Ushtarakja Mimoza Shala ,si vajzë 16 vjeçare bëri historinë e luftës në Gjakovë


Të gjithë në Gjakovë e njohin Mimoza Shalën, si një vajzë të qetë, ndërsa jo shumë prej tyre e dinë historinë e saj, të cilën jo me shumë detale po tentojmë ta sjellim në këtë rrëfim.

“Asnjëherë nuk kam menduar që si femër, jam e paaftë për luftë. Gjithmonë, edhe si fëmijë e kam pasur një karakter të veçantë dhe njerëzit nuk i kam dalluar në bazë të gjinisë, por në bazë të karakterit”, fillon Mimoza me tregimin e saj, duke iu përgjigjur insistimit tonë për ta pyetur se a është frikësuar që si femër të jetë pjesë e luftës çlirimtare.

Ajo shton se as mosha e re nuk e ka penguar që ta zgjedhë armën si mjetin e vetëm për çlirim të vendit.

“Kur bashkë me një grup të vogël shokësh planifikonim të shkonim në UÇK, dëgjuam se atje kishte edhe të rinj të tjerë. Kjo na pati motivuar edhe më shumë dhe na pati shtyrë që pa asnjë hezitim të niseshim drejt Gllogjanit”, vazhdon me tregimin ajo.

Ata fillimisht mezi ishin pranuar në zonat e luftës, pikërisht për shkak të moshës së re, por pasi ishte kuptuar se ata kishin shkuar në luftë për ideal e jo për ekskursion ishin pranuar me mjaft dashamirësi.

Megjithatë, lufta nuk kishte qenë e lehtë për të. “Më ra fati që për herë të parë si ushtare të merrja pjesë në betejën më të ashpër, atë për mbrojtjen e Gllogjanit, në të cilën përjetova gjërat më të rënda të mundshme. M’u vranë dy shokë, ndërsa në fund një grup prej 11 ushtarësh mbetëm të izoluar në mal për 3 ditë, në borë e pa ushqim”, tregon ajo, por me bindje shton se të gjitha këto përjetime nuk e kanë lëkundur asnjëherë nga vendimi i saj, bile edhe e kanë fuqizuar më tepër.