Një mik (tepër) kureshtar si Amerika

Shefat gjermanë të inteligjencës do të nisen në Uashington për bisedime

Gjermania do të dërgojë në Uashington shefat më të mirë të inteligjencës për të shtyrë përpara një hetim për akuzat se SHBA-ja ka spiunuar edhe kancelaren Angela Merkel.
Krerët e inteligjencës së jashtme dhe të brendshme do të mbajnë bisedime me Shtëpinë e Bardhë dhe Agjencinë Kombëtare të Sigurimit (NSA). Më herët, Gjermania dhe Franca janë shprehur se dëshirojnë që Shtetet e Bashkuara të firmosin një marrëveshje për të mos spiunuar deri në fund të vitit. Liderët e BE-së kanë paralajmëruar se mungesa e besimit mund të dëmtojë luftën kundër terrorizmit.
Përveç akuzave për spiunim të telefonit të kancelares, ka pretendime se NSA ka monitoruar miliona telefonata të bëra nga qytetarët gjermanë dhe francezë.
Të premten, Spanja, ashtu si Gjermania dhe Franca, i kanë bërë thirrje ambasadorit të SHBA-së të shpjegojë raportet e spiunimit në vend. Italia ka shprehur gjithashtu zemëratën e saj mbi raportet ku dyshohet të jetë spiunuar edhe ajo.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Xhen (Jen) Psaki bëri me dije se zbulimet, shumica e të cilave të nxjerra nga ish-agjenti i inteligjencës amerikane Eduard Snouden (Edward Snowden), kanë nxitur një moment tensioni midis aleatëve të SHBA-së.
“Ne po bëjmë diskutime me këta aleatë, bisedime të cilat do të vazhdojnë, si në rastin e delegacionit gjerman që do të vijë në vend në javët e ardhshme”, ka thënë ajo. Psaki shtoi gjithashtu se një përmbledhje për grumbullimin e inteligjencës së SHBA-së, e thirrur nga Presidenti Obama, do të analizojë sesi ka ndikuar situata në politikat e jashtme.
Një grup i lartë ekspertësh të jashtëm do të konsiderohen pjesë e çështjes derisa të stabilizohet besimi i publikut dhe të sqarohet sesi ndikon survejimi i politikës së jashtme amerikane, në një kohë kur informacioni po bëhet gjithnjë e më shumë publik.
Të premten, faqja zyrtare e NSA-së ishte jashtë shërbimit për disa orë, veprim për të cilin disa grupe hakerash kërkonin meritë. Gjë që më vonë u përgënjeshtrua nga një zëdhënës i agjencisë që u shpreh se sistemi kishte pësuar një gabim të brendshëm gjatë përditësimit.
Farat e mosbesimit
Zëdhënësi i qeverisë gjermane Xhorxh (Georg) Streiter nuk ka dhënë një datë për udhëtimin e shefave të inteligjencës drejt Uashingtonit, por tha se ky detaj do të rregullohej nëpërmjet një njoftimi relativisht të shkurtër.
“Çfarë do të rregullohet me saktësi, si dhe në çfarë forme do të mbahen negociatat dhe nga cilët, nuk mund t’jua them për momentin. Por ju do ta mësoni së shpejti, sepse ne kemi krijuar njëfarë presioni për t’i bërë bisedimet me shpejtësi”, u tha ai reporterëve.
Kancelarja Merkel e bëri të qartë zemërimin e saj ndaj pretendimeve të përgjimit të celularit të saj, që u transmetua në mediat gjermane, kur ajo arriti në Bruksel të enjten për samitin e BE-së.
Merkel u tha reporterëve pas ditës së parë se sapo farat e mosbesimit të shfaqen, kjo nuk e bën të thjeshtë bashkëpunimin, por e vështirëson më shumë atë.
Ajo u shpreh se do të kërkojë me ngulm mirëkuptim të përbashkët deri në fund të vitit, për bashkëpunimin midis inteligjencës gjermane dhe amerikane, dhe inteligjencës franceze dhe asaj amerikane, për të krijuar një kornizë bashkëpunimi.
Në konferencën për shtyp, kancelarja gjermane deklaroi se si Berlini, ashtu edhe Parisi, veç e veç, do t’i ushtronin presion Uashingtonit për të bërë një marrëveshje të prerë, në frymën e një aleance.
Vëzhguesit thonë se Gjermania, Franca dhe SHBA-ja mund të hartojnë një marrëveshje të ngjashme me atë Five Eyes, të cilën Shtetet e Bashkuara e kanë pasur me Britaninë, Australinë, Zelandën e Re dhe Kanadanë, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Nga ana e tyre, liderët e BE-së janë shprehur se situata ka shkaktuar shqetësim të thellë tek qytetarët europianë.
Detaj
Aspak e kënaqur, Gjermania do të dërgojë në Uashington një grup shefash që do të bisedojnë për një marrëveshje për mospërgjime
Spiunimi
Ekzistojnë raporte se NSA-ja ka monitoruar prej kohësh telefonat e 35 liderëve nga e gjithë bota
Shtëpia e Bardhë ka siguruar që telefoni i kryeministrit britanik David Kamerun nuk është përgjuar
Marrëveshja Five Eyes është firmosur fillimisht midis SHBA-së dhe Britanisë në mars të vitit 1946, më vonë u zgjerua