Cilën shkollë duhet të ndjek?

Umberto Eco / Studiues


Po lexojmë përherë e më shpesh se regjistrimet e të rinjve në liceun klasik po ulen në mënyrë të ndjeshme. Por ajo që të ngjall më shumë mëdyshje është arsyeja e nxjerrë, e që është se Liceu Klasik nuk ofron mundësi profesionale. Mua më duket se, nëse dikush ka ndërmend të ndalet te dëftesa e pjekurisë, pa hyrë në universitet, Klasiku ofron të njëjtat mundësi me ato të çdo lloj liceu tjetër. Nëse kërkohet një punë e menjëhershme pas shkollës së mesme, atëherë një diplomë llogaritari apo gjeometri, profesione për të cilat pëherë do ketë nevojë, është gjëja më e mirë.
Por nëse dikush mendon për universitetin, Klasiku ofron mundësinë për të ecur më tej në çdo lloj fakulteti, përfshirë inxhinierinë dhe kështu që problemi nuk ekziston, apo më mirë, ai zhvendoset si i tillë pas universitetit; dhe është e sigurt se nëse diplomohesh për dentist ke më shumë shanse për të blerë një jaht sesa po të diplomohesh për profesor filozofie. Por unë di raste të njerëzve të diplomuar në letërsi që kanë bërë goxha karrierë, në banka dhe në gjykatat më të larta të Shtetit. P.sh Çampi(ish-presidenti), sa për të përmendur një rast.
Është kjo arsyeja që bën të lindë dyshimi se diferenca nuk qëndron tek arsimi klasik ose jo, sesa në faktin e të paturit mendjen e Çampit apo atë të dikujt tjetër. Por nuk do të dëshiroja të tregohesha racist. Kujtoj se në kohën kur, Adriano Olivetti, jo vetëm ndërtonte (ende) makinat e shkrimit, por kishte nisur të punonte për kompjuterët e parë të mëdhenj(nga ata të cilët zinin një dhomë të madhe dhe punonin ende me valvola dhe skeda me vrimë) punësonte sigurisht inxhinierë të zotë, përndryshe kompjuterët nuk do i kishte ndërtuat dot kurrë, por nuk hezitonte që të punësonte edhe një të diplomuar, i cili kishte mbrojtur shkëlqyeshëm një tezë për dialektet homerike.
Do ta dërgonte për gjashtë muaj të bënte praktikën në fabrikë, në rolin e punëtorit(por më shumë për t’i bërë të kuptonte se çfarë është industria), ndërsa më vonë do ta vinte që të punonte për projekte të mëdha, apo edhe në administrim. Po kështu, kujtoj, se në këtë mënyrë, kishte përgatitur  një menaxher të ardhshëm të madh, i cili kishte mbrojtur një tezë mbi Hegelin. Po përse Olivetti vepronte kështu? Sepse kishte kuptuar tashmë se një arsimim i mirë(i mesëm dhe universitar) nuk të mëson të bësh vetëm atë që tanimë dihet(sigurisht që një shkollë për elektricistë duhet pikë së pari të mësojë të rregullosh një impiant elektrik kështu siç e shohim sot), por edhe që të jesh një njeri me imagjinatën e mjaftueshme për të kuptuar se ku tenton e ardhmja(dhe elektricisti ynë i mirë duhet që të ketë aq fleksibilitet dhe fantazi sa për të kuptuar se çfarë mund të ndodhte nëse nesër ndriçimi dhe ngrohja nuk do të prodhohen më nga energjia elektrike). Të përgatitesh për të nesërmen do të thotë jo vetëm të kuptosh sesi funksion sot një program elektronik, por të konceptosh programe të reja. Dhe ndodh që studimet klasike(përfshirë këtu edhe të dish se çfarë ka thënë Homeri, por sidomos kapacitetin për të punuar filologjikisht mbi një tekst homerik dhe të kesh nxënë mirë filozofinë dhe pak logjikë) janë ato të cilat, akoma mund të të përgatisin për të konceptuar zanatet e së nesërmes.
Sigurisht që do të dëshirohej një konceptim klasik i bërë në mënyrë më moderne nga ai i ideuar shekullin e kaluar nga Gentile(Giovani-filozof)(i cili shumë pak i kishte përfshirë shkencat), brenda të cilit të kishte pak më shumë matematikë dhe natyrisht edhe gjuhë bashkëkohore përveç greqishtes(kështu mund të tejkalohej dallimi jonatyral mes klasikes dhe shkencore), por gjithsesi ai që ka patur një arsimimi klasik të mirrë, përherë ka gjetur diçka për të bërë, ndonëse kjo nuk ishte ajo që të gjithë prisnin në atë moment.
Vetëm ai që ka frymëmarrjen kulturore, e cila mundet të merret vetëm nga studime të vërteta klasike, qëndron mendje hapur ndaj ideimit dhe intuitës për atë sesi do të shkojnë gjërat, ndërkohë që ende ato mbeten të panjohura. Me fjalë të tjera, do të doja të thosha, se ai që ka ndjekur studime të vërteta klasike, nëse nuk është i aftë të bëjë mirë zanatet e tanishme, është më i aftë dhe më i gatshëm të përqafojë zanatet e së nesërmes, pse jo, edhe të ideojë disa të tillë. Por kjo sigurisht që është një sfidë. Kush ka frikë nga liceu klasik është më mirë që të ndjekë rrugë të tjera, sepse jeta është mizore dhe-ndonëse nuk është politikisht korrekte që ta thuash- t’i përkasësh elitave është e vështirë dhe e rrezikshme. Mund të kesh një jetë të qetë, madje edhe kënaqësi estetike edhe nëse studion  për ebanisteri (dekoracionist druri) dhe do ishte hall i madh nëse nuk do të kishte njerëz që do ta bënin këtë punë. 
Titulli është redaksional
Marrë nga “L’espresso”. 
Përktheu: Skerdilajd Zaimi 
Shekulli