Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka bërë të ditur se ka pasur një komunikim telefonik me presidentin iranian, Hassan Rohani. Kjo është biseda e parë midis udhëheqësve amerikanë dhe iranianë në më shumë se 30 vjet.
Obama ka thënë se Shtetet e Bashkuara dhe Irani mund të arrijnë zgjidhje gjithëpërfshirëse për programin bërthamor të Republikës Islamike.
“Jemi të vetëdijshëm për të gjitha sfidat përpara. Fakti se kjo telefonatë është komunikimi i parë midis presidentit amerikan dhe iranian qysh në vitin 1979 nënvizon mosbesimin e thellë midis dy vendeve tona, por po ashtu tregon perspektivën për të lëvizur përtej kësaj historie të vështirë”, ka deklaruar Obama.
Irani ka mohuar vazhdimisht akuzat e Perëndimit se programi i tij bërthamor ka për qëllim krijimin e armës atomike.






