Bujar Nishani: Ismail Qemali figurë e madhe, por portreti tim e kërkon Kushtetuta


bujar nishani edi rama









Presidenti Bujar Nishani është angazhuar për betejë me mazhorancën e re sa i përket vendimit për heqjen e portretit të tij nga zyrat e shtetit.
Nishani përmendi Kushtetutën që parashikon vendosjen e portretit të tij në zyra dhe tha se do të mbrojë Kushtetutën.
Ai shtoi se për fat të mirë ka mekanizma për të mbrojtur Kushtetutën.
“Është e padëgjuar më parë që një kryeministër ta nisë punën e tij duke hequr foton e presidentit të tij. Nuk ka ndodhur në asnjë vend, nuk duhet të ndodhë. Nuk është serioze. Kjo nuk është punë, është një gjest. Si i tillë nuk kërkon angazhime, lodhje, nuk kërkon fantazi, nuk kërkon inteligjencë dhe presidenti pret nga kryeministri që të bëjë punë dhe jo gjeste.
Kushtetuta e përcakton qartë që presidenti është kreu i shtetit dhe Kushtetuta ia ngarkon presidentit unitetin e vendit.
Ismail Bej Vlora është figurë e madhe e historisë sonë, por historia është histori dhe serioziteti ndaj shtetit është seriozitet ndaj shtetit. E rëndësishme është që Kushtetuta do mbrohet në çdo rast, por sforcimet për ta vendosur presidentin si kundërshtar politik nuk janë të shëndetshme për demokracinë. Unë mendoj se shqiptarët kanë nevojë për bashkim, punë, zhvillim ekonomik. Presidenti do të jetë gjithmonë në shërbim të unitetit të popullit dhe të mbrojtjes së Kushtetutës.
Për fat të mirë Shqipëria i ka të mbrojtura mekanizmat për mbrojtjen e Kushtetutës,” tha Nishani.
Ai i bëri komentet në mbyllje të samitit të presidentëve të rajonit.