A mund të kurseni të ardhura në kohë krize? Shumicës prej jush i duket e pamundur, por ne ju themi se nuk është edhe aq. Asnjëherë nuk është vonë për të kursyer ndonjë lek mënjanë. Ne do t’ju sjellim shembullin e një çifti të ri nga Italia, të cilët arrijnë të kursejnë 100 euro në muaj…
Kohë krize
Të kursesh 100 euro në muaj e t’i heqësh ato mënjanë për të ardhmen në këtë kohë krize duket e vështirë, për të mos thënë një ëndërr në diell, por me disa përkujdesje të vogla kjo gjë bëhet e mundur! Një shembull i tillë vjen nga 40-vjeçari Mario, i cili merret në një punë import-eksporti me një pagë prej 1500 eurosh neto në muaj. Ai jeton në një apartament në Bolonja me partneren e tij, Monikën, e cila punon mësuese në një shkollë private e që paguhet 1000 euro në muaj. Mario dallohet gjithmonë për kujdesin e shpenzimeve që bën. Gjatë këtyre viteve të fundit ai ka vënë mënjanë 100 euro çdo muaj, për t’ua kushtuar projekteve të së ardhmes jo shumë të largët. Tani Mario mund t’i investojë paratë e kursyera në maturitete afatgjata: për një shtesë të pensionit ose në një tjetër investim financiar që do t’i garantonte atij një standard të caktuar jetese edhe nëse mund të ngelë ndonjëherë pa punë. Por si ia ka arritur këtë? Ne kemi shkëputur truket e tij të uljes së shpenzimeve për të kursyer të ardhurat. Ja se cilat janë ato:
1 – Shpenzimet e fermerit me “zero kilometër”
Mario dhe Monika hanë shpesh frutat dhe perimet e stinës. Prej disa kohësh ata kanë vendosur të bëjnë shpenzime me kilometrazh zero, domethënë për blerjet e tyre të ndryshme ata përdorin dyqanet më të afërta të qytetit. Ndonjëherë pazarin e bëjnë online dhe kur munden shkojnë direkt në tregun e fermerëve. Më parë shpenzimi i tyre mesatar për fruta, perime dhe produkte të tjera ushqimore vërtitej në rreth 100 euro, por tani me blerjet në tregjet e fermerëve Mario shpenzon 20% më pak dhe kështu shpëton 20 euro në muaj.
2 – Pazar te dyqanet që bëjnë zbritje
Me gjithë uljet e ndryshme, Mario kuptoi se blerja e produkteve të caktuara në dyqanet që bëjnë zbritje çon në një kursim prej rreth 30%. Me përjashtim të frutave dhe perimeve, në këto dyqane ai blen gjithçka tjetër, detergjente, produkte për higjienën personale etj. Kështu Mario arrin të kursejë mesatarisht 15 euro në muaj.
3 – Pirja e ujit të çezmës
Deri pak muaj më parë Mario dhe partnerja e tij blinin ujë mineral me shishe dhe konsumonin mesatarisht 2 litra në ditë. Ata shpenzonin afërsisht 240 euro në vit. Për të reduktuar shpenzimet morën vendimin që të pinin ujin e çezmës dhe ta filtronin atë. Pa koston fillestare të filtrit dhe pjesës tjetër (rreth 30 euro), kursimet e tyre për ujin arritën në 20 euro në muaj.
4 – Abonimi në internet
Në përpjekjen e uljeve të shpenzimeve Mario ka ndërhyrë edhe në abonimin e internet dhe të telefonit fiks. Duke ndryshuar operatorin dhe duke u hedhur një sy ofertave të ndryshme, Mario arriti të abonohej në një internet 24 orësh i cili përfshinte gjithashtu thirrjet kombëtare me një kosto totale prej € 29 çdo 30 ditë. Më parë kjo kosto arrinte në 35 € në muaj. 5 euro kursim nuk janë shumë në një muaj, por në një vit kjo shumë arrin në 60 euro.
5 – Rimbushja e celularit
Kursimi është i mundur edhe për celularin, duke përfshirë edhe smartphon-in. Me ofertat telefonike të cilat disponohen në Itali ai arrin të kursejë 8 euro në muaj.
6 – Fatura e dritave
Përsëri për qëllim kursimi Mario dhe Monika zgjodhën si ofertë një çmim fiks për energjinë elektrike. Brenda kësaj oferte, përveç çmimit fiks të energjisë, përfshihet edhe orari i ardhjes së saj, që është kryesisht nga ora 19 e mbrëmjes deri në 8 të mëngjesit, kohë në të cilën çifti është në shtëpi. Lavatriçja, lavastovilja, por edhe hekuri përdoren në atë kohë. Kursimi i çiftit që ka vendosur t’i besojë tregut privat të elektricitetit arrin në 80 euro në vit (në vendin tonë kjo shifër do të llogaritej në muaj), apo rreth 6,50 në muaj.
7 – Benzina te distributorët pa logo
Për makinën çifti harxhon mesatarisht 100 litra benzinë në muaj dhe duke zgjedhur shpërndarësit e saj të cilët nuk disponojnë logo ata arrijnë të kursejnë rreth 5-6 cent për litër. E përkthyer në kursimeve vjetore, vlera e kursimit nga harxhimi i benzinës arrin në 72 euro, që në secilin muaj do të thotë 6 euro më shumë në portofolin e tyre.
8 – Llogari rrjedhëse online
Jo të gjithë e kuptojnë, por të kesh një llogari rrjedhëse kushton shumë, pavarësisht operacioneve fikse. Në përgjithësi llogaritë rrjedhëse tradicionalisht kanë pullën dhe tarifën vjetore. Për këtë Mario vendosi që të hapte një llogari rrjedhëse online, e cila nuk kërkon shpenzime të tilla. Nga kjo gjë kursimi vjetor arrin në rreth 65 euro në vit, ndërsa të llogaritura në kohë mujore kjo vlerë shkon në 5 euro.
9 – Të martën në kinema
Jo vetëm kursim te faturat dhe shpenzimet! Mario dhe gruaja e tij kanë hequr dorë edhe nga shpenzimet e mëdha për hobit dhe pasionet e tyre, duke përfshirë edhe kinemanë.
Çifti në përgjithësi shkon në kinema dy herë në muaj. Por në vend që të shkojnë gjatë fundjavës ata shkojnë të martave, sepse bileta për të parë një film është më e lirë gjatë ditëve të javës. Ajo përgjysmohet dhe shkon në 5 apo 8 euro. Për llogaritë e tyre kjo do të thotë një kursim tjetër prej 6 eurosh në muaj.
10 – Promocionet e parukerive
Edhe “syri” do pjesën e tij të shpenzimeve! Partnerja e Marios padyshim ka nevojë të shkojë çdo muaj te parukerja. Por duke përfituar nga promocionet e ndryshme dhe duke shkuar te parukeri në një nga ditët në të cilat është parashikuar ulje çmimi me 10%, gruaja e Marios arrin të kursejë 8 euro në muaj. Një shifër e vogël, por aspak indiferente në mesin e 100 eurove kursim në muaj.