Washington Post publikon dokumente sekrete të NSA

Agjencia për Siguri Kombëtare (NSA) ka shkelur rregullat për privatësi të SHBA-ve apo ka vepruar përtej autoritetit të saj ligjor më mijëra herë që prej se i janë dhënë të drejta të reja në vitin 2008.
Lajmi bëhet i ditur nga gazeta “The Washington Post”, e cila shkruan se mbështetet në dokumente sekrete dhe një auditim të brendshëm të NSA që e ka marrë prej Edward Snowden, ish kontraktori i kësaj agjencie që është akuzuar për spiunim nga autoritetet amerikane.
Snowdenit i është dhënë azil në Rusi gjatë këtij muaji.
Gazeta amerikane shkruan se shumica e shkeljeve që janë bërë nga NSA përfshijnë vëzhgim të pa-autorizuar të amerikanëve apo caqeve të inteligjencës së huaj në SHBA. Stafi i NSA është udhëzuar që të ndryshojë raportet që i janë dërguar Departamentit të Drejtësisë dhe zyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare.
NSA u kundërpërgjigj ndaj historisë së “The Post”, duke thënë se “një varietet faktorësh mund të shkaktojnë rritjen apo uljen e numrit të incidenteve, nga një tremujor në tjetrin”.