Rusia po i tregon dhëmbët në Arktik

Arrestimi i aktivistëve të “Greenpeace” rezulton pjesë e demonstrimit të vendosmërisë për kontroll


Aktivistët e “Greenpeace” kanë protestuar disa herë kundër shpimeve ruse në Arktik. Kufitarët rusë i kanë arrestuar, ndërsa gjykatat po u organizojnë një proces. Dënimet mund të jenë shumë të ashpra.
Në një gjykatë të qytetit-port Murmansk në veri të Rusisë, ka filluar procesi kundër aktivistëve të “Greenpeace”. 30 aktivistët nga më shumë se 10 vende të ndryshme akuzohen për pirateri dhe kërcënohen deri me 15 vjet burg. Disa aktivistëve u është përcaktuar masa e mbajtjes në paraburgim për dy muaj, por të tjerët do të mbrohen në liri.
Fjala është për një incident që ka ndodhur në mes të shtatorit 2013 në platformën për nxjerrjen e naftës “Priraslomnaja”. Koncerni rus “Gazprom” po bën atje shpime prej vitit 2011. Pala ruse pohon se atje ka rezerva në volum prej rreth 70 milionë tonelatash.
“Greenpeace” kërkon që shpimet ruse të ndalohen, për të mos rrezikuar mjedisin. Gjatë një aksioni më 18 shtator, rojet kufitare ruse kanë shtënë me armë zjarri në ajër, e pastaj edhe me automatikë dhe armë më të rënda. Dy aktivistë u arrestuan, kur deshën që me një anije të depërtojnë deri te platforma për nxjerrjen e naftës.
Një ditë më vonë gjërat u zhvilluan si një film të James Bond. Njësitë speciale ruse zbritën me litarë prej helikopterëve në anijet holandeze të “Greenpeace”, “Arctic Sunrise”. Anija për thyerjen e akullit është transferuar në Murmansk, ndërsa aktivistët në bord janë arrestuar dhe akuzuar për “pirateri”
“Akuzat absurde”
Caroline von Gall e quan këtë aksion si “jashtëzakonisht absurd”. Profesoresha në Universitetin e Këlnit i njeh mirë ligjet e Rusisë. “Pirateria sipas ligjeve ruse parashikohet kur gjërat gjenden në anije. Ndërsa personat mund të akuzohen vetëm për përfitime të paligjshme materiale”, thotë Von Gall. Ekziston edhe kushti i tretë i akuzave për pirateri: “kërcënimi me dhunë, apo përdorimi i dhunës”, shpjegon ajo. Sjellja ruse tregon se autoritetet e këtij vendi e përdorin drejtësinë “vetëm si mjet për të frikësuar të tjerët”.
Aktivistët për ruajtjen e mjedisit kanë hedhur poshtë akuzat. Anija “Arctic Sunrise” ka qenë në ujërat ndërkombëtare, thotë për “Deutsche Wellen”, Christoph van Lieven, i “Greenpeace” nga Gjermania. Organizata është e mendimit se sjellja ruse është e pamatur. Van Lieven tregon se aktivistët kanë protestuar në mënyrë të qetë. Edhe Ksenija Vachrusheva, drejtuese e projekteve në organizatën për mjedisin “Bellona” nga Shën Petersburgu i kritikon autoritetet ruse për sjelljen e tyre ndaj “Greenpeace”. “Ato po përpiqen që këta persona të akuzohen për vepra që nuk i kanë bërë”, thotë ajo.
Ndërkohë, edhe vetë Presidenti Vladimir Putin është distancuar nga akuzat. Aktivistët për ruajtjen e mjedisit nuk janë piratë, tha ai në një konferencë për Arktikun. Por shefi i Kremlinit mendon se “Greenpeace” ka vepruar kundër të drejtës ndërkombëtare, sepse ka shkelur të drejtat e punëtorëve në platformat për nxjerrjen e naftës. Të të njëjtit mendim si Putini janë edhe shumë ekspertë rusë. Mihail Voitenjko mendon se puna në “Priraslomnaja” është në veçanti e rrezikshme. Ndaj “Greenpeace” me qëllim ka provokuar gjendjen në një vend të rrezikshëm, pohon ai.
Incidenti në Rusi nuk është përpjekja e parë kundër shpimeve në Arktik. Rusia pohon se asaj i takon një pjesë e madhe e këtij rajoni, ku supozohet se ka rezerva të mëdha të derivateve energjetike. Rusia mendon se nga Arktiku deri në vitin 2020 në vit do të nxjerrë rreth 86 miliardë kubik metër gaz dhe 26,6 milionë tonelata naftë.
“Greenpeace” paralajmëron për katastrofat e mundshme dhe kërkon ndërprerjen e shpimeve. Ka pasur dhe shumë aksione kundër tyre. Në verë të vitit 2012 ata kanë bërë përpjekje të mbërrijnë deri tek “Priraslomnaja”.
Nuk dihet ende nëse aktivistët me të vërtetë do të dënohen. Por ekspertja Von Gall mendon se disa prej tyre do të dënohen të paktën me pesë vjet heqje lirie. “Në Rusi autoritetet kanë shumë mundësi manovrimi”, thotë ajo dhe rikujton rastin e grupit muzikor “Pussy Riot”. Vitin e kaluar, dy femra janë dënuar me nga dy vjet burg, për shkak të një proteste në një katedrale të Moskës. Von Gall pohon se Rusia në vitet e fundit po përjeton një “fazë ekstreme represive”. Fakti që në rastin e “Greenpeace” bëhet fjalë për shtetas të huaj, nuk do të luajë ndonjë rol. Paraburgimet e gjata dhe dënimet e ashpra janë të mundshme, pohon ajo.