Lotaria Amerikane, këtë javë mbyllen aplikimet, si do të bëhet përzgjedhja e fituesve

Ambasada e Shteteve të Bashkuara sqaron se duhet ta plotësoni vetë formën e regjistrimit, pa ndihmën e një “Këshilltari për vizat”, “Agjenti të vizave” ose personave të tjerë që ju ofrojnë ndihmë


Ditën e shtunë më 2 nëntor do të mbyllen aplikimet në Lotarinë Amerikane 2014. Deri tani ka pasur një numër të lartë aplikimesh nga të gjitha qytetet dhe vihet re një interes në rritje nga ana e shqiptarëve. Ambasada Amerikane bën të ditur se sistemi do të mbyllet më 2 nëntor dhe askush nuk mund të aplikojë pas kësaj date. Aplikantët që janë përzgjedhur nga programi i Lotarisë, duhet të plotësojnë kërkesa të thjeshta, por të rrepta, të pranueshmërisë në mënyrë që të kualifikohen për një vizë shumëllojshmërie. Vizat e lotarisë shpërndahen ndërmjet gjashtë rajoneve gjeografike dhe asnjë vend i veçantë nuk mund të përfitojë më shumë se 7% të Lotarive (DV-ve) të disponueshme për çdo vit. Ambasada e Shteteve të Bashkuara sqaron se duhet ta plotësoni vetë formën e regjistrimit, pa ndihmën e një “Këshilltari për vizat”, “Agjenti të vizave” ose personave të tjerë që ju ofrojnë ndihmë. Nëse është dikush tjetër që ju ndihmon, duhet të jeni të pranishëm në momentin e përgatitjes së regjistrimit, në mënyrë që t’u përgjigjeni të gjitha pyetjeve në mënyrë sa më korrekte, të merrni faqen e konfirmimit dhe numrin unik të konfirmimit. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të pajiseni me faqen e konfirmimit dhe numrin unik të konfirmimit. Pa këtë informacion, nuk do të jeni në gjendje të hyni në sistemin online që do t’ju informojë për statusin e regjistrimit tuaj. Duhet të jeni të kujdesshëm në rastin kur dikush ofrohet të ruajë faqen e konfirmimit dhe numrin tuaj të konfirmimit.
Plotësimi
Si fillim duhet të shënonin emrin – mbiemrin, emrin, emrin e mesit – ekzaktësisht siç shkruhet në pasaportë. Mos vendosni emrin e babait si emër mesi. Datën e lindjes – ditë, muaj, vit. Gjininë – mashkull ose femër. Qytetin e lindjes. Shtetin e lindjes – Përdorni emrin me të cilin njihet aktualisht shteti ku keni lindur. Vendi i kualifikueshëm për Programin e Lotarisë – Vendi i kualifikueshëm për Programin e Lotarisë normalisht do të jetë i njëjtë me atë të lindjes. Vendi i kualifikueshëm për Programin e Lotarisë nuk lidhet me vendin ku jetoni. Nëse keni lindur në një vend jo të kualifikueshëm për Programin e Lotarisë, lutemi rishikoni Pyetje të Shtruara Shpesh për të parë nëse ka mënyrë tjetër që mund t’ju bëjë të kualifikueshëm. Fotografitë e të regjistruarve – Fotografi personale tuajën të kohëve të fundit, të bashkëshortit/es dhe të të gjithë fëmijëve të përfshirë në regjistrim. Shikoni Dorëzimi i Fotografisë Dixhitale për specifikime teknike dhe të kompozimit. Nuk është e nevojshme të përfshini një foto të bashkëshortes/it dhe fëmijëve tashmë qytetarë amerikanë ose Residentë të përhershëm ligjorë, por në rast se i përfshini nuk do të ketë pasoja në aplikimin tuaj për vizë shumëllojshmërie. Fotografitë në grup nuk do të pranohen, duhet të paraqisni nga një fotografi për çdo individ. Regjistrimi juaj mund të skualifikohet ose viza juaj të refuzohet nëse fotografitë tuaja nuk janë të kohëve të fundit, janë të manipuluara në një formë apo në tjetrën, ose nuk respektojnë specifikimet e mëposhtme. Shikoni Dorëzimi i Fotografisë Dixhitale për më shumë informacion. Gjatë aplikimit duhet shënuar niveli më i lartë i arsimimit që ju keni arritur, deri më sot: (1) vetëm Shkollë fillore, (2) disa vite shkollë të mesme, pa diplomë (3) Diploma e shkollës së mesme, (4) Shkollë profesionale, (5) Disa Kurse universiteti, (6) Diplomë universitare, (7) Disa nivele të kurseve pasuniversitare, (8) Master, (9) Disa Kurse të doktoraturës, dhe (10) doktoraturë. Shih Pyetje të Bëra Shpesh për më shumë Informacion në lidhje me kërkesat arsimore. Statusi aktual martesor – i Pamartuar, i martuar, i divorcuar, i ve, ose i ndarë ligjërisht. Vendosni emrin, datën e lindjes, gjininë, qytetin e lindjes, shtetin e lindjes së bashkëshortit/es tuaj, dhe një fotografi të bashkëshortit tuaj që plotëson specifikimet teknike të njëjta si fotoja juaj. Mosvendosja e bashkëshortit/es tuaj në regjistrimin për lotarinë do të rezultojë në skualifikimin e aplikantit kryesor dhe të refuzimit të të gjitha vizave të rastit në kohën e intervistës për vizë. Ju duhet të listoni bashkëshortin tuaj edhe në qoftë se keni ndërmend të divorcoheni përpara se të aplikoni për një vizë. Një bashkëshort i cili tashmë është një qytetar amerikan apo një banor i ligjshëm i përhershëm nuk do të kërkojë dhe as nuk do t’i lëshohet një vizë DV, edhe pse ju nuk do të penalizoheni në qoftë se ju i listoni në formën tuaj të aplikimit. Shih Pyetje të Bëra Shpesh për më shumë informacion në lidhje me anëtarët e familjes. Numri i fëmijëve – Renditni Emrin, datën e lindjes, gjininë, qytetin e lindjes, dhe shtetin e lindjes për të gjithë fëmijët e pamartuar nën moshën 21 vjeç, pavarësisht nëse jetojnë apo jo me ju, apo s’kanë ndërmend t’ju shoqërojnë ose ndjekin për t’u bashkuar me ju të emigroni në Shtetet e Bashkuara. Dërgoni fotografi individuale të secilit prej fëmijëve tuaj duke përdorur specifikimet teknike të njëjta si fotografia juaj. Sigurohuni që të përfshini: të gjithë fëmijët natyralë, të gjithë fëmijët ligjërisht të birësuar nga ju dhe të gjithë fëmijët nga martesat e mëparshme që janë të pamartuar dhe nën moshën 21 vjeç në datën e aplikimit tuaj elektronik, madje edhe në qoftë se ju nuk jeni më të martuar ligjërisht me prindin e fëmijës. Fëmijët e martuar dhe fëmijët mbi moshën 21 vjeç nuk janë të pranueshëm për DV. Megjithatë, në rrethana të caktuara Akti i Mbrojtjes të Stausit të Fëmijëve i mbron fëmijët nga “përjashtimi për shkak të moshës”. Nëse aplikimi juaj i DV është bërë para se fëmija juaj i pamartuar të kishte mbushur 21 vjeç, dhe fëmija mbush 21 para lëshimit të vizës, ai / ajo mund të trajtohet sikur ai / ajo të ishte nën 21 për qëllimin e procedimit të vizës. Mospërfshirja në regjistrimin për lotarinë i të gjithë fëmijëve të cilët kanë të drejtë do të rezultojë në skualifikimin e aplikantit kryesor dhe të refuzimit të të gjitha vizave të rastit në kohën e intervistës për vizë. Shih Pyetje të Bëra Shpesh për më shumë informacion në lidhje me anëtarët e familjes.
Përzgjedhja
Bazuar në shpërndarjen e vizave të disponueshme për çdo rajon dhe shtet, individët do të përzgjidhen rastësisht nga kompjuteri ndërmjet aplikimeve të kualifikuara. Për të gjithë aplikantët e DV-2015 do të kërkohet të shkojnë tek Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve duke përdorur numrin unik të konfirmimit të ruajtur nga regjistrimi DV-2015 i aplikimt të tyre në internet për të gjetur nëse aplikimi i tyre është përzgjedhur në programin e DV. Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve do të jetë në dispozicion në faqen e internetit të E-DV ëëë.dvlottery.state.gov duke filluar nga 1 Maji 2014 deri të paktën më 30 Qershor 2015. Nëse aplikimi juaj përzgjidhet, ju do të drejtoheni tek një faqe konfirmimi që do të japë udhëzime të mëtejshme, përfshirë informacione për pagesat lidhur me emigracionin në Shtetet e Bashkuara. Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve do të jetë mjeti i VETËM me të cilin të përzgjedhurit do të njoftohen për përzgjedhjen e tyre për DV-2015. Departamenti i Shtetit nuk do të dërgojë letra njoftimi ose të njoftojë të përzgjedhurit me email. Ambasadat e Shteteve të Bashkuara dhe konsullatat nuk do të sigurojnë lista për të përzgjedhurit. Individët të cilët nuk janë të përzgjedhur gjithashtu do të njoftohet vetëm përmes Kontrollit të Statusit të Regjistrimit. Ju jeni të inkurajuar fuqimisht të hyni vetë tek Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve dhe të mos mbështeteni tek dikush tjetër për të kontrolluar dhe për t’ju informuar. Nëse jeni përzgjedhur, në mënyrë që të merrni një vizë DV për të emigruar në Shtetet e Bashkuara, ju prapëseprapë duhet të përmbushni të gjitha kërkesat e pranueshmërisë sipas ligjit të SHBA-së. Këto kërkesa mund të rrisin nivelin e kërkuar të shqyrtimit dhe kohën e nevojshme për shqyrtim për vendasit e disa vendeve të renditura në këtë njoftim, duke përfshirë, por jo kufizuar në, vendet e përcaktuara si shtete sponsorizuese të terrorizmit./standard