Nga Dominique Moisi
Sfida aktuale me të cilat përballet Turqia është tejkalimi i iluzioneve të humbura. Dhe një gjë e tillë nënkupton se Turqia mund të ketë nevojë për Evropën më shumë sesa që është e gatshme ta pranojë. Por a është Evropa sot më e gatshme sesa dje që të përfshihet në bisedime serioze me Turqinë?

Paris, tetor – “Ditë pas dite, Evropa po largohet gjithnjë e më shumë nga Turqia”, deklaroi gjatë javës së kaluar Egemen Bagis, ministri turk për Çështjet e Bashkimit Evropian. Por edhe e kundërta vlen: me një përzierje të zhgënjimit dhe vendosmërisë, Turqia ka filluar që të distancohet nga Evropa gjatë viteve të kaluara. “Po qe se nuk na doni, atëherë edhe ne nuk ju duam”, duket se po thonë turqit. Në të vërtetë, pothuajse tre vjet pas fillimit të “Pranverës arabe”, Turqia është më shumë në kërkim të vetes, sesa të Evropës, madje edhe pasi që ka nevojë më shumë për Evropën, sesa që është e gatshme ta pranojë. Cila është Turqia sot, cilat janë vlerat dhe cili është fati i saj në një ambient rajonal jashtëzakonisht jostabil? “Pranvera arabe” fillimisht ishte parë si një mundësi e madhe për Turqinë, një ambient ideal për ta shpërfaqur suksesin ekonomik të këtij shteti, modelin politik demokratik dhe rëndësinë e madhe strategjike në rajon. Trashëgimtarët e një prej perandorive më të mëdha botërore po ia dëshmonin botës se islami dhe modernizmi ishin kompatibil – dhe shembull për shtetet arabe, si Egjipti.
Në vend të kësaj, roli i Turqisë u prit me skepticizëm tek egjiptianët: edhe ashtu, Perandoria Osmane kishte sunduar mbi Egjiptin. Dhe, në anën turke, ekzistonte ndjenja e superioritetit karshi botës arabe. Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik ringjalli ambiciet turke “neoosmane” në Kaukaz dhe në Azinë Qendrore, derisa revolucioni në Lindjen e Mesme dukej që trashëgimtarëve (nëse jo jetimëve) të një perandorie të dikurshme po u ofronte mundësinë për ta nxjerrë hakun për humbjen. Nëse një Evropë skeptike dhe e papërgatitur nuk e dëshironte Turqinë, atëherë keq për të; historia po u ofronte turqve alternativa më të mira.
Ndonëse Turqia mund të dukej shumë orientale apo shumë fetare në Bruksel ose Paris, po të shihej nga Kajroja dhe Tunizi do të dukej si urë ideale myslimane midis Perëndimit demokratik dhe Azisë dinamike. Për më tepër, Turqia mund të ushtronte shumë ndikim, si rezultat i politikave të “fqinjit të mirë” me dy partnerët dhe rivalët, Iranin dhe Sirinë, ashtu edhe përkrahjen për presidencën jetëshkurtër të Mohamed Morsit në Egjipt. Fatkeqësisht, shpresat e elitave turke (nëse jo edhe pritjet) nuk u realizuan. Revolucionet arabe përfunduan duke shpërfaqur dobësitë dhe kontradiktat në Turqi, të përkeqësuara edhe më shumë nga politikat represive të kryeministrit Recep Tajip Erdogan. Një gjë e tillë u bë e qartë në demonstratat që u përhapën këtë pranverë nga sheshi “Taksim” i Stambollit te pjesa dërrmuese e shtetit (ndonëse protestat kishin më shumë të përbashkëta me trazirat e kohë mëparshme në Brazil apo revoltën e 1968-s në Paris, sesa me lëvizjet popullore në Egjipt apo Tunizi). Ajo që karakterizon turqit sot nuk ka të bëjë me krenarinë dhe shpresën në ndikimin e përhapur të shtetit të tyre, sesa që ka të bëjë me frikën e shpërbërjes. Problemi i kurdëve preokupon turqit, ashtu si edhe perceptimi se janë duke e humbur kontrollin mbi dy çështjet esenciale – kriza në Siri dhe ajo në Iran.
Gjatë muajve të kaluar, Qeveria e Turqisë ka marrë një qëndrim të ashpër karshi regjimit të presidentit sirian, Bashar al-Assad, e bindur se ajo do të bjerë. Marrëveshja e arritur kohë më parë nga SHBA-ja dhe Rusia, shikuar nga ky pikëvështrim, paraqet lajm shqetësues: regjimi mund ta ketë shpëtuar veten, duke shkatërruar arsenalin e vet kimik.
Për këtë arsye, Turqia mbase pyetet se çfarë i hyn asaj në punë, po qe se ia bën qejfin Perëndimit. Përse të vazhdohet, nën presionin amerikan, një dialog pothuajse normal, po qe se rezultati i këtij dialogu nuk do të përfillet, nëse jo edhe tradhtohet, nga politika amerikane? Ngjashëm, qasja e moderuar e presidentit iranian, Hassan Rouhani, krahas progresit të mundshëm të negociatave të Iranit me Perëndimin rreth programit bërthamor, e kanë lënë Turqinë si të padobishme, nëse jo edhe të izoluar. Si mundet një shtet ta perceptojë veten dhe të perceptohet nga tjerët, si aktor i rëndësishëm në rajon, po qe se e gjen veten të margjinalizuar në një moment kritik? Historia po lëviz në Lindjen e Mesme, por jo në drejtimin që do ta preferonte Turqia. Dhe, derisa rritja ekonomike ka filluar të hasë në pengesa, Qeveria turke ka filluar të ashpërsohet dhe performanca diplomatike ka rënë, shumë turq pyeten se çfarë ka ndodhur. Por, në vend të vetëkritikës së hapur, ata shpesh po përfshihen nga nacionalizmi, që merr përmasa të tilla, sa për ta pasqyruar një mungesë vetëbesimi. Sfida aktuale me të cilat përballet Turqia është tejkalimi i iluzioneve të humbura. Dhe një gjë e tillë nënkupton se Turqia mund të ketë nevojë për Evropën më shumë sesa që është e gatshme t’ia pranojë, madje edhe vetes. Por a është Evropa sot më e gatshme sesa dje që të përfshihet në bisedime serioze me Turqinë?
Autori është këshilltar i lartë në Institutin francez për Marrëdhënie Ndërkombëtare (IFRI) në Paris. Shkrimi u botua së pari në rrjetin e gazetarisë “Project Syndicate”