EKSKLUZIVE: RRUGA E KOSOVARËVE PËR XHIHAD NË SIRI

Nga Visar Duriqi


Kosovarët në luftën e Sirisë janë mbi 100. Ata shkojnë në grupe nga 2-3 veta. Luftojnë përkrah opozitës, por edhe përkrah grupeve të lidhura me Al-Qaeda. Rruga e tyre është përmes Turqisë, derisa nisen prej Aeroportit Adem Jashari. Ata nuk kanë bazë ligjore për t`i ndalur dhe në Siri shkojnë për xhihad, por edhe për plaçkë të luftës. Gazeta Express ekskluzivisht sjell informacione të inteligjencës kosovare për shtetasit e Kosovës që janë përfshirë në këtë konflikt të madh. I pari i myslimanëve në Kosovë, Myftiu Naim Tërnava do të deklaronte një intervistë të transmetuar në RTK që ai dhe Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) që drejtohet prej tij kishin bërë shumë për t`indalur kosovarët që të mos u bashkohen muxhahedinëve në Siri. Por, si duket as djali i tij nuk e ka dëgjuar, pasi që ai, Haris Tërnava, publikisht, në profilin e tij në Facebook, do të shprehte gatishmërinë e tij për të luftuar në Siri. “Çdo ditë e më shumë po më shtohet vullneti me shku në Shaaaamm për hir të Allaht. A jeni edhe ju me mu vllazni të vdesim për Allahun”, shkruante Harisi. Djali i Myftiut Tërnava ende nuk ka shkuar në Siri, por inteligjenca kosovare beson që atje janë mbi 100 kosovarë. “Disa kosovarë shkojnë e kthehen shpejt, e disa më gjatë. Numri i tyre varijon, por mund te thuhet se numri i atyre që deri tash kanë shkuar në Siri është mbi 100 kosovarë”, thotë për Express një burim i inteligjencës. Këto burime bëjnë me dije se rruga që kosovarët ndjekin për në Siri si destinacion të parë ka Turqinë, nga ku më pastaj bien në kontakt me grupet që po luftojnë kundër regjimit të Bashar Al-Asadit. “Grupe të vogla me nga 2 a 3 vetash udhëtojnë përmes Aeroportit “Adem Jashari” për në Turqi. Por, deri tash nuk kemi gjetur prova për që konfirmojnë organizim të mirëfilltë për udhëtimin e kosovarëve në Siri”, thonë për Express të njëjtat burime. E krejt këta persona “nuk ka bazë ligjore në legjislacionin kosovar që të ndalohen që të mos shkojnë në Siri edhe kur ka informacione të sigurta që po shkojnë atje”, thonë burimet. Por, legjislacioni kosovar ka hapësirë për ndjekje penale të personave që janë të lidhur me organizata terroriste, dhe këtë e trajon Kodit Penal të Kosovës, nga neni 139-143. Burimet e gazetës thonë që tashmë ka fakte që kosovarët nuk po luftojnë vetëm në krahun e opozitës siriane që në terrenet e luftimeve përfaqësohet nga Ushtria për Çlirimin e Sirisë. “Ka grupe të kosovarëve që i janë bashkuar edhe grupit “Tewhid” dhe “Al Nusra”, bëjnë të ditur për Express burime të inteligjencës kosovare, të cilat konfirmojnë qëdrejt për së drejti kosovarët nuk kanë kontakte me elementë të “Al-kAidas”. Mirëpo, “Al Nusra” konsiderohet organizatë si-motër me organizatën terroriste “Al-Kaida”-në. Përshqiptarët, përfshirë edhe kosovarët, në luftën e Sirisë, kohë më parë pati raportuar edhe një agjencia gjysmë-shtetërore e lajmeve iraniane, “FarNews”, e cila duke u thirrur në burime izraelite të inteligjencës konstaton që në Siri po luftojnë kundër regjimit të Asadit mbi 700 shqiptarë. Agjencia pretendon se ekziston një rrjet i dërgimit dhe financimit, dhe që ai udhëhiqet nga organizatë turke “IHH”. Gazeta e ka kontaktuar këtë organizatë turk,e por e njëjta nuk ka komentuar për këto akuza. Kuvend shqetësohet për imazhin e Kosovës Gazeta Express përmes burimeve të veta kupton që shqiptarët ne Siri për të mbijetuar në situatë lufte janë bërë pjesë e operacioneve të plaçkës së luftës. “Ata shkojnë me pakë para në Siri. Atje bëhen hisenik në ndarjen e plakës së luftës”, thotë burimi i gazetës. Plaçka e luftës është e lejuar edhe sipas dispozitave fetare islame. Inteligjenca kosovare bënë me dije se te kosovarët ne Siri mbizotëron motivi i shkuarjes atje për luftën e shenjët-xhihadin, por te disa nuk përjashtohet as motivi i plaçkës së luftës. Përfshirja në këto aktivitet, provat që ka inteligjenca kosovarët po u bashkohen grupeve të afërta me “Al-KAidan” dhe vdekja e disa kosovarëve në Siri e ka shqetësuar edhe Kuvendin e Kosovës. “Çështja e kosovarëve në Siri është diskutuar në Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencionit Kosovar të Inteligjencës (AKI) kur është thirr për të raportuar Drejtori i saj. Ne jemi interesuar në aspektin e sigurisë së vendit , imazhin e vendit he përfatin e të rinjve shqiptarë që janë përfshirë atje , pavarësisht motiveve”, thotë deputeti i pozitës, Fadil Demaku, një nga mbikëqyrësit e AKI`së. Demaku thotë që kanë rekomanduar që çështja e kosovare në Siri të merret nga institucionet përgjegjëse me prioritet. Viktima e fundit kosovare në Siri e konfirmuar nga familja ishte Pajtim Olluri, 22 vjeçar, i cili u vra në luftime në fillim të shtatorit të këtij viti. Halit Maliqaj (31) nga Tirana, Ermal Xhelo nga Vlora, Nimetullah Imeri (38) dhe Sami Abdullahu nga Shkupi, Rasim Zeqiri nga Gostivari, Muaz Ahmeti (23) nga Presheva, Naman Damolli nga Kosova,janë disa nga emrat e shqiptarëve që deri më tani janë vrarë në luftimet kundër Bashar Al Assadit. /Express