![]() |
Shkëlzen Maliqi |
Shkëlzen Maliqi, publicist i njohur, tani këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për rajonin, flet në këtë intervistë për Express mbi ndjesinë që i jep detyra e re; mbi probleme të ndryshme që lidhen me shqiptarët brenda dy shteteve shqiptare dhe atyre në vendet tjera si dhe raportet me shtetet e rajonit, të cilat duhet të çlirohen nga monopoli i nacionalistëve dhe patriotëve; mbi formulën “zero probleme me fqinjët” që do të thotë edhe për të zgjidhur problemet e trashëguara; mbi atë se si Shqipëria, për shkak se nuk i ka pasur përvojat negative të vendeve të ish Jugosllavisë, nuk bie pre e disa paragjykimeve që i karakterizojnë ato vende; mbi zgjedhjet lokale në Kosovë; mbi drejtimin as…as të Vetëvendosjes dhe mundësinë e dobësimit të PDK&’së pas përçarjeve të fundit ashtu siç ishte dobësuar dikur LDK pas përçarjesh të tilla…
Z. Maliqi, jeni prej kosovarëve të paktë që punoni për një kryeministër të Shqipërisë. Si po ndjeheni në punën e re dhe si është të punosh me Edi Ramën?
Angazhimi im si këshilltar sapo ka filluar. Ende jam me një këmbë në Prishtinë, me tjetrën në Tiranë. Kryeministri Rama pas kthimit nga SHBA-të ka shumë angazhime dhe ka hapur një sërë frontesh për ndryshime që ai i sheh si trasim ambicioz të rrugëve për rilindjen e Shqipërisë. Pata një takim të shkurtër me të në atë agjendë të ngjeshur që e ka këto ditë dhe u dakorduam për parimet dhe kornizat e bashkëpunimit. Kryeministri i jep shumë rëndësi bashkëpunimit rajonal. Pasi që më ka përzgjedhur që ta këshilloj për rajonin, e ndiej këtë si përgjegjësi shtesë, por edhe nder, përfaqësimin e Kosovës në ekipin e tij. Por, të mos ketë keqkuptime, këtë unë e bëj në kapacitetin individual, jo se dikush më ka deleguar. Vetë detyrën nuk e kujtoj të vështirë, sepse besoj në vizionin e Ramës mbi domosdonë e avancimit të raporteve me vendet e rajonit dhe posaçërisht me Kosovën.
Qeveria e kaluar, e udhëhequr nga z. Berisha, politikat/retorikat rajonale i kishte përqendruar kryesisht tek shqiptarët e rajonit. Z. Edi Rama gjatë fushatës ka thënë se dëshiron bashkëpunim përtej kësaj. Konkretisht çfarë synohet të arrihet me atë që quhet “bashkëpunim rajonal”.
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe marrëdhëniet mes shqiptarëve në rajon, nuk duhet të janë monopol i nacionalistëve dhe patriotëve, të cilët nga pamundësia objektive e realizimit të qëllimeve madhore, çfarë është bashkimi kombëtar, paradoksalisht i shmangen bashkëpunimeve më konkrete në politikë, ekonomi, kulturë, sport etj. Kjo kushtëzon mbisundimin e retorikës së bashkimit, e cila mbetet zakonisht boshe, sepse abstenon nga shumë bashkime të vogla që mund dhe duhet të realizohen në përditshmërinë e pajtimeve mes shqiptarëve. Në shumë fusha për këto pajtime dhe marrëveshje ndërshqiptare as që ka pengesa serioze. Por puna qëndron në atë se patriotët rrahagjokës gjithnjë shfaqin një brengosje koti se mospragmatizmi i kooperimit mes Shqipërisë dhe Kosovës do të çojë në “ulje të pazarit”, sepse shqiptarët me ketë, sipas mendjes së tyre, detyrohen të veprojnë brenda atyre kornizave të imponuara një shekull më parë, kur fuqitë e mëdha i ndanë padrejtësisht tokat dhe kombin e Arbrit. Sipas kësaj logjike, bashkëpunimi normal ose edhe i avancuar mes Shqipërisë dhe Kosovës si dy shtete, shihet i dëmshëm. Ata mendojnë se duhet të ketë vetëm një shtet shqiptar në Ballkan, dhe jo dy që duke bashkëpunuar çimentojnë ndarjen.
Megjithatë, pavarësisht retorikave elektorale, shumëkush beson se në faktbashkëpunimi aktual mes shqiptarëve është maksimumi i bashkëpunimit që mund të bëjnë dy vende. Kjo për faktin se ekonomitë janë të dobëta, po ashtu shkëmbimet tregtare, kulturore, edukative.
Ky është një skepticizëm tjetër, që vjen jo nga projektuesit e bashkimit kombëtar, por nga ata që nuk besojnë në këtë ide dhe mendojnë se historia ka krijuar një hendek mes shqiptarëve që nuk mund të riparohet lehtë, e disa madje e çojnë këtë hendek deri në krijimin e një kombi kosovar, si corpus separatum nga kombi shqiptar. Unë jam i bindur se ky është një ekzagjerim që është të paktën i debatueshëm, nëse jo edhe tërësisht i paqëndrueshëm.
Projekti Rama synon thellimin dhe bashkërenditjen e raporteve në shumë fusha ku askush nuk na pengon që të bashkohemi bazuar jo vetëm në interesin kombëtar, por edhe interesat tjera jetike ekonomike, kulturore, në arsim, sport etj. Vizioni i Ramës nuk i ngjanë aspak atyre premtimeve retorike dhe pompoze të Sali Berishës se do ia falë Kosovës Portin e Shëngjinit, ose se do t’i pajisë të gjithë shqiptarët me pasaporta të Shqipërisë etj., e që pastaj i hante fjalët e veta. Rama zotohet për dialog të vazhdueshëm dhe marrëveshje të qëndrueshme mes Shqipërisë dhe Kosovës, që besoj se nuk do të ndalen vetëm në organizmin e mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive, por edhe do të hapë rrugët për bashkëpunim të instancave ekonomike, shoqërore dhe kulturore etj. Vetëm kështu rrëzohen kufijtë realë dhe ata mentalë që ekzistojnë në hapësirën shqiptare.
Si i shihni marrëdhëniet përgjithmonë të tensionuar me Greqinë. A e keni krijuar opinionin tuaj se pse ndodh kjo dhe me çfarë formule mund të tejkalohen problemet?
Problemet me Greqinë nuk janë të përgjithmonshme dhe të patejkalueshme. Mendoj se ato mund dhe duhet të përmirësohen gradualisht, duke luftuar paragjykimet nacionaliste në të dy anët. Qeveria e re Shqiptare e sheh Greqinë si njërin nga partnerët strategjik në rajon, po aq sa Turqinë dhe Italian. Kuptohet, ky cilësim nuk e ul rëndësinë primare të raporteve të Shqipërisë me SHBA-të dhe BE-në, ose fuqitë tjera të mëdha si Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca. Formula e Kryeministrit Rama “zero probleme me fqinjët” është keqkuptuar në rastin e Greqisë, sikur ai paska propozuar “amnistimin” e Greqisë për probleme që i ka me Shqipërinë, disa prej tyre më shumë historike disa edhe ende aktuale, si p.sh. problemi i të drejtave çame. “Zero probleme” do të thotë se kjo qeveri do të angazhohet që sa më parë të zgjidhen problemet e trashëguara, dhe jo që ato të anashkalohen dhe futen nën qilim.
Cili është raporti i shqiptarëve (të Shqipërisë , Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi) në raport me kombet tjera ballkanike (serbet, maqedonasit, kroatët, boshnjakët, sllovenët)? Pra, çfarë janë përparësitë dhe dobësitë tona kundrejt tyre?
Këto raporte nuk mund të futen në një kosh dhe të gjeneralizohet gjykimi, sepse ka dallime mes shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe të viseve tjera, në perceptimin e fqinjëve ballkanas. Ne që kemi jetuar në ish Jugosllavi, i shohim ndryshe raportet me sllavët e jugut, dhe nuk i vlerësojmë të gjithë fqinjët njësoj. Mbajmë ende qëndrim kryesisht armiqësor ose shumë dyshues ndaj serbëve dhe maqedonasve dhe më të balancuar ose edhe pranues ndaj kroatëve, sllovenëve, boshnjakëve dhe malazezëve. Shqipëria që nuk i ka përvojat negative nuk i bën këto dallime dhe ndonjëherë paragjykon reagimet emocionale të kosovarëve ndaj fqinjëve. Por, tani që rajoni po i tejkalon raportet që kushtëzuan luftërat për territore dhe dominim të një kombi mbi kombet tjera, dhe po krijohen rrethanat e pajtimit të rajonit dhe vendosjen e raporteve të barabarta, dhe të kultivimit të raporteve fqinjësore që bazën e kanë në interesat e matshme të ndërsjella. Për këtë dëshmon edhe dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, që rezultojë me një marrëveshje domethënëse e cila Kosovën duhet ta nxjerrë nga ngërçi i mos rrumbullakësimit të shtetësisë dhe sovranitetit. Kuptohet, nuk është se duhet të idealizohen marrëveshjet, as kjo e Brukselit, e as ajo e Ohrit etj.,jo vetëm pse ka interpretime të ndryshme, zbrazëtira dhe obstruksione që pengojnë realizimin e tyre të plotë, por shëndoshja e marrëdhënieve në rajon është proces ku këto marrëveshje shërbejnë si gurthemele të sistemit të ri të stabilitetit dhe sigurisë që rajonin e përgatitet të bëhet si tërësi pjesë e BE-së.
T’i kthehemi zhvillimeve në Kosovë. Fushata zgjedhore ka filluar, dhe përkundër që janë zgjedhjet lokale, shumëkush i sheh ato shumë të rëndësishme. Sipas jush, vërtet mund ta rikonfigurojnë skenën politike këto zgjedhje apo thjesht dotë konfirmojnë balancën aktuale të forcave?
Që tash mund të shihet se në balancën e forcave që ka mbizotëruar në gjashtë vitet e fundit ka lëvizje dhe çarje që mund të sjellin rikonfigurimin e formulës së qeverisjes së Kosovës. Nuk e dimë ende sa është e thellë çarja në PDK, përkatësisht sa do të ndikojë largimi i Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, por supozoj se tendenca minimale është që PDK-ja do ta humbë përparësinë prej 6 deri 8 % që e ka pas ndaj LDK-së, duke rënë te barazimi në përkrahje, ose edhe duke e nxjerrë sërish LDK-në si parti më të madhe në vend. Vetëm se 3 nëntorido të jetë test e jo beteja kryesore për rikonfigurim. Për këtë duhet pritur zgjedhjet nacionale vitin tjetër.
Interesante është veçanërisht gara në Prishtinë. A do të thyhet me në fund LDK në kryeqytet?
Nuk besoj se LDK-ja do ta humbë Prishtinën, edhe pse këtë e ka merituar për shkak të devastimit të kryeqytetit të cilit po i bëhen disa rregullime kozmetike në qendër, ndërkaq që si tërësi vuan nga kaosi urbanistik dhe menaxhimi aspak “metropolitan”, të cilin e pretendonte Isa Mustafa. PDK-ja e ka përzgjedhur një kundërkandidat të fortë për Isa Mustafën, gjeneralin dhe ish kryeministrin Agim Çeku, që dikur ka qenë personaliteti më i popullarizuar në Kosovë, por kjo përzgjedhje ka ardhur vonë.
Lëvizja Vetëvendosje ka qenë opozita e vetme gjatë këtyre tri viteve, kurse tash – përveç në Prishtinë; nuk duket se ka krijuar ndonjë frymë. Çka ndodhi, gaboi VV me përzgjedhjen e kandidatëve apo ku është problemi?
Nuk janë problem kandidatët, por mënyra se si Vetëvendosja e ka bërë transformimin jo të plotë nga lëvizja aktiviste në parti politike. Duke dashur që të jetë edhe lëvizje edhe parti politike, Vetëvendosja ka shkuar në drejtimin as lëvizje, as parti, kështu që aksionet në rrugë dhe opozitarizmi i saj sa ka qenë atraktivë për disa shtresa shoqërore të pakënaqura, po ka qenë po aq frikësuese për shtresat që kanë pas simpati për idetë dhe synimet, por jo edhe për metodat e këtij subjekti. Një gabim i Vetëvendosjes ka qenë ndjekja e zhvillimeve politike nga mbrapsht, nga e kaluara, duke alarmuar se Kosova po ecën gabimisht nga Rambujea e deri te marrëveshja e fundit me Serbinë. Albin Kurti ka humbur shumë energji për ta ndalur trenin historik që sipas tij është futur binareve të gabuara, duke mos pasur fuqi reale që atë tren ta ndalojë ose ta kthej në binaret e vizionit të tij. Gabimi i dytë ka qenë bërja e opozitës faktorëve ndërkombëtarë, SHBA-ve dhe BE-së, ku Albin Kurti i jepte leksione përfaqësuesve të Amerikës në Kosovë, duke thënë se ai është më amerikan se këta përfaqësues! Dhe gabimi më fatal ka qenë edhe vetë konceptimi i kryefjalës së kësaj lëvizjeje, pra të “vetëvendosjes” që Albini me shokët e kuptojnë si një zgjidhje pothuajse mitologjike të çështjes së Kosovës dhe asaj kombëtare, ku vetëvendosja do të duhej të ndodhte dhe të jetësohet ashtu sikur që në mitologjinë greke hyjnesha Athena lind me atributet dhe fuqitë e saja sovrane, duke përfshirë edhe helmetën dhe armët e saja, direkt dhe komplet nga koka e Zeusit! Vetëvendosja është akt dhe proces politik i cili realizohet gradualisht, me faza, rrugës dhe binareve që po ecën realisht Kosova, dhe jo nga koka e Albinit, si e tëra në fillim.
Edhe vetë e thatë se zgjedhjet lokale po shihen si mundësi për tkurrjen e PDK-së, ndërkohë që në fushatën e kësaj partie ka hyrë një lojtar i ri, Kadri Veseli. Si do të reflektohen gjithë këto në rezultatin elektoral të PDK-së?
Kadri Veseli është konsideruar dhe mbase edhe ka qenë i tillë, eminenca gri e PDK-së që e ka siguruar kohezionin e partisë dhe të liderëve në momentet kritike për këtë subjekt. Por, roli i ri që e ka marrë Kadri Veseli, si nënkryetar i parë i partisë, nuk duhet se e ka efektin e mëparshëm, sepse përçarjen që ka ndodhur mes dy rrymave kryesore në këtë subjekt. Veseli nuk ka mundur ta ndalë dhe saldojë as në kongresin e partisë, e as në zhvillimet e fundit ku Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi janë distancuar nga PDK-ja. E thashë më herët se PDK-ja do të dobësohet, ndoshta jo në përmasat që i pat përjetuar LDK-ja pas përçarjes mes Fatmir Sejdiut dhe Nexhat Dacit, por gjithsesi pasojat do të janë serioze.