Vëllazëria Myslimane: 200 persona janë të vrarë dhe 8 mijë të plagosur

Egjipti është përfshirë mes kaosit, konfuzionit pasi forcat e sigurisë ndërmorrën një aksion për shkatërrimin e dy kampeve protestuese në Kajro që janë ngritur nga mbështetësit e presidentit të rrëzuar, Muhammad Morsi.
Policia që në orët e para të mëngjesit të sotëm ka tentuar të largojë protestuesit të cilët kishin ngritur që prej disa ditësh kampe në dy zonat kryesore të kryeqytit. Forcat e sigurisë qëlluan me plumba gome dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat dhe helikopterë të ushtrisë kontrollinin zonën. Mes këtij kaosi raportohen shifra të ndryshme për viktimat.
Vëllazëria Myslimane raporton për 200 protestues pro Morsit të vdekur dhe për më shumë se 8 mijë të plagosur. Në mëngjes u raportua shifra 120 të vdekur. Zv/kreu i Shërbimit të Emergjencave thotë se janë 5 protestues të vdekur dhe 26 të plagosur Nga ana e saj Ministria e Brendshme thotë se janë vrarë 2 zyrtarë të sigurisë dhe 9 të tjerë u plagosën teksa u përpoqën të shpërndanin protestuesit. “Në këtë kaos në rrugë është e pamudur të bësh verifikimet sa i takon një shifre të saktë të viktimave”- raporton CNN, para pak minutash.
Ministria e Brendshme lëshoi një deklaratë ku thuhej se forcat e sigurisë ishin duke marrë “masat e nevojshme” kundër protestuesve në xhaminë el-Adevije Rabaa në lindje të Kajros dhe në sheshin Nahda. Rritet bilanci i viktimave, janë më shumë se 500 të vdekur që kur presidenti u rrëzua më 3 korrik. Miliona njerëz kanë dalë në rrugë për të kërkuar largimin e Morsi-t, por korrespondentët e mediave të huaja thonë se rrëzimi i tij ka thelluar ndarjet në shoqërinë egjiptiane.

Ndërkohë, presidenti i përkohshëm Adly Mnasour ka emëruar disa gjeneralë si guvernatorë të provincave, duke rikthyer një nga taktikat e ish-presidentit Hosni Mubarak. Madje një gjeneral i ushtrisë i sapoemëruar, është filmuar në trazirat e 2011-s duke ngritur armën ndaj disa protestuesve , të cilët luteshin për jetët e tyre. Autoritarizmi i Mubarakut konsistonte në përdorimin e guvernatorëve për të pasur besnikërinë e oficerëve të lartë.