Lexime filozofike/ Mendimi i viteve ‘30 përballë socio-kulturës së sotme. Ese nga kjo plejadë, Branko Merxhani, botuar në vitin 1929
“Kemi lindur për dashurinë dhe vetëm me anën e saj njohim njëri-tjetrin. Kemi nevojë për dashurinë si lulja që ka nevojë për diell”. William Platt
Branko Merxhani
Të mos ju gënjejë titulli i sotmë. Do të bëj fjalë për FAMILJEN ashtu siç paraqitet brenda në përpjekjen moderniste të shoqërisë s’onë dhe ashtu siç e do Neo-Shqiptarisma.
Nuk shkruaj studime. Jap semplërisht disa Formula, që përmbajnë vijat e përgjithëshme të mendimevet të mia – mendime të derdhura brenda në kallëpe të ngushta. Për këtë nuk më intereson këtu as zhvillimi historik e filosofik i Familjes përgjithsisht, as influencat e saj positive ose negative mbi qytetërimet e vjetëra, as edhe lëvizja e sotme kryengritëse kundër institucioneve shoqërore, lëvizje e cila passi siguroi kaq lirira politike e shoqërore në favor të gravet në Evropë e në Amerikë, sot përpiqet të arrijë edhe Lirinë Seksuale të botës së bukur. Tendenca narcistike e Qytetërimit Europeo-Amerikan ndofta një ditë do t’a shuajë krejt institusionin monogamik të shoqërisë së sotme, t’i japë gruas ato të drejta dashurore që ka edhe burri, të legjitimojë produktet e mëmavet të pamartuara, djemt e dashurisë dhe të dëfrimit. Libra e famëshme e gjykatësit amerikan të dëgjuar Ben Lindsey mbi “Kryengritjen e djalërisë moderne”, është libra më e goditur e epokës. Anëtarët e “compagnonate marriage”, domethënë e “Martesës miqësore” shtohen dita me ditë. Qytetërimi Europeo-Amerikan shtroi nënë bisedim vlerën e formës së sotme së martesës dhe është e vërtetë se ata që dyshojnë nuk janë të paktë…
Po të gjitha këto janë hypotheza, dëshira dhe përpjekje të një bote, Qytetërimi partikolarist i së cilës ka një të shkuar të paktën dhjetë shekujsh. Pastaj këtë pikë e kam theksuar shumë herë: Intelektualët t’onë duhet që mendimet dhe vështrimet e tyre shoqërore t’i puthitin, sa të jetë e mundur më shumë, në sheshin e Socialitetit të popullit t’onë. Tendencat e përparuara dhe ekstremiste të Europeo-Amerikanismës janë shumë të rënda për supet t’ona. Ne kemi të tjera kujdesje, të tjera detyra. Sot-për-sot “le të punojmë kopshtin tonë”. S’jemi akoma të pregatitur që të zëmë as vendin më të vogël brënda në Pallatet e mendimit shoqëror…
Përgjegjësia realiste e peripetisë s’onë historike, domethënë pamundësia që nuk patëm dot një Shtet të vërtetë, me vethe dhe të vazhduar në as nonjë periodë të së shkuarës s’onë kombëtare, rrjeth kryesisht nga të shterpuarit e shpirtit t’onë shoqëror, nga anarkia dhe panjoftësia shoqërore e cila më tepër nga çdo gjë tjetër dëmtoi dhe prishi Institutin Familjar. Në këtë s’kanë faj as vazhdimi historik i shkeljevet të huaja influencat fataliste të Dogmatismës pseudo-Islamike. Burimi i së keqes është shumë më thellë. Në vënd që të hedhim sytë t’ona nga jashtë me shpresën dhe ngushëllimin se vetëm atje do të sbulojmë shkakët e së keqes, është më mirë të hedhim sytë në vetëhen t’onë brenda nesh, brenda në Unën t’onë shoqërore…
Shkaku i parë i anarkis s’onë Familjare është forma e jetës, që ka rojtur populli ynë shekuj me radhë, domethënë shumë përpara jo vetëm të sundimit turk, po edhe përpara sundimit romak-byzantin. Dhe është një rjedhje natyrale e konditavet sociologjike dhe psykologjike të kësaj jete, e cila e çveshi krejt entitetin t’onë shoqërorë nga çdo gjurmë Ideologjie shokërore. Nuk duhet të harrojmë kurrë se jemi stërnipërit e një populli, miku i vetëm edhe armiku i vetëm i të cilit ka qënë shekuj me radhë dyfeku, që mbante në krah. Kjo është arsyeja për të cilën, me gjithë egoismën tonë karakteristike dhe me gjithë Heroismën t’onë, ulëm kokën përpara forcës së zaptonjësvet. Jo vetëm ulëm kokën, po edhe u shërbyem interesavet të tyre me gjakun t’onë. Kjo prapë është arsyeja – dhe është një gjë shumë karakteristike nga pikëpamja e psykologjisë shoqërore – për të cilën një nga Intelektualët t’onë që zë një vënd të shkëlqyer në Historinë e Leteraturës së një popullit të huaj dhe zaptonjës, shkruan se “perioda më e pasur dhe më e lumtur e Historisë s’onë” ka qënë pikërisht perioda e hidhur dhe e errët e robërimit t’onë nga Turqit. Dhe kjo me qënë se në atë epokë stërgjyshërit t’onë të gjorë përpiqeshin me zëmër trime në vijat e luftës së zaptonjësit, po një ditë ktheheshin, në vatërën atërore të shkretuar, të ngarkuar me flori boll, me plaçka të shumta dhe me “kuaj të bukur” të fushavet të largme të Arabisë, Misirit dhe Hungarisë!…
Po paraja, dyfeku, “kuajt e bukur” dhe gjithë epopeja e plaçkavet me se u shpërblyen? U shpërblyen me sakrificën dhe përbuzjen e atdheut, të familjes dhe të Djalit. Kjo sakrificë, ky harim janë pamja e sbërthimit të njëzet shekujve shqiptare…
Të gjitha anët e kalives s’onë shoqërore qëndrojnë mbi themele të kalbura. Mbi këtë prishje është e pamundur të ngrihet një godinë e re. Për këtë detyra kryesore e brezit t’onë është që të hedhim themele të ra të forta për një shoqëri të re. Gjith përpjekja jonë qytetëronjëse nuk mundet veç se të ketë për qëllim puthitjen systematike të dispozitavet dhe energjirat kombëtare me nevojat e realitetit të sotmë dhe me kërkimet e Qytetërimit t’onë të nesërmë.
Kemi nevojë për një bazë për Korporatën t’onë Shoqërore të re. Kemi nevojë për një Familje shqipëtare nacionaliste. Vetëm kjo është e zonja të krijojë një karakter moral të ri dhe të na falë një formë të re jete. Djalëria Neo-Shqiptare do të hidhet në fushën e luftës shoqërore me bindjen e patundur se vetëm ahere do të triumfojnë Idealet e saj kur do të vijë ajo ditë e madhe, dita e Shqipërisë së Re në të cilën nuk do të ketë me as një pengim jo vetëm legjislatif po edhe preventif që të bashkojnë zemrat e tyre Djemtë dhe Vajzat të atdheut shqipëtar pa ndryshim dipendence fetar. Domethënë kërkojmë edhe ne një farë Liri Dashurore. Po me ndryshimin që, kur po bota e industrializuarë ka kryesisht për qëllim reformën e tipit Romak të Familjes, ne përkundrazi duan të krijojmë një vatrë familjare të typit Romak, vatrë e cila do të çdukë për herë edhe gjurmat e fundit të influencave fetare të huaja, do të marë vesh shpirtrat e popullit t’onë, do t’a nacionalizojë shtëpinë t’onë, do t’a shqiptarësojë Shqipërinë t’onë. Këtej e tutje fillon ruga e emancipimit të Shqipëtares…
Branko Merxhani (1894-1981) lindi në Turqi, qytet anonim. Një ndër publicistët më të njohur të para Luftës së II-të Botërore në Shqipëri ka, për ironi, jetën më të mjegullt.
Ishte çam i mërguar me kohë në Turqi, ndoshta me gjithë familjen. Ishte i krishterë. Guvernantja, ose nëna, ishte gjermane, u shkollua në kolegjin britanik në Izmir, studime për turkologji, studime të tjera për filozofi në Gjermani ose Austri. Kthehet një herë në Gjirokastër, kthehet në Ankara e m'andej rikthehet në Tiranë në vitet '20.
"Qe ndër të rrallët e ditur që u burrërua nëpërmjet mentalitetit të botës lindore e u brumos nëpërmjet diturisë dhe përparimit të botës perëndimore."
Është një prej atyre mendimtarësh që për historinë e kulturës shqiptare do ta meritonin të quhen "publicistë gjenialë", si një Konicë i Albanias, një Fishtë i Hyllit, një Nol i Diellit të Bostonit. Pasardhës i tyre kronologjikisht, Merxhani shfaqet si një ndër konfiguruesit dhe galvanizuesit më përfaqsimtarë të mendimit social e filozofik të inteligjencës shqiptare të viteve '30, ndonëse një karakteristikë kardinale do ta dallojë prej mjeshtërve paraardhës.
Në kapërcyell të viteve 1920-'30, kur ai hyn në jetën aktive intelektuale shqiptare, në një vend euraziatik, në Rusi, ka ndodhur diçka e papërfytyrueshme: është kryer një "revolucion". Radikalë e, përgjithësisht, intelektualë të së majtës i kanë kthyer sytë kah Bashkimi Sovjetik. Në kahun tjetër, në Perëndim, vazhdon të zotërojë kapitalizmi në formën e tij më të përparuar: imperializmi. Merxhani shkridhet pikërisht në këtë moment si gazetar i dorës së parë jo thjesht ngase eseja, fejtoni, artikulli, trafileti, vëzhgimi, analiza politike apo studimi shkencor i ndrydhur në rreptësinë e kufizës tipografike i japin pendës së tij një tendosje të pazakontë, një përqendrim dhe një fuqi komunikimi si rrallëkushi, por mbi të gjitha se ai, në këtë kapërcyell, shtron në tryezën e diskutimit intelektual të kohës dilemën e madhe shqiptare: nga Lindja apo nga Perëndimi ?
I përkufizuar si metafizik nga Petro Marko, arketipi i përpjekjes mendosre të të cilit e ka dhënë Platoni që në lashtësi. N'atë përpjekje mendore, n'atë kundërbotë ai paraqet programin për shndërrimin e një populli. Qysh më 1929 ai e quan neo-shqiptarismë. Faqet e gazetës Demokratia, dhe jetëshkurta Neo-shqiptarisma do të jenë hapsira ku zbatohet kjo utopi e re. Në vitet '30 oksidentalizmi është temë bisedash në kafe Kursal Berlin apo Bella Venezia, po edhe debatesh në gazeta. Nën trysninë e tyre gjithnjë në rritje Mbreti Zog I dekreton më 1935 një kabinet "të rinjsh", thuajse të gjithë të formimit Europian; kabineti do të ketë dëtyrë ta shndërrojë Shqipërinë. Merxhani i përkushton këtij viti një nga përvojat më të emancipuara të mendimit shqiptar të periudhës: vargun e artikujve të botuar njëpasnjë te Demokratia e Gjirokastrës, nën titullin Nga një librë e pabotuarë, një shkollë e vërtetë popullore, në të cilën sociologu filozof u dëfton shqiptarëve se ç'janë kultura e qytetërimi; ç'e dallon materializmin nga idealizmi; ç'përfaqsojnë individi dhe shoqëria; ç'marrëdhënie vendosen ms popullit e intelektualëve etj. Pas dështimit të kabinetit Frashëri vijon ciklin e shkrimeve Ç'është nacionalizma po te Demokratia. U do shpjeguar shqiptarëve se ç'janë komb e racë, karakter kombëtar, traditë dhe histori. Mbi të gjitha ravizon konturet e misionit të rinisë, djalërisë shqiptare. Pasi Italia pushton Etiopinë, luftës civile në Spanjë, Europa i kthehet fashizmit, që duket si e vetmja ideologji e aftë t'i kundërvihet komunizmit. Në trajta dhe më eksplicite përpiqet Merxhani t'ua kthjellojë lexuesve, tanimë te Illyria - ku nisi të bashkëpunojë nga marsi i 1934 der më 1936 nën redaksinë e Karl Gurakuqit, se cili është problemi i shqiptarismës, e si paraqitet përgjithësisht, problematiciteti shqiptar. Më 1935 shpërthen një revoltë në Fier e drejtuar nga intelektualë e oficerë, që mbytet me shpejtësi. Fill mbas kësaj, min. i Arsimit Mirash Ivanaj ofron dorëheqjen. Ndër të parët, ndërsa lufton doktrinën fashiste, Merxhani denoncon ekperimentin rus dhe lëshon alarmin e bolshevizmës në Shqipëri. Vendi kalon një krizë të rëndë. Në Korçë punëtorë e studentë protestojnë për "bukë dhe punë". Në Kuçovë punëtorët e naftës bëjnë grevë.
Nga faqet e Illyria-s a të Minerva-s utopisti ynë u ofron lexuesve mësime të A. Comte, Durheimit, Rénanit, Bergsonit, Nietzsches për t'u rrasur shqiptarëve në kokë idenë se e vetmaj mënyrë shndërrimi është ajo e revolucionit social, përmjet kulturës e moralit. Mbas disa shkrimesh që propozonin shtetin fashist te "Leka" e Etënve Jezuit nga Át Zef Valentini e Gjon Kamsi, Merxhani që nuk përtonte me i dalë haptas problemit, rrëfente çiltas se revoltat e njëpasnjëshme me ngjyrë bolshevike nuk zgjidhen me autokolona ushtarësh, por me kamionë me kollomboq. Themelon më 1936 "Përpjekja shqiptare" me Petro Markon, ku mësyente ta bënte një universitet popullor ku mund të shtroheshin probleme filozofike. Në të gjeheshin artikuj të mirë-shtjelluar në hulli të filozofisë, sociologjisë, historisë, gjuhësisë, arkeologjisë dhe pedagogjisë. Në një tentativë për kritikën letrare të mirëfilltë dhe mundim për t'i parashtruar lexuesit shqiptar risitë më bashkohore. La Shqipërinë në kohë të okupacionit fashist, në shenjë proteste.
Burimet
"Vepra ─ Branko Merxhani", përgatitë nga Aurel Plasari e Ndriçim Kulla "Plejad"; Tiranë - 2003. Tek hyrja përgatitë nga dr. Aurel Plasari
"Antologji e mendimit shqiptar 1870-1945" nga Ndriçim Kulla, "Plejad" 2003.
"Intervistë me vetveten" nga Petro Marko, "OMSCA", Tiranë, 2000.
Arshi Pipa: Komunizmi dhe shkrimtarët shqiptarë, 1959.
Robert Elsie: Historical Dictionary of Albania 2010
Përgatiti Flori Bruqi





