Ç’mendonte shkencëtari i madh për Zotin, Hitlerin, famën, familjen dhe jetën
Gjekë Gjonlekaj/New York
Revista e njohur amerikane “Discover” edicionin e fundit ia kushtoi Albert Einstein-it. Titulli i këtij shënimi te jashtëzakonshëm është “Universi i Einstein-it” dhe vazhdon: “Gjeniali më i famshëm i shekullit XX, flet për Zotin, për Hitlerin për Bombën Atomike por edhe për shumë çështje tjera, ku bëjnë pjesë më shumë se 50 letra të njohura e kontraversiale, dhe disa fjalime e citime. Einstein thotë: “Përjetimi më i bukur është misterioziteti, është ndjenja më e rëndësishme e djepit të artit dhe shkencës së vërtetë”.
Në këtë edicion special 90 faqesh të revistës “Discover”janë botuar shtatë kapituj të ndryshëm për jetën dhe veprimtarinë e Albert Einstein-it. ”Dritarja e teorive të Einsten-it dhe pikëpamjet e tij për jetën është hyrja e këtij edicioni përgatitur nga editori Becky Lang.
”POLITIKA DHE LUFTA”: “Njeriu duhet ndarë kohën mes politikës dhe ekuacioneve. Ekuacionet janë shumë të rëndësishme për mua. Politika është sot për sot. Ekuacionet janë përgjithmonë”. Në këtë kapitull Einstein thotë: ”Hitleri ishte një burrë me aftësi të kufizuara intelektuale, i pa aftë për punë të mira, që shpërthen nga zilia kundër atyre që kushtet dhe natyra u kishte dhënë më shumë se atij. Ai mblodhi rreth tij dhe organizoi dhunim njerëzor të rrugëve dhe kafeneve. Kjo ishte rruga që zgjodhi Hitleri për t’u bërë politikan”. Einstein thotë: ”Njerëzit në kushte të vështira të jetesës, nën trysni e çrregullime humbasin vetvetiu drejtpeshimin, duke ndjekur udhëheqës te çekuilibruar”, dhe vazhdon: ”Gjermanët si komb janë përgjegjës për vrasjet në masë dhe ata duhet të dënohen si popull për gabimin e tyre. Populli gjerman kishte mbështetur Partinë Naziste. Ata kishin votuar për Hitlerin, në kohën kur i kishte bërë të qarta në libra dhe fjalime qëllimet e tij të turpshme. Qëllimet e Hitlerit ishin shumë të qarta dhe nuk kishte lënë asnjë hapësirë për keqkuptim”. Ai thotë: “Pjesëmarrja ime në prodhimin e bombës atomike qëndronte në një akt të vetëm: Unë i shkrova letër Presidentit Roosvelt, ku theksova rëndësinë e një eksperimenti në shkallë të gjerë për fisibilitetin e prodhimit të bombës atomike. U ndjeva i detyruar ta bëja këtë hap sepse gjermanët mund të punonin në këtë drejtim dhe ata kishin çdo mundësi për sukses. Nuk kisha rrugë tjetër, pavarësisht se gjithë jetën kam qenë paqedashës (pacifist) i bindur”.
SHKENCA: Ardhmëria është përpara nesh nëqoftëse zgjedhim përparimin drejt lumturisë. Nëqoftëse nuk mund t’i harrojmë armiqësitë atëherë duhet të pranojmë vdekjen. Jemi krijesë njerëzore dhe për këtë i bëjmë thirrje kësaj krijese: ”Mendo për humanizmin personal dhe harro çdo gjë tjetër”. Einstein thotë: “Njerëzit edhe tani (pas luftës) jetojnë njësoj siç kanë jetuar më parë dhe shihet se nuk kanë mësuar asgjë nga ato tmerre. Mendja e tyre është ndërlikuar nga intrigat e vogla të para luftës. Çfarë krijesa të çuditshme që jemi” dhe vazhdon: “Aspekti më i rëndësishëm i politikës sonë për Izraelin është manifestimi i vullnetit të përhershëm për institucionalizimin e barazisë së plotë për qytetarët arabë që jetojnë në mesin tonë. Qëndrimi ynë ndaj pakicës arabe është provimi kryesor për standardin tonë moral si popull”.
“Vigjilenca ime ndaj natyrës së vërtetë të judaizmit kundërshton idenë e një shteti çifut me kufijtë, me ushtri dhe masa të tjera të fuqisë së përkohshme. Kam frikë nga dëmi që mund të shkaktojë judaizmi, sidomos nga përforcimi i një nacionalizmi të ngushtë në radhët tona që është dashur t’i luftojmë ashpër edhe atëherë kur nuk kishim shtetin tonë hebre. Kthimi ynë në komb në kuptimin politik të fjalës është baras largimit nga fryma shpirtërore e komunitetit tonë,që ua kemi borxh profetëve tanë dhe gjenialitetit të tyre”.
Einstein thotë: “Fizikani Max Plank ishte njëri nga personat më të mirë që kam njohur ndonjëherë në jetë, por ai nuk e kuptonte fizikën, sepse gjatë një eklipsi në vitin 1919 qëndroi i zgjuar gjithë natën për të parë nëse mund të vërtetonte thyerjen e dritës nga fusha e gravitacionit, përndryshe do të kishte rënë në gjumë siç bëra unë. Mekanika Quantum meriton respekt të madh. Por zërat e brendshëm më tregonin se kjo nuk ishte akoma rruga e vërtetë. Kjo teori tregon mjaft,por nuk afronte aspak drejt sekreteve të vjetra. Jam shumë i bindur se: “ Zoti nuk luan zare me universin”. Një orë ulur në karrige në park pranë një vajze të bukur, kalon si një minutë, ndërsa një minutë ulur mbi një stufë të nxehtë të duket si një orë. Një prej arsyeve që matematika gëzon më shumë respekt se shkencat e tjera,janë ligjet e saj absolutisht të qarta, ndërsa ato të shkencave tjera janë të diskutueshme dhe jetojnë në rreziqe të vazhdueshme se një ditë mund të hidhen poshtë nga të dhënat e zbulimeve të reja.
“JETA” Einstein thotë: ”Misterioziteti është përvoja më e bukur e jetës”. Ai që nuk e kupton këtë është i aftë sa një i vdekur dhe shuhet si qiriu. Misterioziteti lindi religjionin. Njohuria e ekzistencës për diçka që nuk mund të depërtojmë, pastaj perceptimet tona për shkaqe më të thella dhe për bukuritë më vezulluese,që në format më primitive janë të pranueshme në mendjen tonë, janë njohuri dhe këto emocione përbëjnë religjiozitetin e vërtetë; në këtë kuptim dhe vetëm në këtë mënyrë. Unë jam thellësisht fetar”, thotë Einstein. Ai thotë: “Sikur edhe një herë të isha djalë i rinj, nuk do të kisha bërë kurrë përpjekje për t’u bërë shkencëtar, dijetar ose mësues. Përpara do të kisha zgjedhur punën e hidraulikut, tregtarit shëtitës, duke shpresuar se do të gjeja një shkallë modeste të pavarësisë që akoma është e pranishme në rrethanat e sotme”. Për të fituar një përgjigje të mirë prej njerëzve është më mirë t’u ofrojmë diçka për stomakun sesa për trurin. Jam mirë, kur marrë parasysh se kam mbijetuar triumfues Nazizmin dhe dy gra. Qëndrimi im për Zotin është agnostik. Unë jam i bindur se ndërgjegjja e gjallë është primare për parimet morale të rregullimit dhe fisnikërimit të jetës dhe nuk kemi nevojë për idetë e ligjdhënësit, e veçanërisht të atij ligjdhënësi i cili vepron në bazë të shpërblimit ose dënimit. Einsteini kishte vetëm disa pasione. Një nga ato ishte zgjidhja e enigmave të cilat i vinin nga gjithë anët e botës. Alice Kahler thotë se i kishte sjellur Einsteinit Kryqin e Famshëm Kinez që ishte enigma më e ndërlikuar. Einsteni e zgjodhi këtë enigmë për 3 minuta. Ai fliste me zë të butë, por kur qeshej bumbullonte krejt dhoma.
FAMILJA. Einstein i shkruan gruas së parë Milevës se “pa të jeta nuk kishte kuptim, se pa të nuk do të kishte dëshirë për punë dhe nuk do të ishte i lumtur. Ju duhet të vazhdoni kërkimet tuaja dhe unë do të jem krenar për disertacionin tim të vogël, pavarësisht se mbetem njeri i zakonshëm. Nuk dua t’i humbas djemtë e mi, por edhe ata nuk dua të më humbasin mua. Pas atyre gjërave që kanë ndodhur marrëdhëniet tona miqësore kanë marrë fund. Lidhjet tona personale duhet të jenë në minimum. Ju duhet të qëndroni në Zvicër dhe dy herë në muaj duhet të më dërgoni lajme për fëmijët e mi të shtrenjtë. Po ju dërgoj disa lojëra për Albertin dhe Eduardin. Mos e harroni pianon, sepse muzika është kënaqësi për ju dhe për tjerët”. Ai i porosit djemtë që t’i pastrojnë dhëmbët çdo ditë, sepse kanë rëndësi për shëndetin. Unë i kam dhëmbët e mirë thotë Einstein dhe për këtë jam shumë i lumtur. Nga ato gjëra që gëzoni do të mësoni më shumë. Eduardi vuan nga skizofrenia. Mua sëmundja e tij më shkakton njëmijë mjerime që siç duket nuk ka shpresë për një ekzistencë normale. E kam humbur shpresën për mjekim. Mbase është më mirë që natyra të vazhdojë rrugën e vet. Margot Einstein thotë se Albert Einsteini ishte shumë i natyrshëm, ai ishte një copë natyre. Einsteni lundronte në det si Odiseu.
FAMA: Kur isha i rinj, nuk kërkoja dhe nuk prisja më shumë nga jeta se të ulesha i qetë në një kënd për të bërë punën time, pa zgjuar vëmendjen e publikut. Dhe tani shiko se çfarë ka ndodhur me mua. Charlie Chaplin i kishte thënë njëherë Einsteinit: “Mua më përgëzojnë, sepse të gjithë më kuptojnë, ndërsa ju, u përgëzojnë sepse nuk u kuptojnë”. Sot për shkak të sëmundjes qëndrova në shtrat, kështu mysafirët më vizituan si një zonjë të moshuar të shekullit tetëmbëdhjetë. Në atë kohë vizitat e tilla ishin modë në Paris. Por unë nuk jam grua dhe ky nuk është shekulli tetëmbëdhjetë. Një koleg imi në Princton pyeti: ”Në qoftë se Einsteini nuk e pëlqen famën e tij dhe kërkon jetë private, pse i mban flokët e gjata, pse e vesh xhaketën qesharake prej lëkure, pse nuk mbath çorapë dhe nuk vë kravatë? Përgjigjja ishte e thjeshtë. Kështu pakësonte nevojat e tij dhe duke i kufizuar ato fitonte më shumë liri. Einsteni është munduar të pakësoj në nivel minimum absolut. Një xhaketë prej lëkure zgjidh problemin e një setre për shumë vjet”, kishte thënë ai.
MUZIKA: “Sikur të mos isha fizikan, mbase kisha qenë muzikant. Shumë herë mendoj për muzikë. Për muzikë shoh ëndrra syhapur ditën për diell. Nga violina ime përjetoj gëzimin më të madh në jetë. Për jetën dhe veprën e Bach-ut iu them: dëgjoje,luaje,duaje e adhuroje—dhe mbylle gojën”. Djali i madh Hans Albert Einstein shumë herë më ka thënë se njëra prej gjërave më të rëndësishme në jetë ka qenë muzika. Kurdo që kishte hasur në pengesa dhe në situata të ndërlikuara kishte gjetur shpëtim në muzikë dhe kështu i kishte zgjidhur problemet e vështira.
****
10 fakte të rralla nga jeta e Albert Einstein (Anjshtajn)
1- Ajnshtajni ishte një bebe e shëndoshë me një kokë të madhe
Kur nëna e Albertit, Paulinë e lindi, koka e tij ishte kaq e madhe dhe e shtrembëruar, sa ajo kujtoi se mos ishte e deformuar. Fundi i kokës së tij ishte shumë i madh, aq familja mendoi se ishte ishte një fëmijë anormal. Megjithatë, ndërsa javët kaluan ata e kuptuan se ai ishte një fëmijë si gjithë të tjerët. Ndryshe nga përshtypja e parë, Alberti u rrit normalisht, vetëm se ishte pak i ngadaltë.
2- Ajnshtajni-fëmijë kishte vështirësi në të folur
Kur ishte fëmijë, Ajnshtajni fliste rrallë dhe shumë ngadalë. Kjo vinte pasi e mendonte të gjithë fjalinë dhe më pas e pëshpëriste para se ta thoshte. Këtë e bëri rregullisht deri në moshën 9-vjeçare. Prindërit u trembën duke menduar se mos ishte i vonuar, por sigurisht më vonë doli e kundërta. Është pikërisht kjo që është quajtur sindroma e Ajnshtajnit. Një historian ka krijuar një barsaletë. Prindërit e tij ishin të shqetësuar pasi ai nuk fliste. Kur një mbrëmje foli dhe tha: “Supa është e nxehtë.” prindërit e pyetën pse nuk kishte folur më parë. Ai i përgjigjet: “Sepse gjithçka ishte në rregull”.
3- Ajnshtajni është frymëzuar nga një busull
Kur Ajnshtajni ishte pesë vjeç dhe i sëmurë në shtrat, babai i tregoi diçka që i nxiti interesin për shkencën: një busull. Ndërsa qëndronte i shtrirë, babai nxori një busull të thjeshtë xhepi. Ajo që i interesonte Ajnshtajnit të ri ishte se sa herë që kutia ndërronte pozicion, gjilpëra kthehej në të njëjtin drejtim. Ai mendoi se duhet të kishte ndonjë forcë në atë që konsiderohej si hapësirë boshe që e bënte gjilpërën të lëvizte. Ky incident i zakonshëm është përmendur shpesh në shumë rrëfime të jetës së tij.
4- Ajnshtajni ngeli në provimin e hyrjes për në universitet
Në vitin 1895, në moshën 17-vjeçare, Albert Ajnshtajn aplikoi për të hyrë në Shkollën Politeknike Federale Zvicerane (Eidgenössische Technische Hochschule). Tek provimet e hyrjes ai kaloi ata të matematikës dhe të shkencës, por ngeli tek të tjerat. Ndër lëndët ku nuk shkonte mirë ishte historia, gjuhët e huaja, gjeografia, …. Ajnshtajni duke ribërë provimin më në fund u pranua tek i njëjti universitet një vit më vonë.
5- Ajnshtajni kishte një fëmijë të paligjshëm
Në vitin 1980, letrat private të Ajnshtajnit kanë zbuluar diçka të re për gjeniun. Kishte një vajzë të paligjshme me ish-studenten Mileva Marić, me të cilën u martua më vonë. Në vitin 1902, një vit para martesës, Mileva lindi në familjen e prindërve në Berne një vajzë me emrin Lieserl, të cilën Ajnshtajni kurrë nuk e pa dhe për të cilën nuk dihet gjë. Ajo është pagëzuar dhe jetoi me familjen e Milevës. Mendohet se ajo vdiq nga ethet në shtator 1903.
6- Ajnshtajni u largua nga gruaja e parë, pastaj propozoi një “kontratë” të çuditshme
Pasi ai dhe Mileva u martuan , patën dy djem, Hans Albert dhe Eduard. Suksesi akademik dhe udhëtimet e tij nëpër botë dhanë “çmimin e tyre”. Ai u distancua nga gruaja e tij, por ndërkohë kohë çifti u përpoq të rregullonte këtë problem duke i propozuar Milevës një “kontratë” të çuditshme për të bashkëjetuar. Kushtet ishin që: rrobat të ishin të pastra dhe të hekurosura, që ajo t’i çonte tre vakte të ngrohta në dhomë, që dhoma dhe studioja të ishin të pastra (përveç tavolinës së punës), dhe që ajo të pushonte së foluri kur ai t’ia kërkonte. Mileva e pranoi dhe ai i premtoi se do të konsideronte të huaj çdo grua tjetër.
7- Ajnshtajni nuk shkonte mirë me djalin e madh
Pas divorcit, marrëdhënia e Ajnshtajnit me djalin e madh nuk ishte e njëjtë. Hansi fajësonte të atin për ndarjen nga Mileva. Pasi Ajnshtajni fitoi Çmimin Nobel dhe paratë, i dha ish bashkëshortes vetëm interesat dhe jo shumën e madhe të çmimit. Grindjet mes tyre u shtuan kur Ajnshtajni kundërshtoi martesën e djalit me Frieda Knecht, sepse ajo ishte “më e madhe dhe e shëmtuar”. Kur ata u martuan, Ajnshtajni i kërkoi djalit të mos bënin fëmijë, pasi kjo do ta bënte divorcin edhe më të vështirë. I biri emigroi në Amerikë.
8- Ajnshtajni ishte i preferuari i grave
Kur Ajnshtajni u divorcua me Milevën në vitin 1919, ai u martua me kushërirën e tij, Elsa Lowenthal. Në të vërtetë ai donte të martohej me vajzën e Elsës e cila quhej Ilse dhe që ishte 18 vite më e re se ai, por ajo e kundërshtoi. Ndryshe nga Mileva, shqetësimi kryesor i Elsës ishte të kujdesej për burrin e saj të famshëm. Ajo i dinte dhe i toleronte tradhtitë dhe lidhjet dashurore të tij, të cilat zbulohen më vonë në letrat e tij. Fillimisht e tradhtoi me sekretaren, Betty Neumann, por korrespondenca e tij tregon se ishte i lidhur me gjashtë gra, mes tyre dhe një spiune ruse.
9- Ajnshtajni, një pacifist lufte, sugjeroi ndërtimin e bombës atomike
Në vitin 1939 i alarmuar nga shumimi i Gjermanisë naziste, Leo Szilard e bindi Ajnshtajnin t’i shkruante një letër presidentit amerikan Franklin Roosevelt, ku e paralajmëronte se Gjermania naziste po krijonte një bombë atomike dhe i sugjeronte Shteteve të Bashkuara të zhvillonin bombën e tyre. Letra e Ajnshtajnit dhe Szilardit konsiderohet si një nga arsyet që Roosvelti filloi Projektin Manhattan për të krijonte bombën, edhe pse më vonë u zbulua se bombardimi i Pearl Harbor në vitin 1941 e bindi më shumë qeverinë se sa letra e tyre. Edhe pse ai ishte fizikan i shkëlqyer, ushtria e konsideronte si rrezik sigurie dhe nuk e ftuan në projekt.
10- Truri ka shëtitur në kavanoz për 43 vjet
Pas vdekjes në vitin 1955, truri i Ajnshtajnit u hoq pa lejen e familjes nga Thomas Harvey që kreu autopsinë. Ai e mori trurin në shtëpinë e tij. Shumë vite më vonë, kur Harvey mori leje nga Hansi ta studionte trurin, i dërgoi copëza disa shkencëtarëve në të gjithë botën. Njëra prej tyre ishte Marian Diamond nga Universiteti Berkeley, e cila zbuloi se ai kishte më shumë qeliza në atë pjesë të trurit që ishte përgjegjëse për sintetizimin e informacionit. Neuronet e trurit të tij ishin më të madha se normalja, si dhe komunikonin më mirë me njëri tjetrin.






