Merkel është pranë fitimit të mandatit të tretë, por gjërat nuk janë tërësisht të thjeshta. Asaj mund t’i duhet të bëjë koalicion me një parti antieuro apo të hyjë në një koalicion të madh me qendrën e majtë
Zgjedhjet në Gjermani
Është goxha e sigurt se asnjë parti nuk do të fitojë numër të mjaftueshëm deputetësh në Parlamentin e Gjermanisë Bundestag për të siguruar qeverisjen më vete në zgjedhjet që do të zhvillohen të dielën.
Kushto që del i pari do të duhet të qeverisë në një koalicion me parti të tjera. Kjo ka ndodhur në çdo Parlament të epokës së pasluftës në Gjermani dhe askush nuk mendon se këtë herë situata do të jetë ndryshe.
Për momentin, qeveria është formuar në koalicion mes Kristiandemokratëve, (CDU) dhe partisë më të vogël Demokratët e Lirë (FDP). FDP është një parti me fuqi veçanërisht në landin e pasur të Bavarisë, ku shumë njerëz pëlqejnë të kenë një identitet të veçantë nga gjermanët.
Së bashku, CDU dhe FDP kanë 332 deputetë. Opozita ka 290 deputetë dhe përbëhet nga Socialdemokratët, SPD, të gjelbrit dhe ajo që ka mbetur nga e dikurshmja Partia Komuniste e Gjermanisë Lindore sot me emrin Die Linke.
Ka katër skenarë të mundshëm.
Skenari i parë është një koalicion i ngjashëm
Koalicioni aktual ka shanse të mira për të fituar një mandat të ri – dhe në këtë rast, qeveria e Angela Merkel do të vijojë të lundrojë si më parë. Por ka disa re në horizont për Kancelaren. Këto re përfaqësojnë popullaritetin në rënie të aleatit të vogël FDP. Kjo parti në zgjedhjet e vitit 2009 ka marrë 15 për qind të votave, por sondazhet tashmë tregojnë se ajo mund të marrë rreth 5 për qind.
Përveç rënies drastike në preferenca, problemi është se nëse FDP merr më pak se 5 për qind të votave, ajo nuk merr asnjë deputet. Në Gjermani pragu për t’u llogaritur në ndarjen e mandateve është 5 për qind. Aktualisht, kjo parti ka 93 deputetë. Në rast se skenari i parë realizohet, pra Merkel dhe FDP marrin mazhorancën, sërish do të duhet të diskutohet roli i FDP në qeveri, i cili do të jetë dukshëm më i vogël.
Koalicion i Kuq dhe i Gjelbër
Nëse koalicioni aktual dështon, mundësia tjetër është qeverisja nga koalicioni mes “të kuqes dhe jeshiles” pra Partisë Socialdemokrate dhe mjedisorëve të gjelbër. Udhëheqësit e të gjelbërve kanë hedhur poshtë sugjerimin për ndonjë koalicion të mundshëm me kristiandemokratët, ndërsa kanë dhënë shenja bashkëpunimi me socialdemokratët. Gjithsesi, sondazhet parazgjedhore tregojnë se votuesit nuk kanë ndër mend të zgjedhin këtë koalicion. Deputetët e tyre nuk do të jenë të mjaftueshëm.
Por a mund të ndihmojë këtu Die Linke? Kjo parti është trashëgimtare e komunistëve, megjithëse ka hequr dorë nga politikat e ekstremit të majtë dhe e paraqet veten si një parti demokratike e krahut të majtë. Posterat e saj elektoralë këmbëngulin se partia nuk kërkon një revolucion.
Problemi këtu është që socialdemokratët e qendrës së majtë kanë përjashtuar mundësinë e bashkëqeverisjes me Die Linke. Ky refuzim mund të jetë çështje e llogarive parazgjedhore – SPD mund të humbasë më shumë vota nga sa mund të fitojë duke shpallur një koalicion parazgjedhor. Kjo mund të ndryshojë, pasi zgjedhjet të kalojnë, por ka pak gjasa.
Koalicion i madh
Në Gjermani nuk ka qenë e pazakontë që dy partitë e mëdha të krijojnë një “koalicion të madh” dhe të qeverisin së bashku. Ka ndodhur në të shkuarën që Qendra e Djathtë dhe Qendra e Majtë janë bashkuar në një Koalicion të Madh. Herën e fundit diçka e tillë ka ndodhur në vitin 2005. Kreu aktual i SPD, Peer Steinbrueck, qe në atë kohë ministër i Financave i Kancelares Angela Merkel.
Këtë herë, Steinbrueck ka thënë se nuk do të marrë pjesë në një Koalicion të Madh. Gjithsesi, partia e tij nuk e ka përjashtuar si mundësi, pra mbetet një skenar real, megjithëse pa kreun e partisë.
Karta e batakçiut
Ka një kartë ekstreme në të gjithë këtë lojë dhe kjo kartë është Partia Alternativa për Gjermaninë. Partia e vetme antieuro në Gjermani është refuzuar si një subjekt me shanse zgjedhore nga media kryesore e Gjermanisë, por ka disa që mendojnë se mbështetja për të nëpër sondazhe është e nënçmuar. Kjo parti ka një farë shansi të kapë pragun prej 5 për qind, në dëm kjo të Merkel, nga ku vijnë edhe pjesa më e madhe e votave. Kjo mund të jetë me të vërtetë një tronditje politike në Gjermani.
Nëse kjo parti fiton deputetë, aleati i mundshëm do të jetë CDU, por kjo mund të jetë një martesë e vështirë. Alternativa do të jetë shumë më e egër në kundërshtimin e paketave të ardhshme të shpëtimit në Eurozonë. Ata kanë edhe një mosmarrëveshje thelbësore mbi politikën ekonomike të jashtme: Alternativa dëshiron që euro të shpërbëhet ndërsa CDU është betuar ta mbajë. Nëse Alternativa fiton deputetë për herë të parë, zëri i saj skeptik do të marrë një platformë të madhe në debatet mbi Europën.
Sondazhi i fundit
Sipas “Dojce Welle”, Merkel pritet të marrë 38 për qind të votave në zgjedhjet e së dielës, pasuar nga socialdemokratët me 28 për qind. Merkel ka humbur gjatë ditëve para zgjedhjeve, ndërsa e majta ka fituar. Të gjelbrit pritet të marrin 8 për qind. Demokratët e Lirë FDP rezultojnë me 6 për qind, gjithsesi shumë pranë pragut përjashtues prej 5 për qind dhe ndihen të pasigurt.
Historia
Rezistenca antinaziste, rrënjët e kristiandemokratëve
Partia Kristiandemokrate e Gjermanisë u themelua në Berlin menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore dhe rënies së diktaturës naziste. Ajo doli nga një seri takimesh që u kryen njëkohësisht, por pa lidhje me njëra-tjetrën dhe që synonin themelimin e një partie me prirje demokratike dhe kristiane. Në Berlin, më 26 qershor 1945, u krijua “Christlich-Demokratische Union”, e cila u zgjerua në Rienland dhe Vesfalen në shtator.
Anëtarët themelues të CDU qenë kryesisht ish-anëtarë të Partisë Centriste, Partisë Demokratike Gjermane, Partisë Kombëtare Popullore dhe Partisë Popullore. Shumë nga këta individë, përfshirë themeluesin e partisë në Berlin, Andreas Hermes, si dhe kancelarin e ardhshëm, Konrad Adenauer, qenë burgosur si pjesë e rezistencës gjermane gjatë diktaturës naziste. Megjithatë, gjatë viteve të Luftës së Ftohtë CDU tërhoqi në radhët e veta shumë konservatorë, antikomunistë dhe ish-nazistë e bashkëpunëtorë të nazizmit. Disa nga këto figura u ngritën deri në rangjet drejtuese.
Një nga leksionet e mësuara nga dështimi i Republikës së Veimarit se mungesa e bashkëpunimit mes partive demokratike lejoi ngritjen e partisë naziste. Qe për rrjedhojë vendimtare krijimi i një partie të unifikuar kristiandemokratësh. Rrjedhoja qe bashkimi i partive kristiane, qoftë katolike, qoftë protestante nën ndikimin e konservatorizmit liberal.
CDU përjetoi sukses të konsiderueshëm nga krijimi i saj në Berlin më 1945 deri në konventën e parë të mbajtur më 1950, ku Kancelari Adenauer u emërua kryetar i partisë.
Në fillim, nuk qe e qartë se cila parti do të pëlqehej nga aleatët fitues të Luftës së Dytë Botërore, por nga fundi i viteve 1940, qeveritë e majta në SHBA dhe Britani filluan të afrohen me CDU dhe të largohen nga Socialdemokratët. Socialdemokratët qenë një parti më nacionaliste që ëndërronin ribashkimin e Gjermanisë për të cilën qenë të gatshëm të japin edhe lëshime për Bashkimin Sovjetik. Ata e paraqesin Adenauerin si një instrument të amerikanëve dhe Vatikanit. Fuqitë perëndimore vlerësuan sjelljen e moderuar të CDU, fleksibilitetin e saj ekonomik dhe vlerën e saj si një forcë opozitare ndaj komunizmit.
Partia u përça për çështje të tilla si riarmatosja në kuadër të aleancës perëndimore, ribashkimi i Gjermanisë si një shtet neutral etj. Adenauer mbrojti me energji pozicioni properëndimor dhe anashkaloi disa nga kundërshtarët. Ai refuzoi të konsiderojë SPD-në si një parti të vlefshme për koalicion derisa u bind se ata ndanin pozicionin antikomunist. Partia e pati të vështirë të bindë votuesit protestantë për shkak të refuzimit parimor të ribashkimit. Protestantët janë forca kryesore e Gjermanisë Lindore, ndërsa Perëndimi është më shumë katolik.
CDU qe partia dominuese përgjatë dy dekadave të para pas themelimit të Gjermanisë Perëndimore më 1949. Konrad Adenauer mbeti kreu i partisë deri më 1963. Më 1966 mbërriti koalicioni i parë i madh mes CDU dhe SPD.
Socialdemokratët fituan popullaritet dhe ia dolën të krijojnë një koalicion socialliberal me Partinë e Demokratëve të Lirë më 1969 duke e nxjerrë CDU në opozitë për herë të parë në histori. Ajo vijoi të qëndrojë në opozitë deri më 1982, kur FDP tërhoqi mbështetjen në koalicion dhe lejoi CDU të rifitojë pushtetin. Helmut Kolh u bë Kancelar i Gjermanisë Perëndimore dhe koalicioni CDU-FDP qëndroi në pushtet gjatë.
Pas rënies së Gjermanisë Lindore, Kohl, me mbështetjen e qeverive të Francës dhe Britanisë e Shteteve të Bashkuara, bëri thirrje për ribashkim. Më 3 tetor 1990, Republika Demokratike Gjermane, (GDR) u eliminua dhe territori i saj u aneksua nga Gjermania Perëndimore. Kristiandemokratët e Lindjes u bashkuan me ato të Perëndimit. Kohl rifitoi zgjedhjet e para pas bashkimit, por partia e tij filloi të humbasë terren për shkak të recesionit ekonomik në Lindje dhe taksave të rritura në Perëndim. Më 1994, CDU rifitoi zgjedhjet federale me rezultat të ngushtë.
CDU humbi pushtetin më 1998 dhe u përfshi në skandale financiare në vitin 2000. Pas skandaleve, partia u drejtua nga Angela Merkel, e cila vijon ta udhëheqë edhe sot. Kjo parti ka sot 470 mijë anëtarë. Ajo është forcë dominuese në Gjermaninë Perëndimore dhe ka mbështetje më të paktë në Lindje.
Socialdemokratët, një betejë e gjatë
Shoqata e Punëtorëve të Gjermanisë e themeluar më 1863 dhe Partia Socialdemokratike e Punëtorëve e themeluar më 1869, u bashkuan në vitin 1875 për të krijuar partinë politike, nga ku lindi edhe Partia aktuale Socialdemokrate. Grupimi qe i ndaluar të marrë pjesë në zgjedhje, megjithatë fitoi shumë mbështetje. Më 1890, kur ndalimi u hoq, ajo filloi të përdorë emrin aktual. Deri në Luftën e Parë Botërore, partia mbeti radikale nga pikëpamja ideologjike, megjithëse shumë zyrtarë u shfaqën të moderuar në politikën e përditshme. Më 1912, partia fitoi më shumë vota se çdo parti tjetër gjermane. Pavarësisht se në Internacionalen e Dytë Socialiste u vendos që socialistët të dalin kundër luftës, SPD votoi në favor të saj më 1914. Për rrjedhojë, ekstremistët u ndanë nga kjo parti dhe krijuan parti të tjera. Pas vitit 1918, SPD luajti një rol të rëndësishëm në sistemin politik të Republikës së Veimarit. Adolf Hitleri e ndaloi me ligj më 1933, disa zyrtarë u burgosën, u vranë apo ikën në emigrim. Mes viteve 1921 dhe 1923, militantët e ekstremit të djathtë kryen 350 vrasje me atentat kundër zyrtarëve të SPD.
Aleatët më 1945 lejuan krijimin e katër partive politike, kristiandemokratët, Partia e Demokratëve të Lirë, Partia Komuniste dhe SPD. Në zonën sovjetike të pushtimit, sovjetikët detyruan socialdemokratët të bashkohen me komunistët. Në zonat perëndimore, Partia Komuniste u ndalua me ligj më 1956. Që nga viti 1949, SPD ka qenë një nga dy partitë kryesore. Ajo ka qenë në pushtet përgjatë viteve 1969 dhe 1982, si dhe në disa raste, në bashkëqeverisje me të djathtën.
Partitë e vogla
Demokratët e Lirë janë një parti e vogël e djathtë liberale, e cila në historinë e vet ka mbajtur shpesh balancën e pushtetit, duke kaluar mbështetjen nga CDU te socialdemokratët. Kjo parti ka aktualisht 63 mijë anëtarë
Partia e të Gjelbërve u themelua në Gjermaninë Perëndimore më 1980 dhe në Gjermaninë Lindore pas rënies së komunizmit. Kjo parti e arriti kulmin në vitet 1998-2002, kur morën 6.7 për qind të votave dhe hynë në koalicionin qeverisës.





