Milton Friedman
Historia përsërit jo shpesh vetveten. Për më tej “nuk ka asgjë të re nën këtë diell.” Viti 1976 nuk është viti 1776. Por mund të themi me siguri që ka shumë gjëra të ngjashme që e bëjnë veprën The Health of Nations të Adam Smith, jo vetëm në 100-vjetorin e saj në vitin 1876, por edhe sot në vitin 1976, si një vepër po aq relevante dhe të domosdoshme. Edhe sot, ashtu si në vitin 1776, të cilit ai i referohej: -“Pavarësisht masave shtrënguese, barrës fiskale më të rëndë apo ndalimit të plotë të importit të tyre, produktet e importuara nuk e bëjnë më të lehtë apo më pak të sigurt monopolin në marketin vendas për të njëjtin produkt të prodhuar nga industria vendase”. Sot, në një shkallë shumë më të madhe se në vitin 1776, kufizimet në shkëmbimet tregtare me botën përbëjnë një intervenim direkt në shkëmbimin brenda vendit. Ashtu si atëherë, shteti tejkalon absolutisht funksionin elementar të tij ndaj marketit të lirë, të cilin Adam Smith e shihte si “një sistem qartësisht të thjeshtë të lirisë natyrore”. Adam Smith ishte një radikal revolucionar i kohës së tij, por sot ne jemi predikuesit e laissez- faire të tij të kohës sonë. Ai nuk ishte apollogjeu i tregtarëve apo industrialistëve, apo për me tepër, mbrojtës i grupeve të caktuara të interesit, ku në fakt këto të fundit ai i shihte si një pengesë e madhe e Laissez-faire, ashtu siç ne besojmë sot. Po ashtu si ne sot, ai nuk kishte një konfidencë të madhe në shanset për sukses, kjo vihet re kur ai shkruan: “Të presësh që liria e shkëmbimit të mund të rivendoset në Britaninë e Madhe, është po aq absurde sa të mendosh që Oqeania apo Utopia mund të rikthehet aty. Këtu nuk është vetëm paragjykimi i opinionit publik, por ajo çfarë është shumë më e vështirë për ta luftuar, është rezistenca e interesave private të shumë individëve që e kundërshtojnë atë. Ashtu si oficerët e një ushtrie do të kundërshtonin reduktimin e forcave, me të njëjtin zell, pronarët e manifakturave do të viheshin kundër çdo ligji që do të kishte të ngjarë të rriste numrin e prodhuesve të të njëjtit produkt në marketin e brendshëm. Ky lloj monopoli ka rritur shumë numrin e disa klaneve, të cilat ashtu si një ushtri e shumëfishuar, ato i janë ngjitur qeverisë duke intimiduar në shumë raste edhe legjislativin gjithashtu. Një legjislator në parlament, i cili suporton fuqishëm forcimin e këtij monopoli, do të duhej jo vetëm të krijonte reputacion të plotë për krijimin e këtyre politikave proteksioniste legjislative, por duhet të influencojë edhe legjislatorë të tjerë. Nëse dikush i kundërshton ato, apo ushtron autoritetin e tij qoftë edhe në një nivel minimal, ai do të ballafaqohej jo vetëm me fyerje apo provokime personale, por mund të rrezikohej edhe jeta e tij. Dhe e gjitha kjo do të vinte si pasojë e një tërbimi dhe pakënaqësie të monopolistëve të fushës përkatëse”. Sot ne jemi në të njëjtat kondita si atëherë, me ndryshimin se skopi i këtyre klaneve është zgjeruar akoma më tepër, ku përfshihen jo vetëm korporatat të mbrojtura nga kompeticioni, por edhe tred-unionet, sindikatat, grupet e ndihmës sociale e kështu me radhë. Pesimizmi i shprehur nga Adam Smith në atë kohë, duket të jetë pak i justifikuar krahasuar me kohën e sotme. Në vitin 1846, shtatëdhjetë vite pas daljes së The Wealth of Nations, apelimi i Corn Laws në Britaninë e Madhe çoi në një përafrim të ngjashëm me atë liri të shkëmbimit në treg të cilën Smith e kishte ëndërruar. Ndërkohë që në anën tjetër të Atlantikut, një shkallë e lartë e lirisë së kompeticionit të tregut të brendshëm ishte arrirë, por asgjë nuk ishte bërë lidhur me kompeticionin në fushën e shkëmbimin ndërkombëtar. Gjatë shekullit të kaluar ne kemi konstatuar një cikël të plotë. Ku në mbarë botën, përfshirë të gjitha sferat, liritë e marketit të brendshëm dhe ato ndërkombëtare janë kufizuar akoma më shumë. Kufizimet janë shtrirë sa te njëra palë në tjetrën. Edhe kur këtu në SHBA, ku marketi i brendshëm është i lirë, qeveria amerikane është shumë larg jo vetëm nga koha e Adam Smith, por edhe më larg se gjatë një shekulli më parë kur laisse-faire ishte nën shtrëngesa të mëdha. Sot, në vitin 1976, të vetmin mesazh pozitiv që ne mund të nxjerrim nga mësimet e Adam Smith është se ne do të ishim shumë të gabuar nëse do të mendonim se liria e shkëmbimit në SHBA apo Britaninë e Madhe, apo Oqeania ose Utopia, nuk do të mund të rivendosej e zhvillohej me siguri në këto vende. ÇËSHTJE SPECIFIKE Adam Smith, sot në vitin 1976, është aktual dhe i rëndësishëm jo vetëm në sensin e përgjithshëm të trajtuar më sipër, por na ka ndihmuar të kuptojmë dhe të na vërë në lëvizje të reflektojmë për “tejqeverisje të shoqërisë“ sipas frazës së Walter Lippman, gjithashtu, lidhur këto shumë ngushtë me disa politika specifike. Unë do përpiqem të demonstroj rëndësinë e jashtëzakonshme bashkëkohore të The Wealth of Nations sipas shembujve të marrë nga vendi im, por unë nuk kam asnjë dyshim se të njëjtët shembuj do të jenë prezentë edhe në vendet nga të cilat kolegët e mi vijnë. Kohët e fundit, të gjithë ne jemi tronditur dhe rraskapitur nga garat primare presidenciale dhe fushatat elektorale në vend. A mund të përcaktohet më qartë dhe më thjesht se Adam Smith, lidhur me karakteristikat dhe vlerat e këtyre njerëzve, me taktikat afatshkurtër e afatgjata të tyre, kur ai i përshkruante dhe u referohej si “ Kafshë tinëzare dhe dinake që në mënyrë vulgare e quajnë veten shtetarë dhe politikan, ndërkohë që edhe këshilltarët e tyre janë direkt të lidhur me struktura apo të ndërvarur nga afera dhe interesa të çastit ”? Propozimi kryesor i Partisë Demokratike është Ligji Humphrey-Hawkins, i cili është dizenjuar për të “vendosur një proces me shtrirje kohore të gjerë të planifikimit ekonomik”, plan i cili do të krijonte premisa për realizimin e një objektivi për rritjen e punësimit me 3%, gjë që duhet të arrihet brenda 4 vitesh, kohë në të cilën do të shtrihej ky akt legjislativ. Gjithashtu ky ligj do të bashkëngjitej me akte të tjera për qeverinë për të bërë të mundur realizimin e tij. Në procesin e diskutimit me pro dhe kundër të këtij projektligji që nga varianti i parë i njohur Humphrey-Javit, kjo referencë nuk mund të jetë më saktë e shprehur se sa në komentet e Adam Smith, ku ai thotë: ”Një shtetar, duhet që të inkurajojë e të udhëzojë njerëzit private në atë që ata dëshirojnë të investojnë kapitalet e tyre dhe nuk duhet aspak të ndërmarrë akte të tilla apo që të këshillojë, a propozojë në senat ligje të tilla që jo vetëm janë të dëmshme për interesin e njerëzve, por për më tepër, bëhen duke abuzuar me autoritetin e dhënë për ta ushtruar atë“ A kemi ndonjë shkrimtar për politikanët tanë që ta ketë përshkruar Hubert Humphreyn më saktë apo në mënyrë më shkatërrimtare sesa përshkrimi i mësipërm i Smith? Më tej, konsideroni komentet e Adam Smith lidhur me propozimin e kandidatit për president Ronald Reagan për decentralizimin e qeverisë federale, duke iu rikthyer përsëri funksionin e pagimit të taksave për t’u bërë nga qeveritë lokale të shteteve apo të qyteteve dhe jo nga qeveria qendrore: “Abuzimet e mundshme me të ardhurat, të cilat hasen disa herë në pushtetet lokale apo provinciale, sado të shëmtuara apo të mprehta që duken, në të vërtetë, ato janë krejt të padëmshme dhe të papërfillshme krahasuar me ato që mund të ndodhin në një perandori të madhe. Të parat janë shumë herë më tepër lehtësisht të riparueshme. 4. Le ta peshojmë këtë koment nën efektet e rritjes së ndërhyrjes së qeverisë në biznes me anë të krijimit të strukturave ICC (International Code Concil), FCC (Federal Communication Commmission), Amtrak, Con-rail etj., etj. Sido që qeveria përpiqet me një sërë masash, pa më të voglin dyshim, ajo ka shkaktuar ngadalësimin e zhvillimit në vend, duke mos qenë aspak në gjendje të ulë dëmin apo zvogëlojë efektin negativ…. Përpjekjet uniforme, konstante dhe të pa ndërprera të një njeriu për të përmirësuar jetën e tij, është principi themelor nga i cili përfiton gjithë shoqëria dhe kombi. Për të njëjtën arsye, pasuria private origjinalisht e derivuar, ka fuqi të mjaftueshme për të mbajtur e vazhduar një proces natyral të gjërave drejt një progresi dhe përmirësimi megjithë ekstravagancën e shtetit dhe gabimet e mëdha të administratës publike. Ky koment është veçanërisht relevant nën dritën e tendencave në rritje nga kundërshtarët e lirisë së tregut, për t’ia atribuuar të gjitha defektet e kësaj bote marketit të lirë, ku ndërkohë të gjitha arritjet dhe zhvillimet t’i dedikohen ndërhyrjes së shtetit. Por ashtu, siç e ka përcaktuar Smith, progresi vjen dhe do të vazhdojë pavarësisht ndërhyrjes së shtetit në market. John Kenneth Galbraith, i cili aktualisht po bën një emision serial televiziv tek BBC rreth moshës dhe ndikimit të ekonomistëve në jetën publike, përpiqet të argumentojë pikëpamje të ndryshme nga ato të miat rreth vlerave të kohës së sotme të Adam Smith. Ndër të tjera në këto emisione ai thotë: “Duhet bërë një dallim thelbësor ndërmjet asaj çfarë ishte e rëndësishme për shoqërinë në vitin 1776 dhe të asaj çfarë është e rëndësishme sot- duke shtuar- dakord për atë kohë, por lidhur me keqpërdorimin e Adam Smith duke e quajtur atë një profet të kohës sonë, është shumë e keqpërdorur. Adam Smith nuk është një profet i kohës”. Ndoshta kjo sjellje e tij është reaksion mbrojtës ndaj ofensivës shkatërrimtare të Smith që në vitin 1776, kur tezat e Smith rrënonin edhe “Affluent Society” e vitit 1958 e Galbraith lidhur me theksin e tij rreth kontrastit midis bollëkut privat dhe mjerimit të pjesës tjetër të publikut, si dhe për denigrimin që Galbraith i bën “Kurriz-peshqve” (pronarëve të makinave në formë kurriz peshku, modele luksoze të makinave të viteve ‘50 dhe ‘60) si dhe kur përdor shprehje të tjera që vënë në dyshim moralin e konsumatorit. Sipas Smith: “Kjo presupozon pafytyrësinë më të madhe… kur mbretër apo ministra pretendojnë të kontrollojnë ekonominë private të njerëzve duke ngushtuar shpenzimet e tyre ose nëpërmjet ligjeve për kufizimin e shpenzimeve ose ndalimit të importimit të prodhimeve të luksit nga vende të tjera. Ndërkohë që ata vetë janë shpenzuesit-vjedhës pa përjashtim më të mëdhenj të shoqërisë. Le të shikojnë ata veten e tyre me shpenzimet që bëjnë në kurriz të njerëzve që u kanë besuar atyre. Nëse ata mendojnë se ekstravaganca e tyre nuk e dëmtoka shtetin dhe ekonominë, aq më pak e bëjnë këtë shpenzimet e këtyre që i kanë paratë e tyre. “Rreth kësaj situate, komentet shkatërrimtare të Smith do të ishin: “Nuk ekziston deri më sot ndonjë art, apo që një qeveri të ketë adoptuar ndonjë metodë tjetër, përveç thithjes së parave nga xhepat e popullit të vet”. Një tjetër aspekt i rëndësisë së Smith për problemet specifike, është dhe komenti i tij i proklamuar gjerësisht rreth “përgjegjësisë sociale të biznesit” i cili denigrohet në mënyrë të shëmtuar nga stacione televizive duke e portretizuar EXXON dhe kompani të tjera analoge sikur funksioni themelor i tyre të ishte prezervimi i mjedisit. Smith thotë se “Asnjëherë nuk kam parë e dëgjuar që të bëhen kaq gjëra të mira për shoqërinë sesa me këto biznese”. Më tej ai shton “pa dyshim që ky përbën një impakt të madh, të pakrahasueshëm me asnjë formë tjetër tregtie që gjithnjë punëson pa ndërprerje njerëz”. Përktheu Luan Kola/mapo