Analiza: Mungesë pa leje në punët botërore, nga WILL MARSHALL, Foreign Policy

Politikanët amerikanë po braktisin përgjegjësitë e tyre në Lindjen e Mesme. Pasojat mund të jenë me të vërtetë shumë të rrezikshme, ndërsa republikanët dhe demokratët kanë një betejë me veten që mund të krijojë vakum pushteti
WILL MARSHALL, Foreign Policy

Vonë, në vitet 1960, britanikët sinjalizuan fundin e historisë së tyre të gjatë si fuqi botërore duke u tërhequr nga bazat ushtarake më të mëdha në të gjithë zonën në lindje të Kanalit të Suezit. Sot, ndërsa Shtëpia e Bardhë përballet me krizën në Siri, a mundet që SHBA-ja të përballet me momentin e vet “lindja e Suezit”?
Paralelet historike nuk janë ekzakte. Britania ishte një perandori; Shtetet e Bashkuara jo, pavarësisht polemikave tendencioze të krijuara nga antiamerikanët, nga Noam Chomsky te Glenn Greenwald. Britania sakaq ishte tejkaluar nga superfuqitë më të mëdha në vitet 1960. Kjo nuk i ka ndodhur SHBA-së dhe nuk ka gjasa t’i ndodhë as në një të ardhme të parashikueshme. Por debati mbi ndërhyrjen në Siri ka iluminuar disa çarje të mëdha dhe në zgjerim në konsensusin ndërkombëtarist që ka përforcuar udhëheqësinë botërore të SHBA-së që nga Lufta e Parë Botërore.
Ky konsensus është dobësuar deri në pikën e thyerjes nga sjellja partizane [e politikës amerikane] dhe nga skllavëria e republikanëve nga idetë liberale. Ndërsa Kongresi skeptik pret për një votim të mundshëm mbi propozimin e Presidentit Barack Obama për të përdorur forcën ushtarake kundër regjimit të Bashar al-Assad, pyetja e madhe është nëse SHBA munden të ruajnë kohezionin e brendshëm për të luajtur rol vendimtar në punët e botës.
Në fjalimin e tij më 10 shtator, Obama i kërkoi Kongresit të shtyjë votimin në pritje të një marrëveshjeje të mundshme me Rusinë, për transferimin e arsenalit sirian të armëve kimike në mbikëqyrje ndërkombëtare. Skema mund ta kursejë Obama-n nga sikleti i rrëzimit në Kongres, ku qëndrimi kundër bombardimeve amerikane duket se është ashpërsuar.
Por fakti që Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, njeriu që mundëson ekzistencën e Assad dhe kryetorturuesi i Presidentit të SHBA-së, është njeriu që po i jep një mundësi politike Obama-s, na bën ne të ndalojmë dhe të mendojmë mbi cilësitë e marrëveshjes.
Sa për fillim, marrëveshja mund të jetë e mirë për Obama-n, duke e lejuar atë të fuqizojë kërcënimin e përdorimit të luftës në rast se Assad nuk heq dorë nga armët kimike. Ajo mundet t’i japë Putinit edhe çmimin “Nobel” për Paqe. Por ajo nuk do t’i japë fund agonisë së popullit të Sirisë, pasi ajo i jep të drejtë Assad-it t’i vrasë ata me armë konvencionale.
Nëse Uashingtoni anulon përdorimin e forcës kundër Sirisë, siç kërkon Putin, do të paguajë një çmim shumë të lartë për zbatimin e rregullit kundër luftës kimike. Loja e rrezikshme ruse, për më tepër, ka edhe shumë dobësi nga pikëpamja praktike: për shembull, a mundet që Assad, i vënë pas murit, të dorëzojë armët e veta më të frikshme? Dhe a do të jenë të aftë inspektorët amerikanë të gjejnë dhe të heqin të gjitha armët kimike në mes të një zone lufte? Edhe nga pikëpamja thjesht logjistike, propozimi rus ka gjasa që është thuajse i pamundur.
Ndërsa kjo dramë luhet në Kombet e Bashkuara, beteja për shpirtin e huaj të Partisë Republikane vijon në shtëpi. Që kur izolacionizmi i çmendur u eliminua në vitet 1940, republikanët rrallëherë kanë qenë fjalëpakë kur vjen puna te projektimi i fuqisë amerikane. Përkundrazi, ata kanë reklamuar veten si parti e fuqisë ushtarake dhe nacionalizmit të paepur, veçanërisht pasi lufta e Vietnamit solli përçarje brenda Partisë Demokratike mbi ndërhyrjet ushtarake amerikane.
Por kjo ka ndodhur dikur, në kohën kur ariu sovjetik sillej vërdallë. Sot, republikanët e Partisë Tea, janë më të shqetësuar nga kërcënimet e krijuara nga Qeveria e Madhe. Ata lejuan bllokimin e buxhetit për të mbyllur vrimat e mëdha në buxhet, shkurtimin e shpenzimeve për mbrojtjen, masë për të cilën ish-sekretari i Mbrojtjes, Leon Panetta, paralajmëroi se “po e dobësojnë aftësinë e Shteteve të Bashkuara për t’iu përgjigjur me efikasitet ndaj një krize madhore në botë përtej zonës së luftës në Afganistan”. Ndërkohë, mendimi se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të shpenzojnë para dhe jetë për të dhënë siguri kolektive, të ruajnë vlerat liberale apo të mbajnë një sistem ndërkombëtar parazitar, ka emigruar nga ekstremi i liberalëve për t’u bërë rrymë kryesore te republikanët.
Dhe ndërsa e majta antiluftë, më së shumti ka ruajtur një nivel opozitarizmi të ulët, kryeliberalët si senatori Rand Paul apo si përfaqësuesi Justin Amash, po udhëheqin fushatën kundër propozimit të Obama-s për bombardime ndaj Sirisë. “Lufta duhet të ndodhë vetëm kur Amerika të sulmohet, kur të kërcënohet apo kur interesat amerikane të jenë sulmuar apo kërcënuar, – shkroi Paul së fundi. Pastrim etnik? Gjenocid? Gaz sarin mbi civilët? Më falni, por këto nuk janë problemet tona”.
Politika e vendosur kundër ndërhyrjes së liberalëve është pjesë e kërkesave të tyre për shkurtim radikal shpenzimesh dhe ulje taksash. Ato janë pjesë e këndvështrimit që thotë se Uashingtoni duhet të pakësohet në përmasa, në mënyrë që të mos ndërhyjë në tregjet private, të përgjojë mbi qytetarët apo të hyjë në konflikte që nuk shqetësojnë Shtetet e Bashkuara.
Megjithëse shpesh kjo është e fshehur në gjuhën e realpolitikës, ky qëndrim është me të vërtetë një lloj i ri neo-izolacionizmi. Ajo bën që Amerika të mos ketë më mundësi të mbajë forca ushtarake me shtrirje globale, pasi vetë ekzistenca e kapaciteteve të tilla e bën joshëse idenë e përzierjes në sherret e popujve të tjerë, ndërsa rrjedhoja e këtij hiperaktiviteti botëror thjesht sa krijon armiq të rinj e ushqen ndjenjat antiamerikane. Fakti që kjo kritikë tingëllon sikur vjen nga e majta antiluftë nuk i shqetëson paqedashësit e së djathtës. Ron Paul, i moshuari i madh i liberalizmit të ringjallur, tha: “Unë mendoj se ka një ngjarje historike që po zhvillohet këtu dhe nëse kjo votë fitohet – pra që kërkesa për një përqasje më ushtarake në Siri mposhtet – mendoj se do të jetë historike, për shkak se do të jetë një koalicion i madh i liberalëve republikanë dhe progresistëve demokratë”.
Ky kompromis politik i pagjasë mund të shpjegohet pjesërisht nga agresiviteti politik: Nëse Obama është në favor të një ndërhyrjeje ushtarake, ajo duhet të jetë një ide e gabuar në sytë e republikanëve. Pasi akuzoi më herët Obama-n për mungesë vendosmërie, ndërsa Assad masakronte civilët, senatori Marco Rubio – pa dyshim duke menduar për zgjedhjet e Partisë Republikane më 2016-n për nominimin e kandidatit për president – kundërshtoi planin e Obama-s për të përdorur forcën në votimin në Komitetin për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatorit.
Fondacioni Heritage, një institucion studimor konservator në Uashington, nga ana e vet, në mënyrë hileqare kundërshtoi bombardimin e kufizuar të forcave të Assad-it për sa kohë kjo ndërhyrje paraqitet si një veprim moral dhe jo si një domosdoshmëri strategjike e SHBA-së.
Në fakt, ka një argument të fuqishëm në lidhje me idenë se interesa jetësore të SHBA-së janë në lojë në Siri. Ajo që filloi si një protestë paqësore e “Pranverës arabe”, është kthyer në një luftë indirekte që e ndan rajonin përgjatë linjave sektare dhe e ka bërë Sirinë një magnet për xhihadistët.
Një valë përmbytëse refugjatësh rrezikon të destabilizojë Libanin fqinj, Jordaninë dhe Turqinë. Dhe nëse Assad triumfon – përmes mbështetjes aktive të Hezbollah, Iranit dhe Rusisë – kjo do të jetë një goditje e stërmadhe për interesat më të rëndësishme të sigurisë së SHBA-së në Lindjen e Mesme: ndalimin e ekstremizmit suni, mbylljen e programit bërthamor të Iranit dhe sigurimin e Izraelit. Ndikimi amerikan do të ulet, ai rus do të rritet dhe miqtë e Amerikës në rajon do të përpiqen të gjejnë mirëkuptim me aksin në rritje të udhëhequr nga Irani.
Megjithatë Obama nuk e ka paraqitur situatën në këtë mënyrë. Ai është bazuar te frika dhe tek argumentet morale, ironikisht të njëjtat taktika që George W. Bush përdori për të dërguar Shtetet e Bashkuara në Irak (megjithëse Obama, së paku duket se ka informacione më të mira).
Duke hequr dorë nga objektivi i ndryshimit të regjimit dhe duke këmbëngulur se ndërhyrja do të jetë e kufizuar – “në mënyrë të pabesueshme e vogël”, sipas fjalëve që i rrëshqitën nga goja John Kerry-t, të dizenjuara për të ndëshkuar dhe për të penguar Assad, Obama ka fituar tashmë mbështetjen nga disa liberalë me rëndësi, përfshirë republikanët Nancy Pelosi dhe Howard Dean.
Por shumë liberalë të tjerë nuk po binden nga këto argumente për luftë dhe fakti që Obama ka treguar mëdyshje në lidhje me Sirinë gjatë dy viteve të fundit nuk e ka ndihmuar shumë kauzën e tij. Duke këmbëngulur për bombardime ndëshkuese, ai po bën që Amerika të duket si një drejtor shkolle i epokës viktoriane, ajo po i godet lehtë nxënësit thjesht për t’i dhënë një leksion. Por Assad-i nuk është një nxënës shkolle. Ai është një tiran i pamëshirshëm që po bën krime çdo ditë kundër civilëve sirianë të paarmatosur – me apo pa gaz sarin. Njësoj si Saddam Hussein në Irak, Assad-i është arma finale e shkatërrimit në masë të Sirisë.
Nga të gjitha kuptimet, le ta testojmë gatishmërinë e tij për dorëzimin e armëve kimike. Por Uashingtoni duhet të ndërmarrë angazhime serioze për të furnizuar rebelët joesktremistë të Sirisë me armë, trajnim dhe informacion apo me mbështetje të tjera që nevojiten qoftë për të rrëzuar Assad, qoftë për ta detyruar atë të ulet në një tryezë për zgjidhje me kompromis.
Kjo nuk kërkon që çizmet amerikane të shkojnë në terren, Kongresi të japë autorizim apo Këshilli i Sigurisë i OKB-së të miratojë me konsensus. Por kjo mund të mbështesë interesat e sigurisë së SHBA-së në rajon ndërsa përforcon ligjet ndërkombëtare që dënojnë kryerjen e luftës kundër civilëve, me të gjitha mjetet e mundshme.
Për fat të keq, trashëgimia e keqe e “sindromës së Irakut” qëndron varur mbi këtë administratë, zëdhënësit e së cilës ikin si qen të frikësuar kur u sugjerohet se “ndryshimi i regjimit” duhet të jetë objektivi i SHBA-së në Siri. Kjo do të thotë se, nëse marrëveshja me rusët nuk zbatohet, Kongresi do të përballet me zgjedhjen e pakëndshme të autorizimit të një ndërhyrjeje të pakuptimtë ushtarake dhe cenimit të reputacionit të kryekomandantit.
“Refuzimi për të autorizuar forcën do të merret si një pikë kthese ideologjike”, argumenton ish-ndihmësi i Bush në Shtëpinë e Bardhë Michael Gerson. “Kombe si Kina, Rusia dhe Irani do ta shohin këtë si triumf të një koalicioni politik mes partisë së paqes në të majtë dhe të izolacionizmit në rritje djathtas. Dhe ata do të kenë të drejtë”.
Nëse ky koalicion del me sukses, tërheqja e fuqisë amerikane që do të pasojë, do ta lërë sistemin ndërkombëtar pa timon. Kur Britania u tërhoq nga Lindja e Mesme, ajo mund të bazohej te Shtetet e Bashkuara si fuqia që mbushi vakumin e krijuar. Por nëse SHBA tërhiqen, nga Lindja e Mesme apo gjithkund tjetër, nuk ka asnjë demokraci të fuqishme që po pret të zërë vendin e saj.