Një familje nga Stokholmi lë qytetin për t’u vendosur në një shtëpi të madhe dhe të ndriçuar në periferi, e cila është ideale për dimrin suedez
Suedezët e mallkojnë dimrin e tyre të zymtë dhe të gjatë, por për Xhoan dhe Ana Gorecki, një çift gjuetar shtëpish nga Stokholmi, stina doli se ishte një bekim i maskuar.
Në tetor të vitit 2008, një vilë e madhe funksionaliste e viteve ’30 në periferinë kryesore të Stokholmit, doli në shitje për një çmim prej 16 milionë kronorësh suedez ose afërsisht 2.45 milionë dollarë amerikanë.
Me një sipërfaqe prej 1219 metrash katrorë, tetë dhoma gjumi dhe pesë tualete, shtëpia ishte tepër e madhe. Ç’është më e rëndësishmja të gjitha dhomat përfshirë edhe kuzhinat, të përcillnin ndjesinë e ngushtësisë, të përkeqësuar akoma më shumë nga tavanet e ulëta të modernizmit suedez.
Në zymtësinë e dimrit stokholmjan, shtëpia ishte një shitje e vështirë për t’u realizuar. “Askush nuk ishte i interesuar”, tregon Xhoan Gorecki, një stilist i brendshëm 37-vjeçar, i cili krijon imazhe për reklamime. “Vetëm ne shprehëm interes”.
Çifti, i cili ka tre fëmijë të moshës nga 3 deri në 8 vjeç pagoi rreth 306,000 dollarë më pak sesa çmimi fillestar dhe i hyri punës për ristrukturimin e shtëpisë së tyre të re.
Puna nisi në fillim të vitit 2009 dhe nga fundi i po të njëjtit vit bashkëshortët lëvizën në shtëpinë e re. Familja jeton tani në një shtëpi me pesë dhoma gjumi, katër banja dhe me dy dhoma të tjera e një banjë speciale të projektuara vetëm për mysafirët.
Ata kanë gjithashtu edhe një kopsht fantastik, fasadë të re dhe dizajnim të brendshëm shumë miqësor. Disa nga shndërrimet kanë qenë drastike.
Dhoma e ndenjes dhe veranda e mbyllur ngjitur me të e cila nuk kishte sistem ngrohjeje, janë bashkuar duke hequr murin që i ndante përmes. Dhoma e ndenjes është mbushur me dritë natyrale, ndërsa veranda është bërë shumë më e ngrohtë.
“Kur e pashë për herë të parë, mendova se dhoma e ndenjes ishte shumë e mërzitshme, por tani që ne e përshtatëm më së miri me sistem zëri dhe gjithçka që duhej, ajo është kthyer në një vend ideal për të dëgjuar muzikë”, tregon bashkëshorti Gorecki.
Çifti vendosi që të sakrifikonte katër dhoma të vogla për të krijuar një kuzhinë të madhe dhe të rehatshme për amvisën e shtëpisë. Patjetër që shtëpisë nuk i mungon as oxhaku, i cili ka mbetur që prej viteve 1930.
Ana Gorecki, zonja e shtëpisë u mor me dizajnimin e brendshëm të të gjitha dhomave, të cilat i mbushi me mobilie të blera në ankande, në dyqanin e antikeve, por jo vetëm.
Portokallia e ngrohtë dhe tonet prej bronzi bënin kontrast me zonën e shkëlqyer të gatimit, e cila është ideuar në ngjyrë të bardhë dhe të zezë.
Në dhomën e ngrënies, çifti ka vendosur një tavolinë të viteve ’20, që është plotësuar nga një llambadar të praruar të shekullit të 19. Në dhomën e ndenjes, Ana vendosi mobilie moderne daneze të kombinuara me një gardërobë rozë të stilit rokoko.
Për nga arkitektura, shtëpia është një shembull i gjallë i funksionalizmit të hershëm që ishte shumë i përhapur në Suedi në shekullin 20. Vila ka gjithashtu disa elementë të stilit neoklasik, të njohur si Madhështia Suedeze, të shoqëruar me dizajnin prej xhami të shekullit të shkuar.
Për sa i përket dhomës së tyre të gjumit dhe dy tualeteve brenda saj, Xhoan dhe Ana vendosën që të sakrifikonin një tualet për ta kthyer atë në një dhomë gardërobe në të cilën mund të futesh dhe të qëndrosh derisa të gjesh veshjen perfekte.
Nga ana tjetër tualetin e vetëm ata e kanë dizajnuar me mermer jeshil suedez. Në kopsht ata vendosën të mbjellin trëndafila dhe lavendër, ndërsa fasadën e lyen me ngjyrë salmoni.
Çifti instaloi një sistem ngrohjeje gjeotermik të teknologjisë së lartë, i cili përdor një pompë nëntokësore, por ata nuk e zgjatën atë deri në kuzhinën, që është e pajisur me ngrohëse nën dysheme. “Në dimër faturat e energjisë elektrike janë të tmerrshme”, sqaron amvisa e shtëpisë.
Por i ftohti është akoma mik i çiftit. Shtëpia e ndërtuar në një pjerrësi sheh poshtë në detin Baltik të hijezuar nga gjethet në shumicën e vitit.
“Pamja është e mrekullueshme në vjeshtë dhe në dimër, kur gjethet nuk e pengojnë ujin e pastër të detit”, thotë Xhoan Gorecki duke buzëqeshur.
Çifti ka gjetur kështu mënyrën e duhur për të përballuar dimrin e zymtë dhe të gjatë suedez, jo vetëm përmjet sistemeve të ngrohjes, por edhe përmes dizajnimit të gjetur që i kanë bërë vilës 83-vjeçare.