Pse prokuroria shqiptare nuk nisi hetimet, heshtja misterioze e Tiranës zyrtare
Nga Shpëtim Zinxhirija, Athinë
Indiferentizmi i shtetit shqiptar ka arritur kulmin, aq sa organizmi më i madh ndërkombëtar OKB-ja, i kujton herë pas herë shtetit shqiptar se në Greqi janë zhdukur në mënyrë tragjike 502 fëmijë shqiptarë të moshës nga 4-12 vjeç. Por nga ana tjetër shteti shqiptar është mjaftuar vetëm me hartimin e disa programeve të printuar në letër për mbrojtjen e fëmijëve shqiptarë jashtë truallit të tij, për të cilët sot ende nuk dihen se ku janë. Por përsëri duke parë heshtjen e shtetit shqiptar dhe atë të Greqisë, OKB-ja para disa javësh i ka kërkuar Greqisë fillimin e hetimeve për zhdukjen masive të 502 fëmijëve shqiptarë, pasi më parë në 2009 ky vend kishte mbyllur përfundimisht këtë problem në bashkëpunim me ambasadën shqiptare në Athinë. Kjo u mësua nga një bisedë të bërë me drejtuesit e shtëpisë bamirëse Agia Varvaras nr. 120 në Athinë. Nga reportazhet e bëra edhe në shtëpinë e fëmijës mësuam se një përgjegjësi kryesore në këtë drejtim mban edhe vetë shteti shqiptar, duke mos anashkaluar përfaqësinë e saj në Athinë. Në shkurt të këtij një shoqatë shqiptare në Greqi i kishte kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm në Shqipëri për të filluar hetimet rreth këtij problemi por më kot.
Greqia rihap skandalin e fëmijëve shqiptarë
Ministri grek i Drejtësisë Haralambos Athanasiu iu ka kërkuar para disa ditëve autoriteteve gjyqësore të hetojnë çështjen e zhdukjes së 502 fëmijëve nga Shqipëria, nga një institucion bamirës në Greqi. Ministri kërkoi të informohet me të gjitha detajet lidhur me rastin e 502 fëmijëve romë nga Shqipëria, të cilët janë zhdukur në vitet 1998-2002 nga jetimorja “Agia Varvara”. Ministri Athanasiu në letrën e tij dërguar parlamentit “pas marrjes së detyrës kërkoi të informohet hollësisht për këtë çështje veçanërisht të ndjeshme”, dhe “ka kërkuar nga autoritetet gjyqësore të informohet, nëse është vënë në lëvizje ndonjë procedurë penale dhe në çfarë stadi ndodhet ajo”.
Humbja e fëmijëve
Fëmijët, pjesa më e madhe e të cilëve i përkisnin komunitetit rom, u zhdukën pa lënë gjurmë nga qendra “Agia Varvara” në Athinë, gjatë viteve 1998-2002. Ministria greke e Drejtësisë ka urdhëruar fillimin e një procesi hetimor, në mënyrë që të mblidhen informacione sa më të sakta për fatin e të miturve shqiptarë. Skandali i fëmijëve të zhdukur është rikthyer në axhendën e qeverisë greke, pas raportit të publikuar vitin e kaluar nga Komisioni kundër Torturave i OKB-së. Më pas, ka qenë deputetja e së majtës, Maria Gianakou, ajo që e ngriti këtë shqetësim në parlamentin grek. Ky komision i ka kërkuar Athinës nëse ka hapur një proces hetimi për rastin e zhdukjes së 502 nga 661 fëmijët romë nga Shqipëria, të cilët ishin strehuar në “Agia Varvara”. Më tej, komiteti i OKB-së i kërkonte Greqisë të bashkëpunonte me organet shqiptare, në mënyrë që të hidhej dritë mbi këtë çështje e të përcaktoheshin përgjegjësitë mbi zyrtarët e përfshirë në skandal. Fëmijët shqiptarë, të gjendur në rrugë dhe të strehuar më pas në dy institucione të kujdesit social në Athinë janë zhdukur në rrethana të paqarta, përgjatë viteve 1998-2002. Vetëm në vitin 2004, autoritetet greke kanë publikuar raportin për zhdukjen e tyre dhe në 2007, e gjithë dosja me dokumentet e kësaj çështjeje u është dorëzuar organeve shtetërore. Megjithatë, asgjë nuk është bërë për të zbardhur fatin e fëmijëve romë, duke e mbajtur dosjen në sirtar. Aktualisht, ministri i Drejtësisë, Haralambos Athanasiou, ka kërkuar menjëherë prej organeve të drejtësisë të raportojnë se në ç’fazë gjenden hetimet, për t’i dhënë kështu një përgjigje parlamentit grek. Skandalin e zhdukjes së 502 fëmijëve shqiptarë në institutin e bamirësisë “Agia Varvara”e zbuloi organizata ndërkombëtare “Terres des Hommes” në vitin 2003. Pas publikimit të skandalit, edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara është tronditur nga ky zbulim, duke dërguar në Greqi një komisioner të posaçëm. Edhe pse kanë kaluar 10 vjet, çështja mbetet e errët dhe e pazbardhur, ndërsa OKB-ja vazhdon ta rikthejë atë në axhendë në raportet e saj të përvitshme. Të dhënat e “Terres des Hommes” bëjnë me dije se ekzistojnë edhe shumë raste të tjera të ngjashme në Greqi, ku në 15 vitet e fundit janë futur në mënyrë të paligjshme mbi 3800 fëmijë shqiptarë, ku më shumë se 25 për qind nuk janë gjetur asnjëherë. Komiteti kundër Torturës në OKB kërkoi urgjentisht nga Greqia që të bashkëpunojë me autoritetet shqiptare, që të krijohet një mekanizëm efektiv për të hetuar këto raste, të gjenden fëmijët e zhdukur në bashkëpunim me Avokatin e Popullit të të dy shteteve dhe me organizatat relevante të shoqërisë civile, si dhe të ndahen përgjegjësitë disiplinore dhe penale të atyre që janë përfshirë në këtë skandal. Në prill 2004 ekzistonte një raport mbi zhdukjen e rreth 500 fëmijëve romë nga Shqipëria, të cilët ishin strehuar në fondacionin “Agia Varvara”. Në vitin 2007 të gjitha dokumentet dhe informatat për këtë rast iu janë përcjellë autoriteteve. Megjithatë, që atëherë e deri sot, asnjë veprim nuk është ndërmarrë.
Raporti i organizatës “Terre des Hommes” për fëmijët e humbur
“Dhjetëra fëmijë shqiptarë janë ‘zhdukur’ në Greqinë qendrore”. Ky është një nga konkluzionet e raportit “Fëmijët shqiptarë të trafikuar në Greqi” i organizatës ndërkombëtare “Terre des Hommes”, në komisionin e të drejtave të njeriut në Këshillin e Evropës. “Janë me qindra fëmijët shqiptarë që nga mosha katër vjeç të trafikuar në Greqi, ku janë shfrytëzuar ekonomikisht e seksualisht, për përfitime të të rriturve”, thuhet në raportin e parashtruar në KE. Sipas raportit, qeveritë e dy vendeve kanë bërë shumë pak në ndaljen e këtij fenomeni. Fjala e përfaqësuesve të “Terre des Hommes” në KE, saktëson se nuk ka kritere etnike në “përzgjedhjen” e fëmijëve të trafikuar. Përfitimet shkojnë të gjitha në xhepat e “bosëve”. “Një fëmijë siguron minimumi 30-50 euro në ditë dhe të gjitha paratë ia jep padronit”, thuhet në raport. Ndodh që rekrutuesi është i afërm i familjes së fëmijës së trafikuar. “Prindërit i lejojnë fëmijët për shkak të varfërisë, injorancës, por në disa raste janë të përfshirë vetë në trafik”, thuhet në raport. Sakaq, vendi i destinacionit, Greqia, nuk i konsideron të vegjlit viktima, por fajtorë për kalim të paligjshëm të kufirit. “Terre des Hommes” apelon në Këshillin e Evropës për t´i thënë ndal këtij trafiku, nëpërmjet një bashkëpunimi të të gjitha palëve.
Heshtja e shtetit shqiptar
Shteti shqiptar në asnjë mënyrë nuk mund të veçojë fëmijët e vet, si brenda vendit ashtu edhe jashtë truallit të tij, përsa i përket mbrojtjes në aspektin ligjor. Asnjë institucion shqiptar nuk di saktë numrin e fëmijëve shqiptarë të larguar në rrugë të paligjshme drejt emigracionit (të rrëmbyer, dhënë me qera nga familja për të punuar lypës rrugësh, prostitucion etj). Politika shqiptare kur ndeshet përballë këtij problemi social, gjithmonë ka qenë për t’i minimizuar gjërat, por faktet janë më tronditëse. Shqipëria duhet t’i kërkojë shpjegime shtetit helen përse nuk njoftohej ambasada shqiptare në Athinë, si dhe përse sot nuk është bërë e mundur akoma gjetja e tyre. Shteti shqiptar me heshtjen e tij duket se ka ndërmend ta mbyllë këtë problem, po të njëjtën gjë po kërkon të bëjë edhe shteti fqinje. Në Shqipëri asnjë institucion përkatës nuk ka marrë rrugën drejt vendeve ku kanë emigruar fëmijët në rrugë të paligjshme, për të verifikuar se a ndodhen sot në jetë.
Si u zbulua skandali në institucionin
bamirës në “Agia Varvara” të Athinës
Skandali humbej së fëmijëve u zbulua nga organizata “The Swiss Terre Des Hommens”. Raporti i kësaj organizate në vitin 2003 tronditi Organizatën e Kombeve të Bashkuara, e cila kërkoi një hetim të menjëhershëm. Sipas të “The Sëiss Terre Des Hommens” është 3.800 është numri i fëmijëve të larguar nga Shqipëria dhe se shumë prej tyre nuk u gjetën më. Vetëm 15% ose 570 prej tyre kanë arritur të shpëtojnë nga kthetrat e mafies, dhe 1986 të tjerë u detyruan të punojnë në punë të tjera. Raporti i organizatës “The Sëiss Terre Des Hommens” thekson se: nga Korça dhe Elbasani kanë humbur gjurmët me qindra fëmijë. 4.000 është numri fëmijë që janë larguar nga Shqipëria në mënyrë klandestine, të pa shoqëruar nga prindërit. Nga këta 3.000 fëmijë janë larguar drejt Greqisë dhe 1.000 të tjerë drejt Italisë, një numër i madh për Shqipërinë.
Avokati i Popullit, dëshmitarët nuk u dërguan në Greqi
Në vitin 2006, Avokati i Populli, Ermir Dobjani, i ka dërguar një informacion (23/03/2006), për sugjerim Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Brendshme, si dhe Prokurorisë së Përgjithshme, për të bërë të mundur që të dërgohen në shtetin helen si dëshmitarë (4 fëmijë të humbur), në shtëpinë e Fëmijës “Agia Varvara” Singru 221 në Athinë. Bëhet fjalë për dëshmitarë të kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme të Greqisë, por me gjithë interesimin e Avokatit të Popullit, dëshmitarët nuk u dërguan nga shteti shqiptar.
DASH: Shqipëria është një vend-burimi për trafikimin e fëmijëve
Në raportet e përvitshme të Departamentit Amerikan të Shtetit theksohet se, Shqipëria është një vend-burimi për trafikimin e fëmijëve për qëllim shfrytëzimi seksual dhe punë të detyruar, kryesisht në Greqi dhe Itali, për këtë qeveria shqiptare nuk ka përmbushur plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit. Gjykatat shqiptare kanë lënë të lirë trafikantët e fëmijëve. “Qeveria shqiptare nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, megjithatë, ajo ka ndërmarrë përpjekje serioze për ta bërë një gjë të tillë. Kohët e fundit janë ngritur një sërë organizmash pranë disa dikastereve për parandalimin e mundshëm të trafikimit, por duke mos patur konkretisht një organizëm të veçantë për regjistrimin e numrit të fëmijëve të zhduku”, thuhet në raport.
Asnjë të dhënë për birësimet e fëmijëve shqiptarë
Pas viteve ’90-të është abuzuar me fëmijët jetimë. Në vitet 1990-1993 birësimet bëheshin pa procedura të rregullta. Një i huaj birësonte fare lehtë një fëmijë shqiptar, që jepej për birësim dhe askush nuk merrej me pas me fatin e fëmijës. Në vitin 1992 janë realizuar 100 birësime në SHBA, Francë, Norvegji, Itali dhe Greqi. Në vitin 1993 janë birësuar 180 fëmijë shqiptar nga shtetas të huaj, ku për fatin e tyre nuk dihet asgjë.
Në Athinë zhduken 300 fëmijë çdo vit
Sipas Departamentit të policisë greke, zhduken çdo vit rreth 300 fëmijë. Nga viti 1993 deri më sot janë larguar nga shtëpitë e tyre 3400 fëmijë, prej tyre, u gjetën 2659, ndërsa 728 kërkohen akoma. Megjithatë, kërkimi për prindërit nuk është detyrë e lehtë, për shkak të mungesës së organizuar të zhdukjeve të miturve dhe përdorimit të pamjaftueshme të teknologjive të reja dhe të internetit. Ndryshe nga jashtë Greqisë, ku dhjetëra e organe shtetërore veprojnë në disa ëebsite, në Greqi vetëm një organizatë merret me fëmijët e humbur. Por, policia nuk ka bërë akoma të mundur të japë njoftim në faqen e internetit për figurat e fëmijëve.
Raporti i UNICEF
Qytetet kryesore prej nga trafikohen fëmijët shqiptarë janë Berati, Korça, Fieri, Elbasani e Tirana. Raporti saktëson se mosha e tyre varion nga 0-15 vjeç. Shumë syresh, janë prej familje të varfra. “Shumica e fëmijëve të trafikuar vijnë nga minoriteti rom në Shqipëri, megjithëse ka fëmijë edhe me origjinë shqiptare dhe problemi nuk është specifikë e një grupi të caktuar nga radhët e minoriteteve”, thuhet në raportin e UNICEF-it. Sipas raportit, fëmijët trafikohen për në Greqi, duke shkuar në këmbë, duke kapërcyer malet, me kamion, nëpërmjet kufirit me dokumente false, si dhe me të ashtuquajturat “nëna” false. Raporti i mëshon edhe përfshirjes së zyrtarëve në trafik. “Tolerimi i autoriteteve në të dyja anët e kufirit, Greqi e Shqipëri, është bërë një pjesë e pandarë e problemit”, citohet në raport.
Tre janë arsyet që fëmijët zhduken dhe bien në kthetrat e mafies.
-Më e rëndësishmja për mafien është shitja e tyre në klinika private, ku atje u merren organet e brendshme, si zemra, veshka, sy etj.
-Hedhja e fëmijëve në rrugën e prostitucionit, ku dhe fitimet janë nga më të mëdhatë.
-Adoptimi i fëmijëve kundrejt një shume të madhe nga familjet që nuk kanë mundësi të kenë fëmijën e tyre. Italia dhe Holanda mendohet se jane epiqendra e kësaj makabre në bashkëpunim me mafiet shqiptare, bullgare, polake dhe bullgare, ku në qendra të ndryshme klinike bëhen edhe operacionet ku u merren organet e porositura.






