Sëmundja vijon të vrasë mbi një milion njerëz çdo vit
Origjina e sëmundjes së tuberkulozit është gjurmuar te grupimet e popullsisë gjuetare të Afrikës, 70 mijë vjet më parë, ndryshe nga sa besohej deri tani se kjo sëmundje e ka origjinën te kafshët dhe se ka kaluar te njerëzit vetëm 10 mijë vjet më parë, bën të ditur një studim shkencor.
Studimi u publikua te “Nature Genetics” dhe nënvijëzon lidhjen e fortë mes historisë evolucionare të njerëzve dhe të tuberkulozit. Kjo sëmundje shkakton më shumë se një milion vdekje në vit.
Studime të mëparshme kanë sugjeruar që tuberkulozi e ka origjinën rreth 10 mijë vjet më parë në Afrikë gjatë Tranzicionit Demografik Neolitik, kur popullata njerëzore filloi të zgjerohej dhe bujqësia po bëhej burimi kryesor i jetesës.
Kërkuesit kombinuan të dhëna gjeografike dhe të dhëna gjenetike nga 259 degëzime të tuberkulozit për të rindërtuar historinë evolucionare dhe për ta krahasuar atë me origjinën e njerëzve në Afrikë. “Ne zbuluan se origjina si për tuberkulozin, ashtu edhe për njerëzit, është nga i njëjti vend, në Afrikë, 60 mijë vjet më parë nga sa mendohej më parë”, tha profesor Sebastian Gagneux, nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Tropikal të Zvicrës. “Ajo që kemi bërë është të sigurojmë një hipotezë të fortë dhe të përforcojmë idenë se tuberkulozi e ka origjinën te njerëzit dhe kaloi te kafshët në një periudhë të caktuar”, shtoi ai. Shkencëtarët po përpiqen të kuptojnë se si tuberkulozi ia doli të mbijetojë për më shumë se 60 mijë vjet në grupime të vogla njerëzish para se të bëhej një sëmundje e gjithëpërhapur. Një tipar i veçantë i tuberkulozit dhe që nuk gjendet në sëmundje të tjera është se njerëzit mund të infektohen me të shumë vite para se të shfaqin ndonjë simptomë. Sëmundja është në gjendje të riaktivizohet pas një periudhe të caktuar.
Kjo është arsyeja që sëmundja mbijetoi për mijëra vjet. Sapo popullata njerëzore filloi të zgjerohet rreth 10 mijë vjet më parë, tuberkulozi u bë më aktiv dhe u zgjerua edhe më tej.






