Një ditë më parë, presidenti sirian, Bashar al- Assad u shfaq sfidues në mediat perëndimore duke thënë se nuk ka prova që qeveria ka ndërmarrë sulmin kimik në Damask.
Po sot, Komisionieri për Refugjatët pranë OKB-së dha alarmin se kjo është katastrofa e shekullit.
Më shumë se 2 milion njerëz janë arratisur nga vendi që kur ka nisur konflikti, bëri të ditur UNHCR.
Në total janë 4.5 milion njerëz që janë zhvendosur brenda vendit.
Rreth një e treta e popullsisë është larguar nga shtëpitë, çka do thotë se kjo është kriza më e madhe e refugjatëve e shekullit.
Çdo ditë janë rreth 5 mijë persona që arratisen nga Siria për në vendet fqinje si Libani, Turqia dhe Jordani.
Aktorja Angelina Jolie është ndër të para që ka bërë thirrje për më shumë ndihma për këta refugjatë.
Nga ana tjetër, BBC raporton se presidenti amerikan, Barack Obama po përgatitet për një sulm të gjerë në Siri.
Ai ka njoftuar kongresmenët se ky sulm do i shkaktojë shumë dëme forcave qeveritare të Assad.
Nuk përjashtohet opsioni që shënjestër e sulmeve të jenë edhe grupimet radikale pranë Al Kaedës./ep

















