Lufta e portreteve, Ilir Meta gjen zgjidhjen e mesme “integruese”

Pas reagimit të presidentit Bujar Nishani për heqjen e portretit të tij nga zyrat e shtetit, ka folur edhe kryetari i Parlamentit Ilir Meta. Ai tha se nuk do e heqë portretin e Nishanit për faktin se nuk e ka gjetur atë në zyrë, duke “ja ngecur” praktikën e mosrespektimit të figurës së kreut të shtetit, paraardhëses Topalli. Në këtë linjë, ishte moment i ish presidentit Bamir Topi, që në një intervistë për gazetën Telegraf, të kujtonte precedentin e heqjes së portretit të tij çka e nisi ish- kryetarja e Kuvendit. Në kohën e konfliktit mes kreut të shtetit dhe mazhorancës së djathtë, e djathta vendosi që të ‘zhdukë’ portretin e Topit nga zyrat e shtetit. Madje kanali Top Channel ilustroi me pamje filmike praninë dhe pastaj mungesën e portretit të Bamir Topit. Sa për Metën, ai deklaroi me qetësi në stilin e vet “integrues” se krahas portretit të Nishanit, do vendoste edhe atë të Ismail Qemal Vlorës në zyrën e tij.