LinkedIn ka aktualisht 259 milion përdorues aktivë në muaj, një rritje e konsiderueshme duke marrë parasysh se tremujorin e kaluar numri i tyre ishte 238 milion, ndërsa vitin e kaluar ka qenë 187 milion.
Kjo shifër e cila është bërë publike së bashku me rezultatin e të ardhurave të kompanisë për tremujorin e tretë, e rendit rrjetin social profesional para Twitter-it i cili, deri në tremujorin e fundit ka numëruar plot 230 milion përdorues aktivë.
Megjithatë LinkedIn qëndron pas Google+ (300 milion) dhe Facebook (1.15 miliard deri në tremujorin e dytë të këtij viti).
Jeff Weiner, drejtues ekzekutiv i LinkedIn, është shprehur: “Rritja e numrit të përdoruesve dhe angazhimi i tyre kanë ndihmuar në përftimin e këtyre rezultateve të përmirësuara gjatë tremujorit të tretë.
Ne do të vazhdojmë të ofrojmë akoma më tepër vlera ndaj profesionistëve nëpërmjet investimit në produktet themelore dhe iniciativave strategjike si aplikacioni mobil i LinkedIn, studentët dhe platforma e profesionale e publikimit.”
LinkedIn ka raportuar se fitimi për aksion ka qenë 0.39$, ndërsa të ardhurat 393 milion $, duke tejkaluar kështu vlerësimin e Wall Street përkatësisht 0.32$/aksion dhe 384.5 milion $ të ardhura.
Megjithatë parashikimi i kompanisë për shumën e të ardhurave gjatë tremujorit të katërt është 415-420 milion $, më pak sesa vlera e pritur nga Wall Street 438 milion $. Kjo gjë bëri që menjëherë pas pak orësh vlera e aksioneve të LinkedIn të ulej me 5%, por më pas u arrit përsëri një nivel i kënaqshëm. (PCWorld Albanian)