Një grup klerikësh në Siri lëshuan një gjykim fetar, përmes të cilës lejojnë njerëzit që jetojnë në lagjet e rrethuara të Damaskut të hanë mish nga kafshët që zakonisht janë të ndaluara. Në një video, klerikët thanë se njerëzit mund të hanë mace, qen dhe gomarë për të luftuar urinë.
Fetvaja mbërriti ndërkohë që ka lajme për vdekje nga uria në zonat e rrethuara nën kontrollin e rebelëve. Agjencitë e ndihmave i kanë kërkuar qeverisë të lejojë ndihmat humanitare me zonë ku shumë banorë janë në kurth. Qindra civilë arritën të largohen nga lagjja “Muadhamija” gjatë fundjavës pas një armëpushimi të shkurtër.
Mesazhi përkoi me festën e Bajramit të Vogël, zakonisht një kohë festimesh me ushqime të bollshme. Udhëheqësit fetarë autorizuan në këtë mënyrë njerëzit të hanë kafshë që në kulturën islamike konsiderohen jo të përshtatshme për konsumim njerëzor. Klerikët thanë se po e shfrytëzojnë këtë rast për t’i bërë thirrje botës për ndihmë.
Agjencitë e ndihmave thonë se hapja e zonave të rrethuara për dërgimin e ushqimeve duhet të jetë po aq prioritet sa edhe shkatërrimi i armëve kimike, pasi uria po shkakton po aq shumë viktima. Mjekët Pa Kufij deklaruan se situata është absurde, pasi inspektorët e armëve qarkullojnë lirshëm nëpër zona ku karvanët e ndihmave nuk lejohen.






