Tridhjetë vjet më parë, në fund të shtatorit të vitit 1983, kur në një sallë vëzhgimi afër Moskës ra alarmi për një sulm nuklear raketash, një oficer në detyrë mori një vendim të pazakontë
Stanislav Petrov
Në orët e para të mëngjesit, sistemi paralajmërues i Bashkimit Sovjetik hasi në një sulm rakete nga Shtetet e Bashkuara. Të dhënat e kompjuterëve tregonin se disa raketa ishin lëshuar. Protokolli i ushtrisë sovjetike sugjeronte kundërsulm bërthamor nga pala e kërcënuar.
Por oficeri në detyrë, Stanislav Petrov, puna e të cilit ishte të regjistronte nisjen e raketave armike, vendosi të mos e raportonte këtë tek eprorët e tij dhe në vend të kësaj, e paraqiti kërcënimin si një alarm fals.
Kjo ishte një shkelje e udhëzimeve të tij, një braktisje e detyrës. Ajo që duhej bërë ishte të përcillte lajmin, të kalonte përgjegjësinë më lart. Por vendimi i tij mund të ketë shpëtuar botën.
“Unë i kisha të gjitha të dhënat që sugjeronin për një sulm me raketa. Nëse do t’ia çoja raportin një komandanti, askush nuk do të thoshte asnjë fjalë kundër tij”, tregon oficeri 30 vjet më pas.
Stanislav Petrov, që doli në pension me gradën e nënkolonelit dhe që tani jeton në një qytet të vogël pranë Moskës, ishte pjesë e një skuadre të mirëtrajnuar, që shërbente si një nga bazat e hershme sovjetike të detektimit të sulmeve.
Puna e tij ishte të regjistronte çdo sulm me raketë dhe ta raportonte tek ushtria sovjetike dhe tek udhëheqësit politikë. Në klimën politike të vitit 1983, një përgjigje hakmarrëse do të kishte qenë pothuajse e sigurt.
Dhe përsëri, kur momenti erdhi, Petrov tregon se ai pothuajse ngriu në vend. “Sirena ra, por unë qëndrova ulur për disa sekonda, me sytë ngulur nga ekrani i madh i kuq që shkruante ‘nis’ në të”.
Sistemi po i thoshte atij se niveli i seriozitetit për atë alarm ishte i lartë. Nuk mund të ekzistonin dyshime. Amerika kishte hedhur një raketë.
Rrëfimi
Një minutë më pas sirena u ndez përsëri. Raketa e dytë ishte nisur. Më pas e treta, e katërta dhe e pesta. “Kompjuterët e ndryshuan alarmin nga ‘nis’ në ‘sulm raketash’”, tregon ai.
Nuk ka asnjë rregull që tregon sesa duhet pritur derisa të raportosh sulmin. Por ne e dinim se çdo sekondë hezitimi ishte një kohë e çmuar e çuar dëm. Ushtria sovjetike dhe liderët politikë duheshin njoftuar pa vonesë.
Gjithçka që duhej të bëja ishte të ngrija telefonin, të formoja numrin që më lidhte me komandantët e lartë, por unë s’mund të lëvizja. Më dukej sikur isha ulur në një tigan të nxehtë.
Protokolli sovjetik tregon se ushtria duhet t’i përgjigjet një sulmi nuklear me një sulm të vetin nuklear. Pavarësisht se natyra e alarmit dukej shumë e qartë, Petrov pati disa dyshime.
Krahas specialistëve të IT-së, Bashkimi Sovjetik kishte ekspertë të tjerë, që vëzhgonin gjithashtu raketat amerikane. Një grup i operatorëve të radarëve satelitorë i thanë oficerit se ata nuk kishin regjistruar asnjë raketë.
Por ata ishin vetëm një skuadër e shërbimit mbështetës dhe nuk mund të merreshin shumë seriozisht. Protokolli e shprehte shumë qartë, se vendimi duhej të merrej nga të dhënat e kompjuterit të specialistëve. Dhe vendimi i takonte atij, oficerit në detyrë.
Por ajo që e bëri atë të dyshonte ishte mënyra sesa i fortë dhe i qartë ishte alarmi. Ekzistonin 28 ose 29 nivele sigurie. Pasi shënjestra identifikohej, duhej të kalonte në të gjithë pikat e kontrollit. Nuk isha shumë i sigurt nëse ishte e mundur, në këto rrethana, tregon Petrov. Ai thirri kreun e ushtrisë sovjetike dhe raportoi për një keqfunksionim të sistemit.
Nëse ai e kishte gabim, shpërthimi i parë nuklear do të ndodhte pak minuta më pas. “Pas 20 ose 30 minutave, kuptova se asgjë nuk kishte ndodhur. Nëse do të kishte një sulm të vërtetë, do ta kisha marrë vesh tashmë. Ishte një çlirim i madh”, thotë ai duke buzëqeshur.
Sa mirë që isha unë
Tani, pas 30 vjetësh, Petrov mendon se mundësitë ishin 50 me 50. Ai pranon se nuk ishte 100 për qind i sigurt se alarmi ishte fals. Ushtaraku tregon se ai ishte i vetmi oficer në skuadrën e tij që kishte marrë edukim civil. “Kolegët e mi ishin të gjithë ushtarakë profesionistë, ata ishin mësuar të jepnin dhe t’u bindeshin urdhrave”, tregon ai.
Ndaj Petrov mendon se nëse dikush tjetër do të ishte në turn, alarmi do të ishte marrë seriozisht. Disa ditë më pas Petrov mori një qortim zyrtar për atë që kishte ndodhur atë natë. Jo për atë që bëri, por për gabimet në ditarin e punës.
Ai heshti për dhjetë vjet. “Unë mendoja se ishte e turpshme për ushtrinë sovjetike që sistemi ynë dështoi në atë mënyrë”, thotë ai. Por pas rënies së Bashkimit Sovjetik, historia u publikua. Petrov mori disa nderime ndërkombëtare. Por ai nuk e quan veten një hero. “Ajo ishte puna ime, por ishte fat që isha unë në turnin e natës”, thotë oficeri.





