Kryesocialisti Edi Rama ka bërë të ditur sot se Shkëlzen Maliqi,i cili mban postin e këshilltarit të ministrit të jashtëm të Kosovës, Enver Hoxha do ti bashkohet kabinetit të ri qeveritar. Kryeministri i zgjedhur nëpërmjet rrjetit social “Facebook” ka njoftuar se kabineti i ri do të ndryshojë thellësisht.
“Numri i madh deri më sot i këshilltarëve do t’ia lërë vendin një bërthame strategjike njerëzish me cilësi të spikatura, të cilët do të luajnë rol kyç në përgatitjen e vendimmarrjes. Njëri prej tyre do të jetë edhe një intelektual i mirënjohur e i mosvarur, që do të vijë nga Prishtina, për të ndihmuar në jetësimin e rolit që parasheh për Shqipërinë në rajon programi ynë i Rilindjes – Shkëlzen Maliqi. Ne duam të ecim më shpejt në drejtim të Kosovës e të fqinjëve të shqiptarëve në tërësi, për të mundësuar të gjithë bashkë projektin e një rajoni plotësisht të integruar në Europën e Bashkuar.
Marrëveshja e Kosovës me Serbinë ka shënuar fundin e konflikteve të bartura nga ish-Jugosllavia dhe ka hapur një horizont të ri mundësish që na takon ne, njerëzve të këtyre territoreve t’i kthejmë në zhvillim ekonomik, social e kulturor rajonal pa humbur vite të tjera të çmuara. Shkëlzen Maliqi na është bashkuar për këtë qëllim të lartë fisnik”, shkruan Rama.
Shkëlzen Maliqi ka lindur më 28 Tetor 1947 dhe është filozof, kritik arti, analist politik dhe intelektual nga Kosova. Në vitet ‘90 Maliqi ishte drejtpërdrejtë i përfshirë në politikë. Ishte ndër themeluesit e Partisë Social-Demokrate të Kosovës dhe shërbeu si presidenti i parë i kësaj partie gjatë viteve 1991-1993. Maliqi ka publikuar disa libra lidhur me artin dhe politikën në shqip, anglisht, italisht, spanjisht dhe serbisht.
Prej vitit 1980, Maliqi u ka dhënë kontribut të vazhdueshëm mediave më të rëndësishme në Kosovë dhe ish-Jugosllavi. Maliqi jeton në Prishtinë dhe ka drejtuar Qendrën për Studime Humanistike “Gani Bobi” dhe kryesisht merret me sondazhe të opinionit publik.






