Paguaj çmimin
Por pavarësisht të gjitha planeve, Europa di se mund të përballet me hakmarrje, në formën e pakësimit të burimeve energjetike nga ana e Rusisë.
Moska, e cila ka mosmarrëveshje afatgjata me Ukrainën mbi furnizimet me gaz, ka thënë se do të rrisë çmimin për këtë vend dhe zyrtarët nuk e përjashtojnë rritjen e çmimit edhe për BE-në, e cila merr gati 40 për qind të të gjithë gazit që konsumon nga Rusia.
Moska në të shkuarën, gjatë diskutimeve me Ukrainën, ndërpreu furnizimet për vendet anëtare të BE-së, shumë prej të cilave janë tërësisht të varura prej saj për furnizimet. Ajo mund ta bëjë diçka të tillë sërish.
“Ne nuk do të habiteshim nëse ata luajnë kartën e gazit. Është një nga faktorët që po marrim parasysh”, tha një zyrtar i BE-së i angazhuar në bisedimet me Ukrainën.
Por llogaritë e BE-së thonë gjithashtu se Rusia, e cila varet nga Europa për të ardhurat e veta nga gazi, nuk do të zbatojë masa kufizuese për shumë kohë.
Duke e ditur se hakmarrja ruse për marrëveshjen e asocimit mund të rëndojë më shumë në Ukrainë, ku standardet e jetesës janë shumë poshtë mesatares së BE-së, Brukseli është i gatshëm të ndërmarrë hapa në mbështetje të vendit. Këto përfshijnë lejimin e përfitimeve nga tregtia e lirë të hyjnë në fuqi menjëherë dhe jo siç ndodh zakonisht që Ukraina të presë ratifikimin e marrëveshjes nga të 28 anëtarët.
Për Ukrainën, me ekonominë e saj të bazuar te çeliku, industria kimike dhe prodhimet bujqësore, tregtia e lirë me bllokun me 500 milionë konsumatorë europianë është një bonbone e stërmadhe.
Por ndërsa Marrëveshja e Asocimit do të sjellë përfitime të mëdha tregtare dhe me kalimin e kohës, një marrëveshje për liberalizimin e vizave, Ukraina shihet si tepër e ndryshme në shumë aspekte nga vendet e tjera që janë në radhë për t’u bashkuar me BE-në.
Në drejtim të anëtarësimit të plotë, Ukraina përballet me shumë vite qëndrimi jashtë. Më pranë Europës, por me Rusinë në kurriz, ajo është shumë larg nga manteli mbrojtës i anëtarësimit të plotë në BE.

Vendet e partneritetit lindor të BE-së
Ukraina
Ka një sipërfaqe prej 604 mijë kilometrash katrorë. Nëse do të anëtarësohej në BE, atëherë do të ishte vendi më i madh për nga sipërfaqja. Franca, vendi më i madh aktual ka 552 mijë kilometra katrorë.
Kufizohet me Rusinë, Bjellorusinë, Poloninë, Sllovakinë, Hungarinë, Rumaninë dhe Moldavinë. Konsiderohet historikisht si “hambari i Europës” dhe furnizon kontinentin me një pjesë të konsiderueshme të grurit dhe produkteve të tjera bujqësore.
Ka trashëguar nga Bashkimi Sovjetik energji bërthamore, industri metalurgjike e kimike, si dhe industri për prodhimin e avionëve.
Megjithëse një vend i varfër për nga standardet e jetesës, Ukraina rezulton ekonomia e 38 më e madhe e botës me PBB vjetore prej mbi 300 miliardë dollarësh.
Armenia
Është një vend i vogël në Kaukaz me 30 mijë kilometra katrorë dhe me rreth 3 milionë banorë. Por ky vend gjendet në kryqëzim të Europës me Azinë dhe shumë pranë rrugëve të naftës e gazit, gjë që e bën një vend të rëndësishëm për stabilitetin e zonës së Kaukazit. Armenia u largua nga BE-ja dhe hyri në bashkimin doganor rus.
Azerbajxhani
Një vend diktatorial në Kaukaz, është gjithashtu një burim i rëndësishëm i naftës dhe gazit. Azerbajxhani ka një sipërfaqe prej 86 mijë kilometrash katrorë dhe ka 9.3 milionë banorë. Ekonomia e saj ka përmasa të konsiderueshme, për shkak të naftës dhe gazit, PBB vjetore është 72 miliardë dollarë. Qëndrimi i saj përballë BE-së është i dyshimtë, për shkak të ndikimit të madh rus.
Bjellorusia
Është një vend me 208 mijë kilometra katrorë dhe me 10 milionë banorë. Ekonomia e saj realizon vlerë të shtuar vjetore prej 63 miliardë dollarësh në vit. Është vendi më pranë Rusisë nga të gjitha ish-republikat sovjetike
Gjeorgjia
Një vend me 70 mijë kilometra katrorë dhe me 4.5 milionë banorë, Gjeorgjia gjendet në rrugët e naftës dhe gazit që kalojnë nga Deti Kaspik në Detin e Zi, gjë që e bën atë të rëndësishme si rrugë transporti. Ekonomia e saj është 26 miliardë dollarë në vit.
Moldavia
Një vend i vogël me sipërfaqe 34 mijë kilometra katrorë dhe me 3.4 milionë banorë, Moldavia gjendet mes Rumanisë e Ukrainës dhe është më pranë sesa vendet e tjera të gjashtëshes në afrim me BE-në.