Kanë dëgjuar ritmet e Gangnam Style dhe nuk kanë mundur të rezistojnë. Një grup ushtarësh izraelitë të cilët ishin me shërbim në Hebroni në Bregun Perëndimor, një nga zonat më të nxehta të përleshjeve mes ushtarëve izraelitë dhe palestinezëve, janë futur në një lokal ku bëhej një dasmë palestineze dhe janë shfrenuar nën ritmet e Gangnam Style së bashku me dasmorët vendas. Në një video që qarkullon në you tube shihet qartë se si ushtaret me armë dhe helmeta kërcejnë mbi supet e palestinezëve.
Por momenti i ‘paqes’ mes izraelitëve dhe palestinezëve është filmuar nga dikush me telefon dhe kjo duket se u ka sjellë vërtetë telashe ushtarëve. Autoritetet ushtarake izraelite kanë marrë masa disiplinore ndaj ushtarëve duke i pezulluar, pasi ata kanë shkelur rregulloren duke braktisur patrullimin e duke iu ekspozuar në mënyrë të panevojshme rrezikut.





