Shqiponja e Lacios ka zbritur në mesin e fushës në stadiumin “Qemal Stafa”, pak minuta përpara ndeshjes me Zvicrën.
Kjo ishte një dhuratë që kapiteni i kombëtares, Lorik Cana i bëri tifozerisë shqiptare.
Shqiponja ka bërë disa prova përpara se të ulej me saktësi tek pronari dhe trajneri i saj, Juan Bernabe.
Ajo e nisi fluturimin nga kulla më e lartë në Tiranë, u rrotullua disa herë mbi stadium dhe më pas u ul në fushë.
Ajo mbante të lidhur një shirit me ngjyrat kuqezi.
“Këtë shqiponjë e dua shumë dhe është speciale. E kam marrë pikërisht për ndeshjen e Shqipërisë, me që vendi juaj njihet edhe si vendi i shqiponjave. Këtë në fakt nuk e dija, por ishte Igli Tare që ma tregoi, në momentin kur erdhi te Lacio. Më pas, raport me shqiponjën e Lacios krijoi edhe Lorik Cana. Ka qenë pikërisht kapiteni juaj, që ma kërkoi ta sillja këtu dhe është e rëndësishme ta dini se nuk kemi asnjë interes ekonomik”, tha për Top Channel Juan Bernabe, pronar i shqiponjës./ep





