Gjenerali: Në Turqi, një e treta me gjak shqiptar

Leonard Veizi 

  • Si u vlerësua Enver Hoxha nga turqit për çështjen e Qipros dhe qëndrimi i tyre pas daljes së Shqipërisë nga Traktati i Varshavës
Djathtas admirali me origjine shqiptare Ahmet Ali ,gjeneral  armate Refik Tollga,  bashkeshortja e admiralit, gruaja e gjeneralit Zhale, gruaja e diplomatit shqiptar Abe dhe Ali Ymeri

Ali Ymeri shkruan se kënaqësia për të punuar në një vend  të tillë si Turqia, ishte rezultat i një opinioni pozitiv që  ndihej në të gjitha shtresat  e shoqërisë turke ndaj Shqipërisë. “Pozicioni gjeopolitik që zënë të dy vendet  në rajon dhe interesat e përbashkëta, që  rrjedhin prej tij, veçanërisht pas Luftës së  Dytë Botërore (për shkak të sistemeve  ideologjike të kundërta), këtyre marrëdhënieve u pat dhënë një përmbajtje  të re simpatie e miqësie. Një ndjenjë e  tillë pati zënë vend dhe mund të themi  qe bërë e pranishme (pavarësisht nga  qëndrimet zyrtare për shkak të sistemeve) në ndërgjegjen e çdo qytetari të  thjeshtë dhe zyrtari në të dy vendet”,  shkruan në ditarin e tij diplomati. Sipas  tij, krejt ndryshe nga ç’thuhej e ndodhte  në vende të tjera të botës së civilizuar,  në Turqi shqiptarët ishin njerëz të dashur  e të respektuar. 

Enver Hoxha merr në mbrojtje  Turqinë 

Ish-konsulli i Stambollit shkruan se  miqësia midis dy popujve tanë u rrit  sidomos dhe nga qëndrimet që mbajti  qeveria shqiptare gjatë krizave të njohura të Qipros në vitet 1965-1974. Ai  shton se mbështetja e bërë nga ana e Shqipërisë, nuk duhej kuptuar si një çështje  emocionesh, por si domosdoshmëri për  zgjidhjen e konfliktit në rrugë paqësore  mes dy vendeve të interesuara, Turqisë  dhe Greqisë. Mirëpo ky qëndrim rriti ed-he një herë në sytë e opinionit turk respektin ndaj shqiptarëve. “Për të qenë i  sinqertë, dëshiroj të theksoj se, mbas kë-tyre ngjarjeve, Enver Hoxha filloi të lako-hej në gojët e shumë qytetarëve turq, si  përfaqësues i politikës së drejtë dhe pa-rimore në marrëdhëniet midis vendeve”,  pohon diplomati. 

Denoncimi i Traktatit të Varshavës 

Në shënimet e tij Ali Ymeri shkruan për  ndikimin mjaft pozitiv në marrëdhëniet  shqiptaro-turke të politikës së kohës, të  cilat u ngritën dukshëm nga pika ku kishin  ndalur për shumë vite në të kaluarën,  15 vjet para Luftës së Dytë Botërore.  “Impuls të fuqishëm morën këto marrëdhënie sidomos nga qëndrimi i guximshëm i qeverisë shqiptare në mbrojtje të lirisë e të pavarësisë së popujve  nga Bashkimi Sovjetik dhe Traktati i Varshavës. Shkëputja nga Lindja, denoncimi  dhe çmontimi i bazave të vendosura në  territorin shqiptar dhe dalja nga Traktati  i Varshavës (1968), u vlerësuan nga Turqia si akte që meritonin vëmendje dhe  admirim. Këtyre akteve i duhet shtuar  edhe qëndrimi i pavarur që mbajti ven-di ynë në përkrahje të Turqisë në OKB  në vitin 1965. Shtypi dhe propaganda  turke këto akte i komentonin si veprime  të pavarura, që buronin nga një politikë  e jashtme principiale, e drejtë, pa ekuivoke, që ishte në funksion të respektim-it të të drejtave dhe lirive të cilitdo vend  për vetëvendosje”, shkruan diplomati. 

Dhurata për Sekretarin e Parë 

Ali Ymeri shkruan se ishte kuptimplotë  gjesti i kryetarit të Bashkisë së qytetit  Golxhuk në brigjet e gjirit të Izmirit, i  cili, me rastin e vizitës së ansamblit artistik “Rozafa” të Shkodrës (1981), në  shenjë të mirënjohjes e miqësisë ndaj  Shqipërisë dhe udhëheqësit të saj, Enver Hoxha, më dorëzoi për të një bust të  Qemal Ataturkut. “Kjo atmosferë e krijuar në ato vite, nuk qe as e para dhe as  e fundit. Ansamblet tona si dhe grupe  të tjerë artistikë, ndryshe nga ato të  vendeve të tjera pjesëmarrëse të festivaleve të organizuar nga Turqia, duartrokiteshin në mënyrë më të ngrohtë  dhe me tifozllëk të jashtëzakonshëm.  

Çlirimi nga paragjykimet 

Ali Ymeri thotë se janë të panumërt  personalitetet, që kontribuuan shumë, sidomos pas viteve ’60-të në forcimin  e miqësisë turko-shqiptare dhe që i  dhanë kësaj, duke e çliruar nga paragjykimet ideologjike, një përmbajtje  të re. Në shënimet e tij, ai evidenton di-sa prej tyre: “Prof.dr. Neshit Erez, mjek  gjinekolog me emër në Turqi, me origjinë tepër të lashtë shqiptare, fliste për  prejardhjen e tij sikur të kishte emigruar ato ditë nga Prizreni për në Turqi.  Po aq të angazhuar e të përkushtuar  e shikonim forcimin e miqësisë mes  dy popujve tanë edhe personalitete të  tjerë si Barllas Kumtay, deputet dhe  ministër i Turizmit në disa qeveri, Qerim Gokai, ish-ministër e Vali i Stambollit,  Haluk Chilloi, profesor e dekan në Universitetin e Stambollit, për një kohë, ministër  i Tregtisë, i nderuari Tasin Osguc, për  një kohë të gjatë rektor i Universitetit të  Ankarasë, etj”. Për sa i përket marrëdhënieve me median Ali Ymeri shkruan:  “Gazetarët, pa as më të voglin kompleks,  kanë shkruar me objektivitet dhe respekt  për vendin tonë. Midis tyre dëshiroj të  kujtoj Burhan Felek, kryetar i Bashkimit  të Gazetarëve turq, Nadir Nadi, gazetar  dhe pronar i gazetës “Xhumhuryet” (Republika), që kishte filluar të botohej që në  vitet e përmbysjes së Sulltanatit. Jehonë  të fuqishme gjatë këtyre viteve patën  edhe shkrimet e botuara në mjaft gazeta me emër e tirazh të madh” 

Turqia pranon se është shtypur  nga Shqipëria 

Ndryshe nga kombet e tjerë, shqiptarët janë më të pranishëm në  strukturat shtetërore dhe të integruar plotësisht në shoqërinë turke. Në një  rast domethënës diplomati shqiptar,  Ali Ymeri shkruan: “Me rastin e 500-  vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit  Skënderbeut, në vitin 1968, ambasadori i atëhershëm turk në Shqipëri, Ruzhdie Vejseli i kërkoi takim zotit Reiz  Malile, atëherë zëvendësministër i Punëve të Jashtme. Në këtë takim u ndodha edhe unë, meqë puna ime në Minis-trinë e Punëve të Jashtme lidhej edhe  me Turqinë. Ambasadori Vejseli, sa hyri,  iu drejtua zotit Reiz: “Eh, keni më për  të folur kundër Turqisë”? Kuptohet që  gjatë këtij jubileu u fol natyrshëm për  të kaluarën 500-vjeçare. Por e keqja  ishte se në propagandën tonë Turqia  moderne njehsohej me perandorinë Osmane. Zoti Reiz, pasi u përshëndet me  të, i tha: “Kjo propagandë nuk ka të bëjë  aspak me Turqinë moderne, të krijuar  si rezultat i luftës çlirimtare që organizoi e zhvilloi populli turk me Ataturkun  e madh e që përfundoi me rrëzimin e  Sulltanit, por me Perandorinë Osmane”.  Përgjigja me sa dukej e kënaqi. Duke  qeshur, ambasadori vazhdoi: “Sa për  mua nuk e dimë se kush e ka shtypur  njëri-tjetrin, pasi në atë periudhë, duke  filluar nga sadrazemet (kryeministrat),  vezirët (ministrat), gjer te gjeneralët e  shumtë dhe, në përgjithësi, administrata shtetërore turke ka qenë e predominuar nga shqiptarët”… Ky keqkuptim u  evitua, por duke nxjerrë në shesh edhe  një të vërtetë të madhe për dominimin  e elementit shqiptar në administratën  gjigante të Perandorisë Osmane. 

Origjina e Qemal Ataturkut 

Në shënimet e tij diplomati shqiptar  thotë se shumë zyrtarë, kur binte fjala  për Ataturkun, nënvizonin vëmendjen  që tregonte ky i fundit për Shqipërinë,  aq sa në vitin 1928, kur Ahmet Zogu u  shpall monark, pakënaqësia e tij shkoi  deri në ndërprerjen e marrëdhënieve  diplomatike me të. Aktin e shpalljes  së monarkisë, Ataturku e konsideroi  hap mbrapa dhe ndërprerje të progresit në Shqipëri, në kundërshtim,  natyrisht, me atmosferën civilizuese ku pat hyrë Evropa prej vitesh. Ali  Ymeri shkruan se edhe përpara këtyre  ngjarjeve, Ataturku ishte interesuar  për të ardhmen e një Shqipërie moderne e të pavarur nga fuqitë e huaja.  Pikërisht për këtë dhe në funksion të  këtij qëllimi, rreth viteve 1920, dërgoi  një numër kuadrosh me origjinë shqiptare e mes tyre kolonelin Selaudin  Shkoza (prizrenas), i cili në qeverinë  që doli nga Kongresi i Lushnjës, në  1920, u caktua Ministër i Mbrojtjes  së Shqipërisë. Qëndrimi zyrtar i matur i vendit tonë ndaj origjinës shqiptare të Ataturkut është një arsye  më tepër që ndikonte vazhdimisht në  rritjen e respektit, të konsideratave  pozitive për Shqipërinë. Ataturku në  politikën tonë shqiptare është cilësuar gjithmonë si burrë shteti, reformator i madh turk, çlirimtar i vendit  të tij, Turqisë dhe mbrojtës i flaktë  dhe i vendosur i pavarësisë nacionale  turke. Ne kurrë nuk kemi rrahur gjoksin për origjinën e tij, sepse kjo nuk  ishte një meritë. Ai i përkiste popullit  turk dhe vetëm atij. Pozicionime të  tilla patën vlera të veçanta, sidomos  pas viteve ’70, kur forca të caktuara  politike në vend, sidomos ekstremi  fetar, nëpërmjet ekspozimit të “huaj”,  kërkonin të denigronin dhe godisnin  personalitetin e Ataturkut. Më kujtohet mirë kur në vitin 1970-’72 në  gazetën “Aksham” botohej një shkrim  i gjatë ku vërtetohej origjina shqip-tare e Ataturkut. Shkrimi u bë objekt  i gjerë diskutimi në shtyp dhe gjithë  mjetet e informacionit deri në parlament, por në fund u la me të vërtetë  ashtu siç ishte. Gjatë këtyre diskutimeve pati shumë persona zyrtarë që  pyesnin e donin të dinin mendimin to-në si diplomatë shqiptarë. Ndërsa ne  iu dhamë përgjigjen zyrtare, sipas së  cilës Ataturku nga shteti ynë njihej  si reformator i madh i shtetit turk,  të cilit i shërbeu me devotshmëri  gjatë gjithë jetës së tij. Ish-ministri i parë në qeverinë Ataturke,  Tefik Rustu Aras, gjatë një vizite kortezie (pensionist në atë kohë) që i  bëra me rastin e emërimit të tij në  Stamboll si Konsull i Përgjithshëm,  në bisedë e sipër, midis të tjerash,  më tha: “Ataturku nuk kishte thënë  asnjëherë se ishte shqiptar, por kurrë  nuk e kishte mohuar”. 

Ministri turk, pohon origjinën shqiptare 

Duke dashur t’i referohemi drejtpërdrejt atë çka ka shkruar diplomati  shqiptar, po citojmë një nga dëshmitë  diplomatike të tij: “Ishim në hollin e  hotel “Keban” në Stamboll. Në një çast  nëpunësi i recepsionit më afrohet dhe  më pyet: “Në çfarë gjuhe flisni? Po  flas në gjuhën shqipe, i përgjigjem  (aty pranë ishte dhe gruaja ime). Ua,  tha ai, edhe unë jam shqiptar, por nuk  di shqip. Nuk ka gjë, mjaft që nuk keni  harruar se jeni shqiptar dhe krenoheni  për këtë, i thashë unë. Ju jeni shumë i  ri dhe shqipen edhe mund ta mësoni.  Dhe më tej vazhdova ta pyes prej nga  ishte dhe kur kishte ardhur familja e  tij në Turqi. Familja ime ka ardhur nga  Shkodra, më tha ai. Babanë e kam  pasur gjeneral e tani është në pension. Gjyshja më ka folur shumë për  Shkodrën dhe njerëzit e saj të mirë  dhe trima. Pasi mbaruam bisedën  rutinë, i dhashë kartëvizitën time  dhe ai të tijën. E lexova dhe vura re  se mbiemri i tij ishte i njëjtë me atë  të ministrit të Jashtëm turk. Çfarë e  keni ju ministrin e Jashtëm, i drejto-hem përsëri atij. Axhë, tha tjetri në  shqip. Në bisedë me ambasadorin  tonë në Ankara, Ylvi Lulo, i tregova  këtë ngjarje. Avash (shprehje e tij e  zakonshme), tha ai duke qeshur, se na  e bëre Turqinë të gjithë shqiptare. Ylviu nuk kishte shumë kohë që kishte  ardhur në Ankara, ndaj reagonte edhe  kështu, ndërsa unë isha më i vjetër  në Turqi. Ti mos harro, i thashë duke  qeshur, se tët at (xha Zabitin) e ke  patur vali në Irak në kohën e perandorisë osmane. Por edhe të dy dajat e  Qeros (e shoqja) u vranë në Çanakala  në kohën e Luftës Çlirimtare. Ai nisi  të tërhiqej dhe të më jepte të drejtë.  Ky diskutim vazhdoi gjatë dhe unë i  solla edhe shumë shembuj të tjerë të  pranisë së shumtë elementit shqiptar  me banim në Turqi. Duke dashur ta  mbyll këtë diskutim, Ylviu me të qe-shur më tha: “Më trego një vend këtu,  në Turqi, ku nuk ka shqiptarë, se për  të pasur ka kudo”. Pas pak kohësh do  të gjendeshim përballë një rasti jo të zakonshëm, ambasadori ynë në Ankara, Ylvi Lulo kishte ftuar për darkë  ministrin e Jashtëm turk të asaj kohe  (1972), Haluk Bajulken, së bashku me disa drejtorë të kësaj ministrie dhe tre  ambasadorë të huaj miq të tij. Në  këtë darkë isha dhe unë i pranishëm.  Atëherë isha në Stamboll Konsull i  Përgjithshëm. Gjatë kësaj darke sa intime aq dhe miqësore, ministri  turk, duke folur me ambasadorin norvegjez, tha këto fjalë: “Ne me ju  jemi anëtarë të të njëjtave aleanca politike, ekonomike, ushtarake, ndërsa me shqiptarët jemi vëllezër  e në të njëjtën kohë na lidhin fate dhe interesa të përbashkëta”. Po aty gjeti rastin, pa as më të voglin hezitim të deklarojë se edhe ai  vetë ishte shqiptar me origjinë nga  Shkodra. Sikurse na tha ai, e ëma i kishte folur shumë për vendlindjen e  saj. Bisedat më të preferuara kishte  ato që bënin fjalë mbi Shkodrën.  Shumë domethënës qe fakti që,  pas këtij deklarimi, edhe disa prej  të pranishmëve pohuan se ishin me origjinë shqiptare. Kurse njëri prej tyre kishte gruan me origjinë shqiptare. Kjo flet për atë realitet e për numrin e madh të shqiptarëve në Turqi, të cilët, në shumicën e  tyre, ndonëse nuk e ruajnë gjuhën  e origjinës, asnjëherë nuk i fshehin  ndjenjat për ta quajtur veten shqiptar. Kjo shpjegohet me opinionin  shumë pozitiv që ekziston në Turqi  për shqiptarët në shekuj, për ndershmërinë , aftësinë etj. Besa ndaj fjalës së dhënë njihet botërisht dhe formulohet “arnaut besase”. Konsiderata të tilla i ndesh gati në çdo bisedë me njerëz të zakonshëm, por dhe me ata të niveleve të larta zyrtare. Kjo na gëzonte dhe na lehtë-sonte misionin tone”. 

Një shqiptar në çdo tre turq 

“Komandanti i armatës së parë të  Stambollit gjatë një vizite kortezie  që i bëra në pranverë të vitit 1972,  me rastin e emërimit tim në postin  e Konsullit të Përgjithshëm në Stamboll, duke folur për marrëdhëniet e  mira dhe miqësore midis dy popujve  tanë nënvizoi se shqiptarët në Turqi  janë pjesa e respektuar e shoqërisë  turke. Ata i kanë dhënë kësaj shoqërie dijetarë të mëdhenj në të gjitha  fushat dhe komandantë të shquar e  më emër në histori. Kontributi i shqiptarëve ka qenë dhe mbetet i pranishëm këtu. Pasi më pyeti për numrin e shqiptarëve në Turqi dhe pasi  mori përgjigjen time, sipas së cilës  shqiptarët në Turqi janë qytetarë,  prandaj dhe nuk mbajmë ndonjë evidencë, ai shtoi: Shqiptarët në Turqi  janë vërtet të shumtë, pothuajse në  çdo 3 veta, 1 duhet të jetë i tillë… Është vështirë, nënvizoi gjenerali, që  të gjesh familje pa 3 veta të lidhur me  persona me origjinë shqiptare. Martesat e vendasve me vajza me origjinë  shqiptare janë nga më të preferuarat. Kjo e ka shpjegimin te karakteri i  tyre i mirë… nikoqire, të ndershme e  shtëpiake, pa folur këtu për bukuritë e  cilësi të tjera me vlerë. Me gjeneralin  mbetëm miq të mirë. S’kisha se si të  mos e falënderoja për një të vërtetë  të tillë. Është fakt se turku, ndryshe nga kombësitë e tjera që ndodhen në  këtë vend, e ka të vështirë të dallojë nga vetja shqiptarin”, shkruan në kujtimet e tij diplomati Ali Ymeri. 

Stërnipi i Ali Pashës, gjyqtar në Stamboll 

Një nip i Ali Pash Tepelenës, ka qenë  gjyqtar në Stamboll. Në shënimet e tij,  diplomati shqiptar Ali Ymeri shkruan se  e ka harruar emrin e tij, por takimi me  të ka ndodhur më shumë se 40 vjet më  parë, në vitin 1973. Stërnipi i Ali Pashait  i ka thënë diplomatit shqiptar se edhe  në fushën juridike ka pasur shumë shqiptarë. Pa u shkëputur nga një temë  e tillë, Ali Ymeri shkruan: “Në një kaf-ene ku ndodheshin turq e shqiptarë  bëhej një bisedë e lidhur me temën e  mësipërme. Njëri prej pjesëmarrësve në  bisedë, shqiptari i quajtur Rushdi, nisi të  flasë me superlativa për vendin që zënë shqiptarët në jetën politike, shoqërore, ekonomike, institucionale, ushtarake,  etj., në Turqi. Mirëpo ky theksim i natyrshëm, nuk i pëlqeu një zyrtari turk që  u ndodh aty, duke ndërhyrë ai iu drejtua Rushitit: “Ju mos doni të na i nxirrni  edhe Pejgamberin shqiptar? Miqësisht ky i fundit iu përgjigj: “Nuk përjashtohet që edhe ai të jetë i tillë” 

Bio 

Ali Ymeri u lind në 1927  në Sevaster të Vlorës. Studimet e larta i mbaroi në Moskë e  më pas në Tiranë, për Histori-Gjeografi. Në vitin 1966 emërohet  në Ministrinë e Jashtme, në vitin  ‘69 emërohet pranë Ambasadës  së RSH në Ankara, dhe në vitin  1972, Konsull i Përgjithshëm në  Stamboll. Këtë funksion e kreu derisa doli në pension në vitin 1985.  Ishte i martuar me Abe Haziz Hitajn. Në tetorin e 10 viteve më  parë, diplomati i njohur, ndërroi  jetë, duke lënë pas kujtimet e tij.  Në ditar, Ali Ymeri shkruan se ka  pasqyruar shkurtimisht marrëdhëniet miqësore shqiptaro-turke,  të cilat, veçanërisht pas viteve  ’60, kanë njohur vetëm progres. /shekulli