SHBA-ja dhe Franca hynë në një mospëlqim ekstrem për njëri-tjetrin gjatë luftës kundër Irakut më 2003, ku amerikanët përqeshën kulturën franceze e bojkotuan mallrat francezë. Tashmë ato janë dy vende aleate në krizën e re të Lindjes së Mesme
Kriza e Sirisë
Tom Geoghegan, BBC
Çdo ditë mundësia që SHBA-ja dhe Franca të udhëheqin aksionin ushtarak kundër Sirisë afrohet gjithnjë e më shumë. Nëse ai ndodh, sulmi do të shënojë një kthesë të re në një marrëdhënie të gjatë dhe komplekse.
Barack Obama dhe Francois Hollande qenë dy udhëheqësit e vetëm në takimin e G-20 në Rusi të angazhuar për përdorimin e forcës kundër Sirisë.
Ata bëjnë një koalicion shumë të papritur dhe të vullnetshëm, në rast se rikujtuan zemërimin amerikan kundër Francës në lidhje me luftën e Irakut një dekadë më parë, kur patatet e skuqura, të njohura si patatet franceze, u hoqën nga menytë e Uashingtonit ndërsa vera franceze u fsheh nga sytë e klientëve.
Por imazhi i dy presidentëve me fat të ndërlidhur siguron një simetri historike të pastër. Në fund të fundit, nëse nuk do të qe për Francën, atëherë George Washington do të qe sot ndoshta vetëm një emër për t’u mësuar kalimthi nga studentët në lëndën e historisë.
Më 1778, një komb në fillesa dhe i dobët i quajtur Shtetet e Bashkuara bëri aleancën e vet të parë, një ngjarje për të cilën shumë ekspertë mendojnë se ndryshoi rrjedhën e luftës për Pavarësi nga Britania.
Traktati i firmosur nga frankofili Benjamin Franklin në Paris nënkuptoi që Franca i njohu Shtetet e Bashkuara si një komb sovran dhe u angazhua në mbrojtje të aleatit të vet të ri. Në praktikë kjo që e çoi Francën në luftë kundër armikut të vet të vjetër, Britanisë.
“Kjo qe aleanca e parë formale për SHBA-në, ky traktat aleance dhe miqësie dhe ndoshta bëri dallimin mes fitores dhe humbjes”, thotë Gregory Urwin, një profesor i historisë në Universitetin e Tempullit në Filadelfia.
“Ata sakaq po jepnin ndihma fshehtazi duke dërguar armë dhe municione tek amerikanët përmes kompanive tregtare të rreme, por sapo hynë në luftë, ajo ndryshoi të gjithë dinamikën, pasi Britania nuk mundi të bazohej më në dominimin e deteve”.
Çdo amerikani i mësohet mbi fitoren e famshme në Jorktaun dhe heroikën e një francezi Marquis de Lafayette, i riu idealist që u bashkua me amerikanët para se vendi i tij të hynte formalisht në luftë.
Por është një francez tjetër, Konti Rochambeau, i cili është heroi i vërtetë francez, thotë Urwin, për shkak se si komandant i forcave franceze ai pati ndikim vendimtar në triumfin e Uashingtonit në Jorktaun.
Miqësia mes dy kombeve nuk zgjati shumë. Franca priste që SHBA-ja ta ndihmonte në luftërat që pasuan revolucionin francez, por Uashingtoni qe ngurrues në përzierjen në një konflikt europian më 1790 dhe zgjodhi neutralitetin, duke injoruar kushtet e traktatit dhe duke shkaktuar një situatë gati lufte me Francën.
Por mitologjia e Lafayette u vendos në gur më 1824 kur parku pranë Shtëpisë së Bardhë në pjesën veriore u riemërua sheshi “Lafayette”, në një qytet të dizajnuar nga një francez tjetër, Pierre L’Enfant.
Lafayette u përjetësua më tej gjatë Luftës së Parë Botërore, kur, në ditën e Pavarësisë së SHBA-së më 1917, trupat amerikane parakaluan nëpër Paris dhe ndaluan në varrin e tij, ku me kërkesë së tij ai qe mbuluar me dhe të sjellë nga SHBA. Britmat “Lafayette, ne jemi këtu!” simbolizuan shlyerjen e borxhit 140 vjet më pas.
Në këtë kohë, Statuja e Lirisë sakaq po bëhej me shpejtësi simboli më i dukshëm i Nju Jorkut. Ajo qe një dhuratë nga “Populli i Francës” më 1886 qe shprehu vlerat e përbashkëta të të dyja vendeve.
Lufta e Dytë Botërore e shekullit të njëzetë ofroi një shans tjetër për ushtarët amerikanë që të mikpriteshin me dashuri në tokën franceze. Në Normandi, flamuri amerikan sërish është i dukshëm i varur në shtëpitë e zonës në përvjetorin e zbarkimit të D-Day.
Këndvështrimi amerikan
Statujat e Lafayette dhe Washington
Ndërsa shijonte një pije nën diellin e mesditës në Baltimore, pak metra larg statujës së Washington dhe Lafayette, Declan Shaughnessy i bëri jehonë mendimet të shumë bashkëkohësve kur pa se mbështetja e francezëve nuk mjafton si ngushëllim për kritikët e ndërhyrjes në luftën e Sirisë si ai vetë. “Nëse Rusia dhe Kina do të qenë mbështetëse, vende më të mëdha sesa Franca, ndoshta do të mendoja ndryshe”, tha ai.
“Unë falënderoj francezët”, thotë Chuck Merton i cili mbështet sulmet ushtarake. “Nuk kam qenë kurrë kundër francezëve në lidhje me Irakun. Francezët janë si ne. Ata flasin çfarë mendojnë dhe ndjekin atë që ndiejnë se është e mirë e nuk mund t’i kritikosh për këtë. Fakti që ne jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk na jep të drejtë në çdo rast”.
Por ka edhe një bindje mes disa amerikanëve se francezët qenë tepër të gatshëm të hiqnin dorë shpejt nga lufta, një ndjenjë që hyri në kulturën popullore me një episod të serialit vizatimor “Pimpsons” më 1995, i cili i paraqiti francezët si “majmunë që hanë djathë dhe që dorëzohen shpejt”.
Kjo frazë u popullarizua më tej në prag në luftës së Irakut, kur Franca refuzoi të mbështesë pushtimin e udhëhequr nga amerikanët, duke shkaktuar një valë zemërimi ndaj çdo gjëje që është galike.
Shprehja më e fortë e kësaj ndjenje erdhi kur një restorant në Karolinën e Veriut, tashmë i mbyllur, ndryshoi menynë e vet nga “Patate Franceze” në “Patatet e Lirisë”. Të tjera restorante e pasuan këtë praktikë, përfshirë edhe restorantin kantinë në Shtëpinë e Përfaqësuesve (Kongresi). Avioni presidencial “Air Force One” një rast shërbeu “tost i mbushur i lirisë i mbuluar me manaferra”, në vend të të zakonshmit tost francez.
Franca u shtua tek “Aksi i Nuselalës” bashkë me Gjermaninë nga satiristi Scott Ott. Pasi formëzoi frazën në blogun e tij, ai doli në faqe të parë të gazetës “New York Post” dy ditë më vonë.
Por Ott nuk beson se një operacion i përbashkët kundër Sirisë do të shënojë një histori të re dashurie me Francën. Në Irak dhe në Siri, francezët kanë qenë në anën e gabuar të argumentit, thotë ai.
“Franca do ta gjejë sërish veten kundër opinionit publik amerikan”, thotë ai, duke shtuar se ai dashuron Francën, por bën një dallim mes qeverisë dhe vendit.
Patatet franceze (patatet e fërguara që në fakt besohet se janë shpikur në Belgjikë si gatim), u rikthyen shpejt në meny, por shumë amerikanë u vunë në siklet nga lajmi i bujshëm që kjo shaka bëri nëpër botë.
“Iraku qe një reagim qesharak i ekzagjeruar ndaj asaj që ne e konsideronim një përgjigje të logjikshme nga qeveria dhe populli i Francës”, thotë Steve Smith, një amerikan që shkruan mbi Francën në librat udhërrëfyes për turizmin.
Turizmi amerikan në Francë ra, thotë ai, qoftë sepse amerikanët qenë të zemëruar, qoftë se francezët qenë vënë në siklet. Disa nga amerikanët që e vizituan pretendonin në rrugë se qenë amerikanë. “Ka pasur një rënie dramatike në biznes. Numri i udhëtimeve me guidë në vend, si dhe i librave udhërrëfyes të shitur ra ndjeshëm, megjithëse biznesi u rimëkëmb disa vite më pas”.
Ai mendon se amerikanët e dashurojnë Francën, por nuk është se në të vërtetë kuptojnë frëngjisht. “Ka kaq shumë ndryshime thelbësore në pamjen e jashtme. Francezët janë të udhëhequr jo aq shumë nga sa para fiton se sa çfarë ka në menynë e darkës për sonte dhe se çfarë ke në dorë për të lexuar”.
Amerikanët nxitojnë të pyesin të saponjohurit se çfarë bën për të nxjerrë jetesën, por francezët jo, thotë ai. Dhe dyshimi i amerikanëve se populli francez është dembel ekziston vetëm se francezët kanë më shumë vlerësim për kohën e lirë.
“Ata presin gjithashtu më shumë gjëra nga qeveria. Francezët janë më të lumtur të sakrifikojnë të drejtat e individit për të mirën e bashkësisë”.
Francezët patën një rol udhëheqës në Libi, por perspektiva që të dy vendet të qëndrojnë krah më krah në Siri është ajo që përbën me të vërtetë lajm.
Sekretari i Shtetit, John Kerry, ka folur me dashuri për “aleatin më të vjetër” të kombit dhe foli frëngjisht ndërsa parashtroi çështjen e veprimeve ushtarake në Paris. Një analist sigurie në Uashington tha: “Ne sërish këtu do të mësojmë frëngjisht për të thënë ‘Vive la France!’ Kjo është një gjë e re”.
Afrimi i të dy udhëheqësve në lidhje me Sirinë do të ketë ndikim në perceptimet e publikut, thotë Smith, për shkak se amerikanët e kanë shumë qejf kur njerëzit e krahut tjetër bashkohen me ta.
“Unë e ndiej atë, ndërsa dëgjoj fjalët e Hollande në radio. Dhe unë mendoj se amerikani i mesëm po dëgjon dhe po i kushton vëmendje”.
Njeriu që hoqi patatet franceze nga menyja e restorantit të Kongresit thotë se është ironike që francezët janë tashmë ata që po udhëheqin ndryshimin.
“Çfarë kthese”, thotë ish-kongresmeni Bob Ney, i cili mendon se çfarë bëri ai e një mbështetje për trupat amerikane si kundërreagim ndaj anti-amerikanizmit gjaknxehtë që erdhi nga Parisi në atë kohë.
Tani që Britania është tërhequr nga lufta, ndoshta amerikanët duhet të mendojnë për ndonjë shaka tjetër si ajo e patateve të lirisë.
Rroftë e ndryshmja
John Locke dhe Jean Rousseau
Vonë në vitet 1700 të dyja vendet përdorën revolucionin për të rrëzuar tiranët dhe për të themeluar demokraci, apo një “kontratë sociale” një togfjalësh shumë i njohur ky.
Kontrata sociale e Amerikës bazohej në idetë e filozofit anglez, John Locke. Locke imagjinoi një shoqëri që maksimizon liritë individuale.
Ndërsa të gjithë janë dakord se është e nevojshme të heqësh dorë nga disa liri për të mirën e përbashkët – si “liria” për të vjedhur apo “e drejta” për të vrarë, – Amerikanët përpiqen të ruajnë liritë individuale për të arritur te lumturia. Për Locke, qeveria është, në rastin më të mirë, një e keqe e domosdoshme, kontrolli i të cilës mbi jetët tona duhet të mbahet në minimum.
Kontrata sociale franceze qe e ndryshme, duke kërkuar më shumë kompromise individuale për të mirën e përbashkët. Kur Simone mbush makinën e saj “Renault” te pompa e benzinës, ajo paguan më shumë se dy herë për të njëjtën sasi benzine nga sa unë paguaj në SHBA. Dhe ajo e bën këtë me gëzim, duke e ditur se taksa e inkorporuar e karburantit do të përdoret për të mirëmbajtur rrugët, krijuar trenin më të fundit të shpejtë dhe për të paguar shoferët e autobusëve të qyteteve.
Franca u ndikua për kontratën sociale nga filozofi Jean Jacques Rousseau (Zhan Zhak Ruso). Duke theksuar se njeriu për nga natyra nuk është një individualist i ndryshkur, por një krijesë e shoqërisë, ai e pa qeverinë jo thjesht si një e keqe e domosdoshme, por si mishërim i vullnetit të përbashkët.
Steve Smith, shkrimtar udhëtimesh
Këndvështrimi francez
Agnes Poirier
Gazetare franceze
Episodi i patateve të lirisë, (Freedom Fries) erdhi si surprizë për ne, por ne na dha të drejtë historia kështu që nuk ka shumë rëndësi si shaka. Kishte disi trishtim për shkak se ne ndiheshim pranë tyre.
Në përgjithësi, francezët nuk janë anti-amerikanë. Ka pasur një traditë anti-amerikanizmi mes inteligjencës së spektrit të majtë që nga Lufta e Dytë Botërore, por kjo nuk është ajo çfarë mendon publiku i gjerë. Ne gjithmonë jemi tërhequr ndaj tyre kulturalisht edhe pse ka pasur disa dallime në politikën e jashtme.
Charles de Gaulle dëshironte të qëndronte i pavarur nga SHBA, por politika e jashtme franceze ka qenë gjerësisht Atlanticiste përgjatë tetë viteve të fundit.
Siria nuk do të japë ndonjë ndikim mbi atë se çfarë mendojmë ne për amerikanët – 68 për qind e francezëve kundërshtojnë ndërhyrjen ushtarake dhe kjo nuk ka të bëjë me SHBA-në e as me mënyrën se si kjo politikë është perceptuar.
Një histori dashurie kulturore
Nga e majta në të djathtë: Ernest Hemingway, Gertrude Stein, Allen Ginsberg dhe James Baldwin
Artistët dhe shkrimtarët amerikanë janë tërhequr gjithmonë nga Parisi
Henry James dhe James Fenimore Cooper ranë në dashuri me sharmin e këtij qyteti në shekullin e nëntëmbëdhjetë
Një valë tjetër e mëvonshme përfshiu F Scott Fitzgerald, Ernest Hemingway dhe Gertrude Stein
Pas luftës, erdhi Allen Ginsberg, William Burroughs, James Baldwin
“Ne gjithmonë i jemi kryer asaj nuk ka rëndësi se kush qe dhe se si ndryshoi apo me çfarë vështirësish apo lehtësish mund të arrihet. Parisi ka qenë gjithmonë një vend i vlefshëm”, shkroi Hemingway.