
Sipas Independent on Sunday, deri në vitin 2020 mund të ftohen kombëtaret, si Brazili, Argjentina, Meksika dhe Japonia.
Në Euro 2016 numri i përfaqësueseve konkurruese do të ngritet në 24, ndërsa në rast se do të ftohen edhe shtetet joevropiane, atëherë Evropiani mund të bëhet i ngjashëm me Kampionatin Botëror dhe t’i bëjë konkurrencë të madhe atij.
“Idetë janë në një fazë të hershme, por janë të zbatueshme. Jugamerikanët e kanë bërë këtë me dekada, duke ftuar ekipe nga jashtë në kontinentin e tyre që të marrin pjesë në Copa America. Prandaj, pse të mos e bëjë këtë edhe Evropa?”, ka thënë një këshilltar i Platinit.
Që nga viti 1993, vende jashtë Amerikës Jugore janë ftuar që të jenë pjesë e Copa America. Meksika dhe Japonia janë ftuar që të garojnë në kampionatin e radhës në Kili (2015).
Tashmë thuajse është e sigurt që Euro 2020 do të zhvillohet në 13 qytete të ndryshme në gjithë kontinentin duke lënë anash praktikat e deritanishme që Kampionati Evropian të zhvillohet në një apo në dy shtete. /Telegrafi/





