Një ish- truprojë e Adolf Hitlerit, që ishte dëshmitar i orëve të fundit të diktatorit nazist, ka vdekur në Gjermani në moshën 96 vjeçare.
Sipas BBC, Rochus Misch ishte i fundit i mbijetuar nga bunkeri i Hitlerit në Berlin.
Ish- njeriu i SS-ve kujton me krenari detyrat që kryente për shefin e tij.
Ai e quante Hitlerin një njeri shumë normal.
“Nuk ishte shtazë, nuk ishte mostër”.
Për pesë vite, Misch ishte pjesë e rrethit të brendshëm të Fyhrerit si truprojë, korrier dhe operator telefonik.
Në një intervistë për AP, ai pati deklaruar se nuk dinte asgjë për gjashtë milion hebrenjtë e vrarë nga Hitleri.
Sipas tij, Hitleri nuk fliste kurrë për Zgjidhjen Përfundimtare.
“E dija për kampin në Dachau dhe për kampet e përqendrimit në përgjithësi,” i tha ai BBC-së në vitin 2009.
“Por nuk ia kisha idenë për shkallën e tyre. Nuk ishte pjesë e bisedave tona. Por duhet të dini se nuk mund të ketë kurrë një luftë nëse nuk kryhen krime”.
“Kur udhëtonte Hitleri, katër deri në gjashtë nga ne e shoqëronim në një makinë të dytë. Por kur ishim në apartamentin e Hitlerit në kancelari, kishim edhe detyra të tjera.
Dy prej nesh punonin si operatorë telefonikë. Me një shef si Hitleri kishte gjithmonë shumë telefonata,” kujtonte ai.
Ndërkohë që aleatët po marshonin dhe nazistët ishin në prag të humbjes, Hitleri u tërhoq në bunkerin e tij në Berlin dhe Misch ishte një nga dëshmitarët finalë të vdekjes së tij më 30 prill 1945.
Ai tha se ishte në telefon kur Hitleri vrau veten, kështu që nuk dëgjoi krismat.
Sekretari privat i Hitlerit urdhëroi të hapej dhoma.
“Pashë Hitlerin me kokën mbi tavolinë. Eva Braun (gruaja e Hitlerit) ishte shtrirë mbi divan, me kokën drejt tij.
Gjunjët i kishte shtrënguar fort në gjoks. Ajo mbante veshur një fustan blu të errët me dantella të bardha. Nuk do e harroj kurrë”./ep







