Kriza buxhetore amerikane ka shtyrë shumë analistë të kërkojnë rrënjët e këtij problemi madhor, që rrezikon pozicionin e SHBA-së si superfuqia udhëheqëse e botës. Pabarazia konsiderohet si një shkak për individualizmin e tepruar
Rënia e perandorive
JAMES TRAUB, Foreign Policy
Kam qenë duke menduar gjatë ditëve të fundit mbi doktrinat e rënies kombëtare. Fakti që senati i SHBA-së arriti të mbajë kanoen e shtetit larg kataraktit të stuhishëm të falimentit me një marrëveshje të arritur në orën e fundit, vështirë se mund të shihet si fakt që Shtetet e Bashkuara po ruajnë pozicionin e vet global. Në fund të fundit, amerikanët pritet ta shohin sërish të njëjtën melodramë pas tre muajsh, në rast se Kongresi nuk bie dakord për një plan afatgjatë fiskal, i cili, po të flasim me delikatesë, është shumë shumë i pagjasë.
Nga ana tjetër, amerikanët kanë hyrë në një mjegull që ata vetë e kanë krijuar përgjatë gjeneratës së fundit. Përfundimi nuk ka gjasa që do të jetë ardhja e natës; por rënia është gjithsesi e dukshme.
Shtetet e Bashkuara po paraqesin simptoma ekstreme idiosinkretike të rënies së një fuqie të madhe. Ja të shohim përshkrimin klasik të kësaj teme, te libri i Pol Kenedit (Paul Kennedy), Rritja dhe Rënia e Fuqive të Mëdha. Kenedi përshkruan një sindromë që preku më herët Perandorinë Romake, Spanjën Perandorake dhe Anglinë e epokës viktoriane, mes të tjerave, ku aspiratat rajonale dhe globale kapërcyen kapacitetet kombëtare.
Kenedi shkroi në vitin 1987 dhe parashikoi se Shtetet e Bashkuara do të jenë viktima e fundit e “Shtritjes së tepërt perandorake”, për shkak se “shumatorja e interesave botërore të shteteve të bashkuara është këto kohë shumë më e madhe sesa fuqia e vendit për t’i mbrojtur këto interesa në mënyrë simultane”. Togfjalëshi përshkrues për këtë është “mbipërhapur”.
Kjo duket si një diagnozë e gabuar. Para së gjithash, shpenzimet e pakufizuara në mbrojtje pas 11 shtatorit 2001 nuk kanë sjellë falimentimin e Shteteve të Bashkuara, megjithëse natyrisht që kanë çuar dëm burime të konsiderueshme. E dyta, amerikanët janë përballur me një dobësim të rëndë të aftësisë tretëse, pasi kapërdinë përpjekjen e kotë të Xhorxh Bush (George W. Bush) për të kapur pjesë të mëdha të Lindjes së Mesme.
Perandoria është një situatë jonatyrore për Shtetet e Bashkuara dhe tërheqja në fortesën e vet kontinentale është një përgjigje pothuajse e pashmangshme ndaj frikës për shtrirje të tepërt.
Mbi të gjitha, është pikërisht frika kombëtare ndaj angazhimeve të huaja dhe dëshira për të mos u përzier, ajo që ka shënuar rënien e fuqisë së vendit.
Amerikanët nuk dëshirojnë të mbajnë mbi krahë ngarkesën e udhëheqësisë botërore. Ata duan që bota, bashkë me kërkesat, të japë kontributin e vet.
Ne kemi nevojë për një fjalë të re si “nënpërhapur” për të përshkruar këtë situatë. Problemi nuk qëndron te mbipërhapja nëpër botë, por te nënpërhapja në shtëpi. Dhe burimi i problemit nuk është një shtet me ambicie të tepërta, por një armiqësi e paepur ndaj operacioneve të shtetit. Kenedi shkruan gjithashtu se ndërsa kultura dhe ekonomia amerikane laissez-faire e bën këtë vend më të aftë që t’u përshtatet ndryshimeve të shpejta sesa shoqëritë dirigjiste, të ndryshuarit “varet nga ekzistenca e një udhëheqësie kombëtare që mund të kuptojë proceset madhore të botës së sotme”.
Debatet në Kongres – jo vetëm në ditët e fundit, por edhe në vitet e fundit – gjallërisht tregojnë rreziqet që mbart udhëheqësia e gabuar.
Afrimi me falimentin, mbyllja e qeverisë, sekuestroja e fondeve buxhetore – këto janë vetëm simptomat më të fundit të një sëmundjeje që është sa politike, aq edhe psikologjike.
Udhëheqësia e Partisë Republikane – dhe jo vetëm fraksioni Tea – beson se qeveria federale është e keqe. Kjo është situata që kur Neut Gingriç (Newt Gingrich) rrëzoi udhëheqësinë e moderuar të partisë më 1994. Më 2012, Mit Romnei (Mitt Romney), një centrist republikan garoi për President me një platformë që synonte reduktimin e shpenzimeve federale në 20 për qind të PBB-së, 2 pikë përqindjeje më pak sesa qe në kohën e apostullit të qeverisë së vogël, Ronald Regan (Reagan) edhe pse kostoja e kujdesit shëndetësor në atë kohë qe vetëm një qindarkë në krahasim me atë që është sot. (Mat (Matt) Miller i gazetës Washington Post ka qenë një zë elokuent i kësaj çmendurie).
Për të mbushur shkurtimet e mëdha në taksa, Romnei synonte të eliminonte pjesën më të madhe të qeverisë federale përtej Pentagonit. Kjo tashmë është pjesa ortodokse e një prej dy partive më të mëdha të Amerikës.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara po mbeten prapa në zona thelbësore ku qe udhëheqëse deri pak kohë më parë. Rezerva kombëtare e kapitalit njerëzor po pakësohet ndërsa statistikat e aftësisë mesatare për lexim dhe kuptimin e numrave ka rënë ndjeshëm në krahasim me statistikat e vendeve të tjera. Një përqindje më e vogël amerikanes tashmë diplomohen nëpër kolegje në krahasim me vendet e tjera perëndimore.
Rënia në infrastrukturë rrit kostot e transaksionit; krahaso për shembull koston e udhëtimit drejt aeroportit JFK (Nju Jork) me koston e udhëtimit të ndonjë aeroporti tjetër botëror.
Shtetet e Bashkuara sërish udhëheqin botën sa i përket sasisë së parave të shpenzuara për kërkim dhe zhvillim, por Kina i është afruar shumë ndërsa vende të tjera shpenzojnë më shumë si përqindje ndaj PBB-së.
Shtetet e Bashkuara po humbasin pozicionin e tyre si udhëheqës botërorë, sepse po refuzojnë të bëjnë investime që konkurrentët po i bëjnë. Në këtë drejtim, republikanët e Kongresit mund të kenë humbur betejën, por kanë fituar luftën. Presidenti Barak (Barack) Obama ka pranuar të mbajë në fuqi uljet masive të taksave që paraardhësi i tij ka vënë në mënyrë që të arrijë marrëveshjen për buxhetin e vitit 2011; që nga ajo kohë, ai ka luajtur në anën republikane të fushës.
Obama nuk e ka gjetur kurrë dhe ka gjasa që as nuk do ta gjejë gjuhën e nevojshme për të bindur amerikanët se ata nuk mund të ofrojnë perspektivë të mirë për fëmijët e vet pa iu nënshtruar një ndryshimi drastik në prioritete.
Më të mirët po qëndrojnë mënjanë ndërsa më të këqijtë po luajnë me zjarrin. Te libriKësaj Here është Ndryshe: Tetë Shekuj Çmendurie Financiare, ekonomistët Keneth Rogof (Kenneth Rogoff) dhe Karmen (Carmen) Reinhart kanë katagolizuar më shumë se 70 raste falimentesh kombëtare përgjatë dy shekujve të fundit. Mesatarisht, thonë ata, në një vit falimenti, inflacioni arrin në 170 për qind dhe ekonomia reduktohet me 4 për qind. Me fjalë të tjera, falimenti është kaq rrëqethës sa vendet e bëjnë atë vetëm kur ekonomia është pranë kolapsit.
Dhe shumë nga këto vende, vërejnë autorët, janë kleptokraci. Shtetet e Bashkuara në fakt kanë një ekonomi në rritje dhe nuk kanë mungesa burimesh financiare. Nuk kemi një klasë jodemokratike dhe jollogaridhënëse që ta detyrojë këtë aksion. Uashingtoni erdhi pranë falimentit për shkak të një kapriçioje. Figura të ndryshme politike që nuk besojnë te qeveria qenë shumë të lumtur t’i afroheshin katastrofës. Ndoshta ata thjesht dëshironin të shihnin se çfarë do të ndodhte.
Fuqi të mëdha të së shkuarës kanë mbetur prapa kur dështuan të ecin me progresin teknologjik, siç ndodhi me Kinën e shekullit të pesëmbëdhjetë; të tjera u rrënuan nga pushtimet apo sëmundjet. Amerika nuk përballet me asnjë nga këto probleme.
Shtetet e Bashkuara janë një vend dinamik që vijon të tërheqë emigrantë dhe rrjedhimisht rritet për të rigjeneruar veten. SHBA-ja ofron një mundësi unike për sukses individual. Këto fuqi të mëdha natyrisht që mbajnë larg mundësinë e rënies; ka mes atyre që argumentojnë, madje se Shtetet e Bashkuara mund t’u mbijetojnë plagëve që i kanë shkaktuar vetes, ndërkohë që vende të tjera e kanë të pamundur të mbijetojnë. Por që ta përmbledhim në një mënyrë tjetër, Amerika po e vendos veten në një situatë dramatike duke testuar aftësinë e vet për mbijetesë.
Nëse nuk është sëmundja apo pushtimi, atëherë, çfarë është? Historiani Eduard Gibon (Edward Gibbon) argumentoi se Roma në fund ra për arsye morale – për shkak se karakteri i patriotizmit dhe virtytit civil u zëvendësua nga egoizmi dhe apatia.
Amerikanët që nga koha e Xhorxh Uashingtonit (George Washington) janë shqetësuar se qytetarët mund të bien në kurthin ku ranë edhe romakët. Kjo nuk ka ndodhur deri më sot; amerikanët mbeten të dashuruar pas virtyteve republikane. Megjithatë, ata nuk besojnë te Shtetet e Bashkuara si një projekt kombëtar në ndërtim siç besonin dikur. Ndoshta pabarazia ekstreme ka dobësuar lidhjet e fuqishme të qëllimeve të përbashkëta aq sa ne jemi të predispozuar të besojmë se virtyti qëndron vetëm tek individi dhe jo te bashkësia. Kështu, ne rishpërndajmë burimet te individi, në mënyrë që pabarazia thjesht sa riformohet.
Ne u përgjigjemi udhëheqësve që na flasin ne si atome të ndara dhe të pabashkueshme. Gibon, i cili nuk kishte besim te demokracia, po të qe gjallë do të na thoshte se amerikanët janë bërë tepër individualistë.
Në vend të kësaj unë mund të them se ka një balancë të mirë mes impulsit të thellëlaissez-faire që e ka bërë Amerikën shtëpi të lirisë politike dhe ekonomike dhe ndjesisë së qytetarisë së përbashkët që ka krijuar aksione të mëdha të përbashkëta në të shkuarën. Thjesht duket që vendi e ka humbur këtë balancë.
Më pëlqen të mendoj se afrimi i fundit me katastrofën do të ndihmojë në kërkimin e balancës së drejtë, por në fakt nuk besoj se kjo është e mundur. Gjërat duhet të përkeqësohen edhe më shumë para se të kthehen drejt përmirësimit.