Reshjet e shiut e në disa zona edhe breshër, kanë përfshirë një pjesë të madhe të vendit. Vlora ishte qyteti më i prekur nga stuhia, ndërsa dallgët shkuan deri në 4 ballë. Për pasojë, pushuesit e kanë humbur një ditë plazhi. Por meteorologët parashikojnë se edhe e diela do të jetë me mot të keq.
Në Sarandë disa pushues janë bllokuar tek vendi që njihet si Plazhi i Pasqyrave dhe është dashur ndërhyrja e policisë për të evakuuar njerëzit, pasi deti kishte shumë dallgë dhe gjiri ku laheshin këta pushues u izolua.
Tiranë u pushtua që prej orëve të pasdites nga një rrebesh i fortë dhe i vazhdueshëm.
Por reshjet kanë patur edhe efekte pozitive në qytete të tjera. Në Pukë, shiu i dendur ka shuar flakët e zjarrit që po digjnin disa hektarë pyje e kullota.