BERLIN 1989/Kur shembej Muri i Turpit/Tërmeti që shkundi Evropën

Fundi i ndarjes mes dy botëve, rrëfyer nga protagonistët e kohës. Dëshmitë e Bush, Gorbaçov dhe të tjerëve për ngjarjen më të rëndësishme të shekullit që kaloi


Muri i Berlinit: një pjesë e Perdes së Hekurt që ndau më dysh për shumë kohë Evropën dhe botën. Përtej telave me gjemba, forca të armatosura kishin mbajtur gjithmonë kokëulur popujt e botës komuniste. Në 1989, Muri ishte ende i paprekur, por tashmë në Moskë gjendja ishte ndryshe.
"Përdorimi i forcës na kish diskredituar tërësisht. Tashmë nuk ishte më e mundur që të stabilizohej bota me metoda ushtarake", thotë Mikail Gorbaçov, në atë kohë Sekretar i Parë i Partisë Komuniste Sovjetike.
Ndërsa Presidenti i Shteteve të Bashkuara në atë kohë, George H. W. Bush, thotë se "ne pamë në atë kohë një mundësi reale, pikërisht për shkak të këtij pranimi të Bashkimit Sovjetik, pra që ata nuk do të fitonin garën e armatimit. Ishim ne fituesit e gjithë kësaj".
Dhjetor 1988. Gorbaçovi takoi George Bushin dhe Presidentin që po largohej, Ronald Reagan. Tashmë lideri sovjetik kish vendosur që Luftës së Ftohtë i duhej dhënë fund. Amerikanët mbeteshin gjithsesi të kujdesshëm. "Kishte shumë trysni nga krahu i djathtë i Gorbaçovit, domethënë nga ushtria e tij, e Zoti e di nga kush tjetër, të cilët nuk dëshironin që këto ndryshime të ndodhnin me atë shpejtësi", thotë Bush.
Tashmë në 1989, Gorbaçovi ishte i vendosur të lironte disi kontrollin sovjetik mbi vendet e bllokut komunist. Ai u tha popujve të Evropës Lindore se kishin të drejtën të vendosnin për të ardhmen e tyre. Por, ata që e dëgjonin vrisnin mendjen se çfarë do të ndodhte nëse pushtetin e merrnin jokomunistët. A do të hiqej vërtet mënjanë Bashkimi Sovjetik?
Anatoly Cherniayev, këshilltar i Gorbaçovit thotë se ky i fundit "ishte i bindur që kur këto vende të fitonin lirinë e tyre, atëherë do të zgjidhnin socializmin me një fytyrë njerëzore. Ai besonte se ata nuk do t'i largoheshin Moskës. Nuk do të rendnin drejt Perëndimit. Ai mendonte se ata do t'i ishin mirënjohës Moskës, si dhe do të ruanin lidhjet dhe miqësinë me Bashkimin Sovjetik".
Por jo gjithkush e donte lirinë nga Moska. Udhëheqës komunistë si Erich Honecker i Gjermanisë Lindore, e kishin qëndrimin në pushtet të kushtëzuar pikërisht nga mbështetja sovjetike.
"Të imagjinoje se Bashkimi Sovjetik, pas 40 vitesh aleancash, do të lejonte çdo vend socialist që të qëndronte vetë në këmbë dhe t'u kthente shpinën, a thua nuk kish ekzistuar ndonjëherë një komunitet vëllazëror - kjo ishte e padëgjuar", thotë Frank Joachim Herrman, këshilltar i Honecker.
43 vjet më herët, në Hungarinë e 1956-ës tanket sovjetikë kishin shtypur me dhunë një përpjekje të hungarezëve për të fituar demokracinë dhe pavarësinë. Imre Nagy dhe liderët e tjerë të kryengritjes ishin ekzekutuar. Reformat ekonomike përmirësuan jetesën për pak kohë, më pas pllakosi fatkeqësia. Tashmë në 1989, qeveria komuniste po humbiste kontrollin. Sidoqoftë, trupat sovjetike qëndruan aty. Edhe një herë populli hungarez nisi të shfaqë shenja zemërimi. Frika nxiti regjimin të premtonte ndryshime politike dhe më shumë demokraci.
Mikloos Nemeth, ish-kryeministër i Hungarisë, kujton: "Vendi ishte në prag të greminës, në prag të një situate krize totale. Ekonomikisht grumbulluam një borxh shumë të madh në atë kohë. Politikisht të gjithë aktorët kryesorë brenda vendit kuptuan se në asnjë mënyrë nuk mundeshin të përmirësonin jetesën përmes reformimit të sistemit socialist".
Në mars të vitit 1989, kryeministri Nemeth vizitoi Moskën. Udhëheqësit hungarezë po planifikonin zgjedhje të lira shumëpartiake. Por, a mos vallë kjo ishte shumë për Gorbaçovin? Miklos thotë se i tha në sy Gorbaçovit që, "Unë nuk e di në këtë moment se kur do t'i mbajmë zgjedhjet e para. Por, duke ditur që ju keni 80 mijë ushtarë brenda territorit të vendit dhe duke patur në mendje përvojën e 1956, kur tanket tuaj shtypën revolucionarët dhe të gjithë forcat që luftuan për liri në atë kohë, a do ta përsërisni apo jo 1956-ën? Dhe Gorbacovi, pa kurrfarrë hezitimi, m'u përgjigj shumë qartë: 'Unë nuk jam dakord me sistemin shumëpartiak... me futjen e këtij sistemi në Hungari, por kjo nuk është përgjegjësia ime, kjo është përgjegjësia jote. Nuk do të ketë udhëzim apo urdhër për të shtypur ndonjë lëvizje'. Ky ishte një mesazh shumë i rëndësishëm".
Një varr i paemër në Budapest mbante fshehur udhëheqësit e vrarë në kryengritjen e 1956. Tashmë qeveria kish rënë dakord për rehabilitimin e tyre, të vdekur e të gjallë. Miklos Nemeth kujton: "Mbeta i tronditur kur pashë se në listën e të vrarëve kish djem e vajza që kishin qenë vetëm 14 apo 16 vjeç në ditën e revolucionit. Ç'kish ndodhur? Ekzekutorët kishin pritur deri kur ata kishin festuar ditëlindjen e 18-të dhe të nesërmen i kishin vrarë... disa prej tyre. Rivarrimi i tyre ishte për ne një ripajtim me të kaluarën dhe historinë tonë. Ishte një fillim i ri.
Një muaj më herët, Lufta e Ftohtë kish humbur një simbol. Qeveria hungareze kishte hequr telat me gjemba në kufirin e saj me Austrinë dhe Perëndimin. Bashkimi Sovjetik nuk bëri asgjë. Ndonëse udhëtimi nuk qe ende i lirë, Perdja e Hekurt kish nisur të binte.
Guximi i Hungarisë alarmoi liderët ekstremistë të Paktit të Varshavës. Asnjëri nuk ishte më i tronditur se sa udhëheqësi gjermano-lindor, Erich Honecker. Shteti i tij përbënte kufirin e perandorisë sovjetike me Perëndimin.
Gunter Schabovski, anëtar i byrosë politike të Gjermanisë Lindore, kujton se "reagimi i parë i Honeckerit ishte dërgimi i ministrit të Jashtëm në Moskë, për të protestuar kundër këtij vendimi. Përgjigja e Moskës ishte: Nuk bëjmë dot asgjë. Ishte diçka unike. Ishte hera e parë që Moska na thoshte një gjë të tillë".
Ashtu si hungarezët, edhe polakët po ndaheshin një herë e mirë nga sistemi komunist. I ndodhur përballë një vale protestash politike, të drejtuara nga lëvizja opozitare "Solidariteti", regjimi kish lëshuar. Lech Walesa, udhëheqës i "Solidaritetit", thotë: "E dija se sistemi komunist ishte i mbaruar. I vetmi problem ishte të gjendej mënyra më e mirë për të hequr qafe komunizmin".
Në vitin 1981, me miratimin sovjetik, "Solidariteti" ishte shtypur me dhunë nga ushtria polake. Liderët e tij ishin burgosur. Tani, në fillim të 1989, qeveria nisi bisedime në tryezë me "Solidaritetin".
Në qershor të atij viti u mbajtën zgjedhjet. Ato prodhuan një humbje të komunistëve. "Solidariteti" fitoi 99 nga 100 vendet në Senat. Brenda pak ditësh, mori detyrën i pari kryeministër antikomunist në bllokun sovjetik. "Kur ne pamë se çfarë mendonte Gorbaçovi për reformat, e dinim se ai nuk do të kundërshtonte reformat tona dhe kjo ishte shumë e rëndësishme për ne", thotë Walesa.
Në samitin e Paktit të Varshavës, liderët ishin të ndarë. Honecker, ashtu si Nicolae Ceausescu i Rumanisë ishte i alarmuar nga ajo që po ndodhte në Poloni dhe në Hungari.
Kujton Gorbaçovi: "Honecker dhe në mënyrë të veçantë Ceausescu, ishin kundër reformave. Në një rast ne kishim një takim me të në rezidencën e tij në periferi të Bukureshtit. Ai, e shoqja Raisa dhe unë po diskutonim. Në fakt, biseda na rrëmbeu pak si shumë. Folëm me zë kaq të lartë, sa që na u desh të largonim të gjithë truprojat me qëllim që të mos na dëgjonin"
Imre Pozsagy, një anëtar i byrosë hungareze, kujton: "Ne dëgjuam se Ceausescu në Rumani, Jakes në Çekosllovaki dhe Honecker po organizonin një lloj komploti. Ata dëshironin t'i mbushnin mendjen Gorbaçovit për të ndërhyrë kundër Polonisë dhe Hungarisë. I kishin thënë se këto vende e kishin shkelur tashmë kufirin e të pranueshmes në vendet socialiste".
"Kur dëgjova propozimin e parë të Ceausescut, pashë në anën tjetër të tryezës tek delegacioni sovjetik dhe ndesha në sytë e liderit sovjetik. Ai po më sinjalizonte me sy, duke më thënë, OK, mos fol kundër. Me fjalë të tjera, më la të kuptoj me lëvizjen e syve, një mesazh të rëndësishëm: që nuk duhet të thuash asnjë fjalë. Nuk do të ndodhë asgjë. Dhe nuk ndodhi".
Në korrik, Presidenti Bush vizitoi Poloninë dhe Hungarinë. Perëndimi u dha mbështetje morale për ndryshime demokratike e pak më shumë madje. Presidenti i atëhershëm i SHBA, Bush, thotë se "ne u dhamë atyre paketa ekonomike modeste, për të dy vendet, por nga ana tjetër, nuk është se donim të hidhnim para në një gropë të panjohur. Dëshironim të ishim të sigurtë se reformat ekonomike, lëvizja drejt tregut të lirë ishin të vërteta, që do të vazhdonin".
Në Hungari, Presidentit Bush i dhanë në duar një copë teli me gjemba, një suvenir i Perdes së Hekur të çmontuar në Hungari. "...Ne besojmë se muri artificial, fizik dhe shpirtëror që ekziston ende në botë, një ditë do të shembet kudo. Dhe kjo është shumë gjë e bukur. Të faleminderit, zotëri", ishte reagimi i Presidentit të SHBA. Ndërsa kohë më vonë, ai kujton: "Nuk e di, unë jam gjithsesi një lloj personi emotiv. Unë qaj me shumë lehtësi. Qava dhe atë ditë. Kisha lot në sy në atë kohë, kur më dhanë këtë simbol të fundit të Luftës së Ftohtë".
Në rezidencën e tij në Uajoming, James Baker, Sekretar i Shtetit zbuloi një miqësi të vërtetë me Eduard Shevardnadzen, ministër i Jashtëm sovjetik. Baker i konfirmoi Shevardnadzes se SHBA do të vepronin me kujdes në Evropën Lindore dhe nuk do të shfrytëzonin atje problemet sovjetike.
Vetë Baker kujton: "Ajo çfarë u arrit në Jackson Hole, mendoj se qe një atmosferë besimi. Në fakt, të gjithë në palën amerikane menduam se qe e rëndësishme që të ndihmoni\ Gorbacovin dhe Shevardnadzen, si dhe reformatorët në Bashkimin Sovjetik në çdo mënyrë që të mundeshim, për t'u mundësuar një ulje të butë. Lufta e Ftohtë nuk kish pse përfundonte me të shtëna".
Ndërkohë, në Kinën komuniste një seri kërkesash për të drejta njerëzore dhe demokraci kishin përfunduar në tragjedi. Në sheshin Tiananmen në Pekin, tanke dhe trupa kishin sulmuar demostrues paqësorë dhe i kishin masakruar. E gjithë bota u drodh. A mos do të përfundonin po kështu edhe reformat në Evropën Lindore?
Erich Honecker në Gjermaninë Lindore, admironte zgjidhjen kineze të protestave politike. Ai refuzonte të pranonte se shumë gjëra nuk shkonin me sistemin e tij. "U thashë se ishin përgjegjës për situatën në vendet e tyre", thotë Gorbaçovi. "Vendosni ju se çfarë reformash ju nevojiten. Kemi nevojë për perestrojkën. Nëse perestrojka ju duhet edhe ju, kjo varet nga ju vetë". Honeckeri u përgjigj: "Ne e kemi bërë perestrojkën tonë, nuk kemi asgjë për të ristrukturuar".
Por, në realitet Gjermania Lindore po kalbej. Ndotja, ajri dhe uji i helmuar; ekonomia po shkonte teposhtë; shteti policor mbyste të gjithë iniciativat. Në publik kishte apati, privatisht të gjithë ëndërronin.
Ulrike Poppe, një pjestar i opozitës së Gjermanisë Lindore, kujton: "Ishte një kamera e instaluar në ndërtesën përballë nesh, e cila ishte e drejtuar nga apartamenti ynë. Çdo fjalë që thoshim privatisht, çdo zënkë që kishim se kush duhej të lante enët, çdo debat me fëmijët dëgjohej, regjistrohej dhe mbaheshin shënime. Çdokush që hynte në shtëpinë tonë regjistrohej".
Atë verë, gjermano-lindorët rendën që të bënin pushimet në Hungari. Të gjithë ishin të kurdisur për t'u larguar. Kufiri i Hungarisë me Perëndimin po dobësohej. Në Budapest, gjermano-lindorët rrethuan ambasadën gjermano-perëndimore, duke kërkuar ndihmë për të emigruar.
Hans Dietrich Genscher, ministër i Jashtëm i Gjermanisë Perëndimore në atë kohë, thotë: "Dihej tashmë se çdo gjerman nga RDGJ që dëshironte të jetonte në liri dhe demokraci do të merrte gjithë mbështetjen prej nesh". Kancelari i Gjermanisë Perëndimore, Helmut Kohl, kishte besim tek Gorbaçovi. Kohli kish planifikuar të shpëtonte ekonominë hungareze, nëse gjermano-lindorët lejoheshin të shkonin në Perëndim. Ai besonte se Gorbaçovi nuk do ta pengonte marrëveshjen me hungarezët. Nga ana e tyre, hungarezët ranë dakord të lejonin gjermano-lindorët të shkonin në Perëndim. Refugjatët kishin udhëtuar nga Gjermania Lindore drejt Hungarisë, me shpresën për të shkuar në Perëndim. Por tani, me urdhër të Honecker, Gjermania Lindore kish bllokuar udhëtimin drejt Hungarisë. Të dëshpëruar, gjermano-lindorët e përgatitur për t'u larguar, ishin kthyer nga Çekosllovakia.
Shumë gjermano-lindorë vendosën të qëndrojnë dhe protestojnë. Kishat luterane po mbështesnin një lëvizje opozitare. Të frymëzuar nga Gorbaçovi, protestuesit po ëndërronin për një Gjermani Lindore në demokraci. Kujton Ulrike Poppe, pjestar i opozitës gjermano-lindore: "Gorbaçovi na dha shumë shpresë. Pikësëpari, ai u përpoq të ndryshojë vendin e tij në të njëjtën mënyrë si ne donim të ndryshonim vendin tonë, përmes perestrojkës - një liberalizim gradual".
Në Leipzig, policia kundërgoditi. Në 4 shtator, gazetarë të huaj filmuan agjentë të shërbimit të fshehtë të veshur civilë, që sulmonin protestuesit.
Shumë shpejt, u dëgjua thirrja që do të mbushte për shumë ditë rrugët: "Ne do të qëndrojmë këtu!" Jochen Lassig, një tjetër opozitar, kujton se "ajo thirrje ishte një protestë kundër asaj që kish bërë RDGJ: pra që kish detyruar të rinjtë të largoheshin nga vendi për arsye se nuk kishin të ardhme. Ishte një pikë kthese, sepse njerëzit thanë: Ne kemi ende shpresë".
Çdo të hënë në Leipzig kishte demostrata në kishën Nikolai. Këto shndërroheshin më pas në protesta masive. Policia përpiqej t'i ndalte, por qeveria po e humbte qetësinë. Gunter Schabovski, anëtar i byrosë politike të Gjermanisë Lindore thotë se "shkurt, ne ishim të pafjalë për arsye se ishim të pashpresë. Sepse ky vend dhe ky lidership nuk kish përjetuar asjëherë më parë një konflikt të shprehur në mënyrë kaq të hapur".
Vetëm Honecker dukej se nuk vërente asgjë që nuk shkonte. Në prag të 40-vjetorit të Gjermanisë Lindore atë tetor, ai ishte plot besim teksa priste me kolegun e tij, Egon Krenz, për të përshëndetur mysafirin e lartë, Mikail Gorbacov. Delegacioni sovjetik e dinte tashmë se regjimi gjermano-lindor po lëkundej. Megjithatë, shfaqja e festimeve fitimtarë vazhdoi. Më pas, në paradën me pishtarë të rinisë komuniste, marshuesit, në vend të slloganëve të përgatitur më parë, nisën të thërrasin njëzëri një tjetër emër: "Gorbi". Honecker bëri sikur nuk e vuri re.
Kujton Gorbaçovi: "Këta ishin të rinj të përzgjedhur me kujdes, të fuqishëm dhe të pashëm. Ishin në një gjendje të mirë humori, por në një çast, krejt papritur nisën të thërrasin: "Gorbi, na ndihmo! Gorbi, qëndro këtu!" Rakowski, lideri polak, erdhi tek ne dhe tha: A di gjermanisht? I thashë: Po, di pak. Më tha: A i dëgjon? I thashë: Po. Ai ma priti: Ky është fundi. Dhe ai ishte fundi: Regjimi kish marrë fund".
Egon Krenz, anëtar i byrosë politike të Gjermanisë Lindore thotë: Ishte një votëbesimi kundër nesh. Gorby, Gorby, nënkuptonte që ne duam ndryshim këtu në RDGJ".
Në një seri takimesh gjithnjë e më surrealë, Gorbaçovi u përpoq të injektojë një sens realiteti: "Honecker dhe unë kaluam thuajse 3 orë duke biseduar. Ai nuk mund ta kuptonte përse unë doja një takim. Por, ne patëm një bisedë serioze. I thashë se çfarë po bënim. Ai më tha se çfarë ata kishin bërë. Përshkroi gjithçka si një fitore pas tjetrës. Por unë i thashë: Mos harro që ai që mbetet prapa ngjarjeve, humbet".
Teksa liderët u takuan në pritjen e mbylljes së vizitës, një komplot po përgatitej kundër Erich Honeckerit. Një grup në byronë politike të Gjermanisë Lindore kish vendosur të përpiqej që ta hiqte qafe. Kujton Gunter Schabovski, anëtar i byrosë politike: "Nuk mund të hezitonim më për largimin e Honeckerit. Duhej të vepronim me shpejtësi. Dukej qartë se ai nuk e kuptonte atë që po ndodhte. Kish një qasje autokratike në lidhje me atë çfarë po ndodhte përreth tij. Nuk mund ta përballonte situatën".
Gjatë darkës me Gorbaçovin dhe liderët e vendeve të Paktit të Varshavës, Honecker qe një mikpritës i vetëkënaqur. Ndërkohë, jashtë ndërtesës po grumbullohej një turmë. Edhe këta thërrisnin: "Gorbi, na ndihmo!" Honecker po planifikonte që ta shtypte opozitën e re. Askush nuk e kish idenë se sa larg kish ndërmend të shkonte.
Ulrike Poppe thotë "se ekzistonte frika që do të mund të kishte një 'zgjidhje kineze' për problemin dhe se mund të përdoreshin armë. Nuk mund ta injoronim kurrë këtë mundësi. Ndonjëherë mendonim madje se mund të shfaqeshin tanke sovjetikë". Atë natë, demostratat në Berlin vazhduan. Herët atë ditë në Leipzig, autoritetet u përgatitën të përballeshin me armë me demostruesit. Natën, policia sulmoi dhe shpërndau protestuesit".
Por një protestë edhe më e madhe u paralajmërua për dy ditë më pas. Ushtria ishte në gatishmëri. Wolfgang Schade, gjeneral në ushtrinë e Gjermanisë Lindore, thotë se "ata kuptuan që nuk mund të kontrollonin më ngjarjet me forcën vetëm të policisë. Dëshironin të na përdornin ne për të rritur trysninë në këtë situatë". Teksa demostrata në Leipzig vazhdonte, liderët e Partisë Komuniste kuptuan se në rrugë kishin dalë 760 mijë njerëz. I alarmuar, ambasadori sovjetik i telefonoi komandantit të forcave sovjetike në rajon. "Ju urdhëroj që të urdhëroni menjëherë trupat të kthehen në kazerma. Kjo, e para. E dyta, ndalni gjithë manovrat. E treta, ndalni gjithë fluturimet e avionëve ushtarakë. Dhe në asnjë mënyrë mos ndërhyni në këto ngjarje".
Komunistët e Leipzigut iu lutën opozitës të fliste me ta. Më pas, pa urdhëra nga lartë, ata tërhoqën forcat e policisë dhe ushtrisë. Demostrata vazhdoi paqësisht. Për gjermano-lindorët, ky ishte momenti i kthesës.
Tashmë, Honeckerin e braktisën aleatët. Ai u votua për t'u larguar nga pushteti nga Egon Krenz dhe e gjithë byroja politike në 17 tetor. Kujton Frank Joachim Herrman, ndihmës i Honecker: "Ishte koha që ai të ikte. Do të kish qenë e pamundur për ne të dilnim nga kjo krizë e thellë me atë në krye". Tashmë, në krye ishte Egon Krenz. Ai premtoi reforma demokratike. I siguroi njerëzit se do ta bënte më të lehtë udhëtimin drejt Perëndimit për gjermano-lindorët.
Në 1 nëntor, Krenzi vizitoi Gorbaçovin në Moskë. Ai vetë kujton: "Ne folëm shumë hapur për çështjen e udhëtimit të lirë. Dhe ai më tha: Nëse nuk gjeni një formulë të re për të lejuar qytetarët e RDGJ që të udhëtojnë lirisht, atëherë nuk do t'i keni punët mirë".
Ambasadori sovjetik në RDGJ thotë se, "Egon Krenzit, fatkeqësisht, i mungonin cilësitë karizmatike. Ai nuk pranohej nga njerëzit; nuk ishte tërheqës për masat. Nuk mund të gjente fjalët për t'u folur njerëzve, sepse fliste vetëm me zhargonin e vjetër të partisë".
Më kot, Egon Krenz ofroi liri të tjera. Demostratat në rrugë sa vinin e zmadhoheshin, dhe ata kërkonin më shumë. Në 4 nëntor, në Berlinin lindor u grumbullua një turmë prej gjysmë milioni njerëzish.
Stefan Heym, shkrimtar gjermano-lindor, thotë: "Nëse jeton në një sistem që është shtypës, nuk ecën drejt, ecën gjithmonë disi anash, me kokën të ulur dhe tashmë të gjithë kishim një shans për të ecur me kokën lart dhe për të treguar fytyrën dhe fuqinë e njerëzve".
Në 9 nëntor 1989, Gunter Schabovski u tha gazetarëve në Berlin se do të hiqeshin kufizimet për në Perëndim. Qeveria synonte që ndryshimi të niste ditën tjetër.
Por Schabovski kish gabuar kohën. Kur u pyet: "A hyn në fuqi që tani?", ai u përgjigj: "Shokë, më thanë se është bërë tashmë një deklaratë. Në fakt, duhet ta keni. Sipas informacionit që unë kam, nga tani e tutje - menjëherë".
Lajmi bëri shumë shpejt xhiron e qytetit. Berlinezët nxituan të shohin nëse portat e Murit ishin hapur vërtetë. Rojet kufitarë mbetën të shushatur. Një prej tyre, Lothar Stein, kujton: "Ne nuk morëm udhëzime nga eprorët tanë, asnjë. Vetëm: Vëzhgoni situatën. U përpoqëm shumë herë të flasim me eprorët, por askush nuk na përgjigjej. Duhet të keni parasysh se këtë ditë, ashtu si gjithmonë, ushtarët tanë ishin të armatosur. Dhe ata kishin një urdhër".
Urdhëri ishte të ndalej kushdo që përpiqej të arratisej, por tashmë turmat ishin shumë të mëdha. Papritur, rojet u dorëzuan. Ata hapën dyert.
Monika Langeman, një banore e Berlinit lindor, kujton: "E pashë veten në mesin e një grupi njerëzish që po duartrokisnin.
Nuk e kuptova menjëherë përsenë. Më pas e kuptova. Isha vërtetë në Berlinin perëndimor dhe banorë të Berlinit perëndimor kishin ardhur në kufi dhe po duartrokisnin. Të gjithë po qanim dhe përqafonim njëri-tjetrin. Edhe tani që e mendoj, zemra më rreh fort. Ishte moment aq prekës".
Nga drejtimi tjetër vinin banorët e Berlinit perëndimor. Conny Hanschmann, banore e Berlinit perëndimor kujton: "Mbizotëronte një ide e vetme. Tani na duhej të hiqnim qafe Murin. Çdokush kishte arsye të ndryshme. Për mua ishte se kisha të afërm në anën tjetër, të cilët nuk kisha mundur t'i takoja. Kur kujtoja njerëzit e mi dhe mendoja që ndoshta nuk do t'i shihja më gjallë, më mbulonte zemërimi. Ishte kaq çliruese të bëje diçka kundër Murit".
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, George Bush, kujton për ato momente historikë: "Ishte diçka shumë emocionale për mua, por më duhet të rrëfej se nuk doja të reagoja në mënyrë të tepruar. Gjëja më e trashë që një President do të kish bërë në atë kohë, do të kish qenë të shkonte atje, të vallëzonte në Murin e Berlinit dhe të fuste gishtërinjtë mu në sytë e ushtrisë sovjetike dhe Gorbaçovit. Kush e di se si do të kishin reaguar ata?"
Ndërsa vetë Gorbaçovi kujton: "Mëngjesin tjetër mora një telefonatë. Më thanë se çfarë kishte ndodhur. U thashë: Keni marrë vendimin e duhur, sepse si do të mund të kishit qëlluar kundër gjermanëve që kalonin kufirin për të takuar gjermanë që ndodheshin në anën tjetër? Pra, politika duhej të ndryshonte".
Përgjatë këtij Muri, dy botë kishin qëndruar të armatosura përballë njëra-tjetrës. Tashmë, armiqësia mes tyre qe hedhur në koshin e plehërave të historisë. Gjermania do të ribashkohej. Ndërsa Evropa do të vazhdonte edhe për pak betejën e saj kundër komunizmit.


Flet James A. Baker, Sekretar i Shtetit i SHBA në kohën kur po merrte fund Lufta e Ftohtë
Fundi i paqtë ishte arritje e madhe
- Z. Baker, si Sekretar Shteti ju drejtuat në një kohë kur Lufta e Ftohtë përfundoi në mënyrë paqësore. A ishte pashmangshmërisht e qetë dhe paqësore ajo periudhë?
Nuk mendoj se ishte e pashmangshme. Sigurisht, nuk ishte e pashmangshme për ne që qemë aty në atë kohë. E kam thënë edhe në kujtimet e mia për 4 vitet si Sekretar Shteti se, një prej arritjeve më të mëdha të Presidentit Bush, Nr. 41, që historianët do ta theksojnë gjithnjë e më shumë me kalimin e kohës, ishte se Lufta e Ftohtë përfundoi në mënyrë paqësore, pra që përfundoi me një rënkim dhe jo një shpërthim. Dhe në atë kohë, nuk kishte aspak siguri për këtë. Dhe nëse e mbani mend, ne refuzuam të hedhim valle në rrënojat e Murit të Berlinit, sepse në fund të fundit, bota siç e kishim njohur në jetën tonë si të rritur kish ndryshuar në ato 40 vite. Të gjithë akuzuan Bushin se nuk tregoi emocion. Ai nuk festoi më shumë sepse e dinte që nuk duhej të fusnim gishtërinjtë në sytë e Gorbaçovit dhe sovjetikëve, për arsye se sërish do të kishim të bënim me ta.
- A nuk u tunduat ta shihnit pak vëngër?
Dikur kam thënë se nuk mund të praktikosh politikën e jashtme, apo nuk mund të formulosh dhe implementosh një politikë të jashtme sipas parimeve të Nënë Terezës. Shumë keq që kjo nuk mund të ndodhë. Por, nëse do të mundeshim, do të kishim shkuar në Ruandë. Nëse mundeshim, do të shkonim në Darfur dhe do të kishim parandaluar atë genocid, sepse ne jemi i vetmi vend në botë që kemi aftësinë ushtarake për ta bërë. Por populli amerikan nuk do ta toleronte shumë gjatë. Sigurisht u tunduam. Ishte diçka e madhe. Për 40 vite ne luftuam atë luftë. Por Presidenti Bush na e bëri të qartë se do të kemi të bëjmë me ta, në asnjë mënyrë nuk duhet të gëzojmë mbi atë Mur.
- Çfarë mund të thoni për bashkimin e Gjermanive? Ajo ishte një arritje diplomatike. Na flisni pak për të dhe domethënien e saj.
Bashkimi i Gjermanive ndodhi për shkak të lidershipit të Shteteve të Bashkuara. Sepse kur e mendoni, ne na u desh të kundërshtojmë miqtë tanë, britanikët, na u desh të kundërshtojmë miqtë dhe aleatët tanë, francezët dhe na u desh të kapërcejmë rezistencën serioze të Bashkimit Sovjetik, për të përfituar nga ajo që ishte vërtetë një hapësirë shumë e ngushtë për të bashkuar Gjermaninë në paqe dhe liri si anëtare e Organizatës së Atlantikut të Veriut. Në atë kohë pati një farë shqetësimi se Gjermania mund të bëhej neutrale, pra ndoshta Gjermania Lindore mund të përshtaste një qëndrim neutral, apo madje edhe mund të anohej nga Lindja. Dhe Margaret Thatcher e François Mitterrand nuk ishin aspak entuziastë për ribashkimin e Gjermanisë, sepse mendonin që historia do të përsëritej. Fatmirësisht, historia nuk është përsëritur dhe ajo që bëmë qe gjëja e duhur. I kushtoi shumë popullit gjerman, sepse Helmut Kohl vendosi ta bëjë sipas parimit "një me një", sa i përket monedhës. Por politikisht, ishte gjëja e duhur.
- Sa eksplicitë ishin kur kujtonin historinë, si argument që Gjermania nuk duhej lejuar të bashkohej?
Nuk mund të mbaj mend shembuj të veçantë bashkëbisedimesh, por kjo ishte ajo çfarë i shqetësonte. Por tani mbaj mend Shevarnadzen, ministrin e Jashtëm të Bashkimit Sovjetik, i cili më tha se një vëlla ia kishin vrarë nazistët dhe se ishte i shqetësuar për atë që mund të ndodhte.
- Dhe sa mirënjohës duhet t'i jemi Gorbaçovit për gjithë këtë?
Mendoj se historia do ta trajtojë shumë mirë Gorbaçovin. Ai është ende një njeri "i flakur" në vendin e tij, por unë them se dy njerëz që historia do t'i trajtojë shumë mirë në palën sovjetike janë Gorbaçovi dhe Shevarnadze. Ky i fundit qëndroi shumë gjatë kur u rikthye në Gjeorgji. Ishte gabim. Sa herë e takoja në atë kohë, i thosha: "Eduard, mos qëndro gjatë. Jeta pas politikës është e mrekullueshme!" (Qesh). Por ai qëndroi gjatë dhe e dëbuan. Por ishin këta të dy që vendosën se nuk do të përdornin forcën për të mbajtur të bashkuar perandorinë sovjetike. Dhe pikërisht forca e kish mbajtur atë gjithë ato vite. Dhe kur ata bënë llogarinë, ky ishte momenti që mundësoi fundin paqësor të Luftës së Ftohtë.
- Ju menaxhuat në mënyrë brilante bashkimin e Gjermanisë - madje arritët të bëni për vete edhe disa miq në ish-Bashkimin Sovjetik. Si ia dolët, duke krijuar më pas edhe themele të fuqishëm për NATO-n?
Duhet të kujtoni se në administratën e Bushit të parë ne kishim avantazhin që ishim aty kur u shemb komunizmi duke menaxhuar Luftën e Ftohtë në mënyrë efektive dhe paqësore. Dhe të gjithë donin të afroheshin me Shtetet e Bashkuara. Kështu që, ne kishim shumë mbështetje dhe shumë forcë dhe këtë e përdorëm. Dhe e përdorëm me efektivitet për të bindur evropianët që ishte në interesin e tyre që kjo të ndodhte. E kam thënë se nuk e dinim nëse Gjermania do të ecte përpara, do të anohej në Lindje drejt Rusisë, apo do të bëhej asnjanëse. Një Gjermani neutrale në zemër të Evropës nuk do të kish qenë një gjë shumë e mirë. Gorbaçovi dhe Shevarnadze morën një vendim themelor për të mos e mbajtur perandorinë me përdorim të forcës. Kështu që, i lanë të lirë gjermano-lindorët. Dhe një nga arsyet përse pamë një fund paqësor të Luftës së Ftohtë dhe bashkim të Gjermanisë, ishte sepse popujt e vendeve të marrë peng kishin kohë që luftonin për lirinë. Një nga gjërat që u thamë evropianëve ishte: "Si ka mundësi që kemi dalë për 40 vjet me radhë dhe kemi folur për ribashkim të Gjermanisë dhe për liritë e popujve në Evropën Lindore dhe Qëndrore dhe tani të mos ua japim kur ka ardhur koha?"


Refleksione/"Deutschland, Deutschland!"
Bettina Lüscher
Eshtë e kollajtë të thuash se e dije që do të ndodhte rënia e Murit të Berlinit. Por po të tregohesh i ndershëm, duhet të pranosh se as që e kishe idenë. Rënia e Murit? Bashkimi i Gjermanive? Tingëllonte e paimagjinueshme. Po, ne e dinim se Gorbaçovi kishte paralajmëruar homologët e tij gjermano-lindorë me një sentencë të vjetër: "Ai që vjen me vonesë, e dënon jeta". E dinim që ishte perestrojka dhe glaznosti në ish-perandorinë e së keqes. E dinim që gjermano-lindorët po bëheshin gjithnjë e më të guximshëm në kërkesat e tyre për ndryshim. Por ai Mur i shëmtuar, që gjarpëronte nëpër lagjet e Berlinit, dukej i pamposhtshëm.
Ndoshta pas disa vitesh, pas disa dekadash, por jo tani. Në pasditen e vonë të 9 nëntorit 1989, zyrtari i qeverisë së Gjermanisë Lindore, Gynter Schabovski, lexoi nga një copë e vogël letre në një konferencë për shtyp se, dokumentet e udhëtimit nuk ishin më të nevojshëm për gjermano-lindorët që dëshironin të udhëtonin në Perëndim. Ne gazetarët pamë me mosbesim njëri-tjetrin. Po ndodh ajo që mendojmë? Mund të largohet gjithkush? A është hapur Muri?
Nuk ndihej si një faze e re e Ostpolitikës. Nuk ishte një fazëe e re e Luftës së Ftohtë. Ishte shumë më imediate. Shumë më e fortë. Gëzim. Hare. Lumturi. Kuriozitet. Konfuzion. Pasiguri. Frikë.
Gjatë javëve dhe muajve të mëparshëm, një lëvizje pakënaqësie qe bërë më e dukshme në Gjermaninë Lindore. Nisi me grupe të vegjël disidentësh, u ushqye nga kishat dhe shpërtheu në atë verë të nxehtë të 1989 me arratinë e qindra gjermano-lindorëve në ambasadat e Gjermanisë Perëndimor e në bllokun lindor.
Nëse bota nuk e kish kuptuar se ndryshimi qe në ajër në Lindje, tashmë mund ta shihte në televizion. Hof, një qytet në anën perëndimore të kufirit gjermano-gjerman, do të mbahej mend si një prej ndalesave të para që bëmë ne gazetarët në turin tonë të shoqërimit të shembjes së perandorive socialiste, të lulëzimit të demokracive të reja.
Treni i mbushur me refugjatë gjermano-lindorë mbërriti në stacionin e zymtë të Hofit - fytyra të lodhura shfaqeshin nga dritaret, duke fshirë lotët, duke përshëndetur me duar gazetarët, duke thirrur: "Deutschland, Deutschland." Na u duk shumë e çuditshme të gjithëve ne, gjermano-perëndimorëve që ndodheshim në atë platformë.
Deutschland, Deutschland? Ishte një tingull i ri, një thirrje e pazakontë, e dëgjuar ndoshta ndonjëherë në lojrat ndërkombëtare të futbollit, por jo kështu! Nuk ishim krejt të sigurtë se çfarë donte të thoshte: Liri? Një vend në vend të dy? Shpresë? Premtim? Apo një nacionalizëm i ri?
Një javë më vonë, Leipzigu ishte vendi që tronditi nga themelet qeverinë në Berlinin Lindor. Në fillim qindra, e më pas mijëra e deri dhjetëra mijëra gjermano-lindorë marshuan për lirinë, për ndryshimin. Të armatosur me videokamera të fshehura, rrjetet televizivë perëndimorë zbritën çdo të hënë në atë qytet, duke filmuar ato momente pakënaqësie civile. Protestuesit ishin të jashtëzakonshëm. Protestuesit shihnin agjentët me veshje ngjyrë gri dhe thërrisnin: "Poshtë Stasi, poshtë Stasi... Stasi në minierat e qymyrit". Nuk ishin më të frikësuar.
Ishte e guximshme, rebeluese, frymëzuese. Ne nxituam në Berlin dhe kaluam pikat kufitare me kasetat tona të vogla të kamerave për të ushqyer të gjithë botën me pamje përmes satelitit. Me fillimin e nëntorit, nuk e kishim më problem që të kalonim fshehtësisht ato kaseta sërish në Berlinin Perëndimor. Kanali televiziv shtetëror i Gjermanisë Lindore po i transmetonte direkt ato "demostrime të të hënave". Erich Honecker ish larguar. Berlini Lindor qe një qytet që ziente. Në 4 nëntor, qindra mijëra protestues marshuan në Sheshin Aleksandër. Donin një tjetër qeveri. Ata tallnin kreun e ri të shtetit. Egon Krenz, i famshëm për ngërdheshjen e tij, krahasohej me ujkun tek "kësulkuqja". Në një banderolë gjigande shkruhej: "Përse buzëqesh ky njeri?"
Folën disidentë, folën shkrimtarë. Foli edhe një spiun. Markus Wolf iu drejtua masave. Kryespiuni i famshëm - dikur i etiketuar "Njeriu pa fytyrë" nga agjensitë e huaja të spiunazhit - dëshironte të shihte nëse kish një qoshe për të në këtë lëvizje. Por populli nuk i donte më ata njerëz. Donin diçka të re. Po çfarë? Dhe si? Atmosfera ishte e ndryshme nga ajo në Leipzig. Këtu ishte e zymtë, më e organizuar, më e rregullt. Mund të ndieje se njerëzit qenë të shqetësuar për të ardhmen e tyre. Nuk kishte aq hare sa në Leipzig. Ishte një atmosferë e mbushur me shqetësim se mos situata dilte jashtë kontrolli - bashkë me vetëdijen se ishte më e lehtë t'i kundërviheshe një regjimi, se sa të përpiqeshe ta ndryshoje atë. Dhe në çfarë ta ndryshoje?
Nuk kishte një lëvizje ta bashkuar. Fraksione të ndryshëm kërkonin një shumëllojshmëri gjërash: Socializëm të ri. Bashkim me Perëndimin. Për momentin, një shtet gjermano-lindor të veçantë. Në asnjë mënyrë, një bashkim.
Pesë ditë më vonë, kish marrë fund. Muri ishte hapur. Berlinezët kërcenin mbi Mur, godisnin Murin, puthnin të panjohur në Mur, ngisnin makinat e tyre përmes të çarave të Murit. Kish marrë fund. Rrjetet televizivë ndërtonin platforma me Murin në sfond, transmetonin drejtpërdrejtë skenat ashtu si ndodhnin, transmetonin një speciale pas tjetrës në gjuhët e të gjithë botës.
Ishte lajmi i jetës. Pasi kisha punuar për 30 orë me radhë përpara Portës së Brandenburgut, u ula në platformën tonë televizive (CNN) në orën pesë të mëngjesit, duke renditur shënimet, kabllogramët dhe kasetat filmike.
Në atë çast mu afrua një burrë rreth të tridhjetave. Ai po shihte pa i hequr sytë nga pajisjet e teknologjisë së lartë me të cilat qarkullonte media perëndimore. Po shihte të gjithë telefonat që kishim organizuar disa orë pas rënies së Murit. "Hmm", tha. "ndonjëherë na është dashur të presim edhe dhjetë vjet për një telefon".
E pashë edhe një herë me atë shprehjen gjermano-perëndimore, disi fajtore që kisha qenë më e pasur, më me fat, më e lumtur. Ai buzëqeshi dhe tha: "Kalofsh një ditë të mirë".
"Danke, edhe ju gjithashtu!" iu përgjigja. Ai përshëndeti me dorë dhe u largua. Drejt Perëndimit.


Historia e fjalimit të famshëm të Ronald Reaganit në 1987, i cili ishte lajmëtari i parë i shembjes së Murit të Berlinit dy vjet më vonë, në nëntor 1989
"Z. Gorbaçov, hidhe përtokë atë Mur!"
Peter M. Robinson
Kohë më parë, një producent televiziv shfaqi dëshirën të më intervistonte me rastin e një përvjetori të fjalimit që Presidenti Ronald Reagan mbajti përpara Murit të Berlinit, një fjalim që e kam shkruajtur unë. U takuam në Librarinë Presidenciale "Ronald Reagan" në Simi Valley, California, me qëllim që intervista të filmohej duke patur në sfond dokumente realë. Kisha shumë dëshirë të shihja dokumentet, pas një dekade: dy draftet e mi të fjalimit, si dhe shënimet dhe draftet alternativë që qarkullonin kur Departamenti i Shtetit dhe Këshilli Kombëtar i Sigurisë kishin dërguar me aq shumë përçmim dhe furi, ndaj asaj që unë kisha shkruar. Në fund të fundit, ky ishte qëllimi i librarive presidenciale, të ruanin të paprekur historinë e aspekteve të vegjël por shumë të rëndësishëm të administratave, dokumentet e të cilave mbajnë.
Nuk kisha fat. Ishin të pranishme dy dosje të trasha, secila me dhjetëra faqe, por ato ishin dokumente që kish grumbulluar studiuesi që punoi bashkë me mua për fjalimin. Tregonin shumë gjëra për çfarë kish ndodhur - unë e kisha harruar që njëri nga ata të Këshillit të Sigurisë kish kundërshtuar kaq shumë disa faqe, saqë kish zhgarravitur në mënyrë të përpiktë çdo fjalë. Por, dosja ime mungonte. "Nuk na u dërgua asnjëherë nga Shtëpia e Bardhë", më tha një pjesëtar i stafit të librarisë.
Në amfiteatrin e vogël të librarisë, një çift të moshuarish po shihnin një film të shkurtër: Presidenti Reagan shfaqej në një platformë ngjyrë blu. Pas tij, përmes një dritareje pleksiglasi mund të shihje Murin e Berlinit. Mbi të ngriheshin kolonat e Portës së Brandenburgut. Presidenti drejton nofullën. Flet me një zemërim të kontrolluar, por të sinqertë - pak çaste para se të mbante fjalimin, ai kishte mësuar se në Berlinin Lindor, në anën tjetër të Murit, një turmë ishte mbledhur për ta dëgjuar. Por policia i kishte shpërndarë me dhunë. Ai i shqipton me shumë kujdes fjalët që nxjerr, me qëllim që katër fjalët e tij të fundit të tingëllojnë si goditje çekani: "Z. Gorbaçov, rrëzoje këtë Mur!"
Puna ime me atë fjalim ka qenë më e spikatura e të gjithë karrierës time profesioniste. M'u desh një betejë monumentale për të mbërritur deri në momentin kur Presidenti Reagan mund të shqiptonte ato fjalë, që tingëllonin imagjinare edhe në kohën që i shkruajta - fjalë që më pas u shndërruan lavdishëm në realitet pas dy vitesh e gjysmë (ndonëse nuk ishte Gorbaçovi që e shembi). Fjalimi në Murin e Berlinit është vetëm njëri prej dhjetërave që ka mbajtur Reagani - fjalimi në Westminster, fjalimi për "perandorinë e së Keqes", fjalimi në Universitetin Shtetëror të Moskës. Por historianët do të kenë vështirësi në saktësimin e historisë së fjalimit në Murin e Berlinit dhe jo vetëm sepse dokumentet janë zhdukur. Që kur u shemb Muri, njerëzit që ishin në qeveri dhe pranë saj në atë kohë, kanë kërkuar të kenë meritën në një pjesë apo fjalimin e plotë. Në Evropë, shumë artikuj ia kanë atribuar John Kornblumit, një zyrtar karriere në shërbimin e jashtëm, i cili në fakt qe totalisht kundër tij.
Nuk e shkruajti Kornblum. Dhe në disa drejtime shumë të rëndësishëm, nuk e shkruajta as unë. Fraza kyç erdhi në fakt nga një grua që takova gjatë një darke dhe fraza mbeti në fjalim vetëm për meritë të Ronald Reaganit.
Në maj të vitit 1987, kur m'u ngarkua detyra e hartimit të fjalimit, Mbretëresha Elisabetë kish vizituar tashmë Berlinin me rastin e 750-vjetorit të tij dhe pritej që pas pak ditësh ta vizitonte edhe Gorbaçovi. Në Uashington më kishin thënë vetëm se Presidenti do të mbante fjalimin përpara Murit të Berlinit dhe se pritej që ai të fliste për afro 30 minuta. Në Berlin, bashkë me ekipin e Shtëpisë së Bardhë më nevojitej material dhe unë e kisha gati kompjuterin portativ kur takova Kornblum, diplomatin amerikan në qytet.
Kornblum, një njeri truplidhur, me syze, m'u shfaq i paduruar. Fliste me shpejtësi. Shihte vazhdimisht lart, a thua kërkonte në dhomë një pjestar më të rëndësishëm të ekipit me të cilin duhej të fliste. Komentet e tij ishin pak a shumë këta: "Berlini është më i majti nga të gjithë qytetet gjermano-perëndimorë. Ji i sofistikuar. Mos lejo që Reagan të sulmojë sovjetikët. Mos përmend Murin. Berlinezët janë mësuar me të. Përmend përpjekjet e amerikanëve për të bindur gjermano-lindorët që të lejojnë më shumë rrugë ajrore drejt Berlinit Perëndimor. Flit për mbështetjen e amerikanëve që Berlini Perëndimor të organizojë Olimpiadën".
Këtu në Berlin, ku konflikti mes botës komuniste dhe Perëndimit ishte më i dukshëm, Kornblum po më thoshte se Reagani duhej të fliste vetëm për disa nisma të vogla diplomatike.
Atë mbrëmje darkova me një grup berlinezësh perëndimorë në shtëpinë e Dieter Elz, një zyrtar i Bankës Botërore tashmë në pension. Isha i vetmi amerikan i pranishëm dhe duke patur në mendje atë që më kish thënë Kornblum, u thashë: "A është e vërtetë? Jeni mësuar me Murin?"
Pati disa caste heshtje totale. Ata panë në sy njëri-tjetrin, sikur të donin të vendosnin se kush do të fliste i pari. Më pas, foli një burrë. "Ime motër jeton 20 milje në atë drejtim", më tha, duke treguar me krahun e shtrirë. "Por unë kam më shumë se dy dekada që nuk e kam parë. Mendon se mund të mësohem me këtë gjë?" Më pas foli një tjetër. Rrugës për në punë, më shpjegoi, kalonte nga një kullë rojash. I njëjti ushtar e shihte me dylbi çdo mëngjes. "Ai flet të njëjtën gjuhë si unë. Ndajmë të njëjtën histori. Por, njëri nga ne është kafshë dhe tjetri një rojë në kopshtin zoologjik dhe unë nuk jam asnjëherë i sigurtë se kush është kush".
Zonja e shtëpisë, Frau Elz, ndërhyri menjëherë. Ajo qe një grua shumë e këndshme, në mesin e të pesëdhjetave, por qe shumë e zemëruar në ato momente. Mblodhi grusht njërën dorë dhe e përplasi në pëllëmbën e dorës tjetër. "Nëse ky njeri, Gorbaçov, e ka seriozisht kur flet për glaznostin dhe perestrojkën, mund ta vërtetojë. Të heqë qafe Murin".
Kur u ktheva në zyrë, përshtata fjalët e Frau Elz për Gorbaçovin, duke i shndërruar në pasazhin qëndror të fjalimit. Dy javë më vonë, pas dy drafteve, ne që shkruanim fjalimet u mblodhëm me Presidentin Reagan në Zyrën Ovale. Tom Griscom, drejtor i Departamentit të Komunikimit, pyeti Presidentin në lidhje me komentet e tij për fjalimin në Berlin. Presidenti tha thjesht se i pëlqente. Griscom ma bëri me kokë.
"Zoti President", i thashë, "mësova në Gjermani se fjalimi juaj do të dëgjohet në radio në të gjithë Gjermaninë Lindore. Në varësi të kushteve të motit, mund të dëgjohet madje deri në Moskë. A ka ndonjë gjë që dëshironi t'u thoni njerëzve përtej Murit të Berlinit?"
"Eshtë ai pasazhi për shembjen e Murit", tha Regan. "Muri duhet të bjerë. Këtë dua të them".
Fjalimi u qarkullua në Departamentin e Shtetit dhe në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, 3 javë para se të mbahej. Për tre javë, u luftua në të dy këto institucione. Ata argumentuan se qe i ashpër. Pretenduan se ishte provokues. Vlerësuan se pasazhi për Murin kulminonte në një hile zemërgur, një që do të rriste më kot shpresat e berlinezëve. Pati telefonata, memorandume dhe takime. Ata paraqitën draftet e tyre - me sa mbaj mend, ishin shtatë - një prej të cilëve u hartua nga Kornblum. Në secilin prej tyre mungonte thirrja drejtuar Gorbaçovit për të shembur Murin.
Kjo gjë i shkaktoi një problem Tom Griscomit. Nga njëra anë, ai kishte objeksione për fjalimin nga thuajse i gjithë aparati i politikës së jashtme në qeverinë e SHBA. Nga ana tjetër, kishte Ronald Reaganin. Presidentit i pëlqeu fjalimi. Griscom e klish dëgjuar me veshët e tij. Presidentit i pëlqente në mënyrë të veçantë ai pasazhi ku flitej për shembjen e Murit, pikërisht ajo pjesë e fjalimit të cilës i kundërviheshin më me zell ekspertët e politikës së jashtme. Nëse ai pasazh hiqej, do të ishte detyrë e Griscom t'ia shpjegonte përsenë Presidentit.
Javën para nisjes së Reaganit, beteja arriti kulmin. Sa herë që Departamenti i Shtetit apo KSK nxirrte një objeksion të ri për fjalimin, Griscom më thërriste në zyrën e tij, ku më kërkonte që t'i përsërisja edhe njëherë përse isha i bindur që Departamenti i Shtetit dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare gaboheshin për fjalimin, ashtu si e kisha shkruajtur unë. (Në një prej këtyre rasteve, Colin Powqell, Këshilltar për Sigurinë Kombëtare, po më priste në zyrën e Griscom. I qëndrova bindjes aq fort sa munda). Dukej qartë se Griscom po priste për një kundërshtim, që do të ishte bindës edhe për Ronald Reaganin. Nuk e dëgjoi asnjëherë. Kur Presidenti u nis për në samitin e Venecias, mori me vete fjalimin që kisha shkruajtur unë.
Edhe në mëngjesin kur Air Force One u nis nga Venecia për në Berlin, Departamenti i Shtetit dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare bënë edhe një përpjekje të fundit për të bllokuar fjalimin, duke dërguar edhe një tjetër draft alternativ. Griscom vendosi të mos e dërgojë në kabinën e Presidentit. Disa orë pas uljes së Air Force One në Berlin, Reagani mbajti fjalimin e famshëm.
Ekziston një shkollë mendimi, sipas të cilës Ronald Reagani arrinte të dukej mirë vetëm sepse kishte shkrimtarë të zgjuar në krahun e tij. (Ndoshta eksponenti kryesor është ish-kolegia ime Peggy Noonan, e cila ndërsa ishte ende fjalimishkruese e Reaganit u shfaq në një artikull reviste nën një titull që thoshte pikërisht këtë gjë: "Gruaja që vendos fjalët në gojën e Presidentit"). Ka një problem themelor ky lloj opinioni. Jimmy Carter, Walter Mondale, George Bush dhe Bob Dole kishin fjalimshkruesë shumë të mençur. Përse asnjëri prej tyre nuk ishte Komunikuesi i Madh?

Sepse ne, fjalimshkruesit nuk po krijonim reaganin; ne po "rrëmbenim prej tij". Politikat e Ronald Reaganit ishin të drejtpërdrejta - ai kish dekada që i artikulonte. Kur Departamenti i Shtetit dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare nisën të përpiqen të bllokojnë draftin tim, ata dobësuan kauzën e tyre. Drafteve të tyre u mungonte guximi. Nuk përçonin asnjë ndjesi bindjeje. Ata nuk kishin "vjedhur" ashtu si unë, nga Frau Elz - dhe nga Ronald Reagan.