Me makina luksoze dhe rrugë të parregulluara, me çmime stratosferike dhe rroga minimale, Luanda shpesh cilësohet si qyteti më i shtrenjtë
Luanda, mes gjithçkaje dhe asgjëje
Nga CNN
Për herë të dytë në tri vjet, qyteti afrikan i Luandës është deklaruar qyteti më i shtrenjtë në botë për të riatdhesuarit, nga studimi i “Mercer”, një firmë këshilluese e burimeve njerëzore.
Ndërkohë që është e vërtetë se shumica e banorëve të kryeqytetit angolan, jeton në varfëri në periferi të qytetit, në qendër të tij ndajnë rrugën “Porsche Cayennes”, “Cadillack Escalades” dhe “Range Rovers”.
“Hugo Boss” ishte shumë i suksesshëm në Luanda, kur hapi dyqanin e dytë pak metra larg të parit. Për ata që nuk janë familjarë me Luandën, ky pozicionim mund të vijë si befasi.
Nëse do të flitej për Tokion, Moskën dhe Nju Jorkun, atëherë mund të na dukej e pranueshme, por për Luandën? Ndoshta sepse brigjet angoliane janë të pasura me arin e zi, vendi po “përmbytet” nga pasuritë e naftës dhe shumë prej tyre përfundojnë në Luanda.
Pra, si është të vizitosh qytetin me çmime kaq të shtrenjta, ku një punëtor i nivelit të mesëm merr 10.000 dollarë në muaj?
Luanda është kryeqyteti i Angolës, shtetit të dytë më të madh për prodhimin e naftës (e para vjen Nigeria), një vend me rritje ekonomike dhe politike.
Shteti ka vuajtur për 27 vjet një luftë civile të gjatë dhe të dhunshme, e cila mbaroi vetëm në vitin 2012, duke e lënë atë të paaftë për të prodhuar ushqimin e tij dhe me infrastrukturë të shkatërruar. Për pasojë, gjithçka duhet të importohet në Luanda.
Faturat e hoteleve
Hotelet përbëjnë shpenzimet më të mëdha për xhepat e vizitorëve. Pavarësisht se shumë hotele janë hapur vitet e fundit, çmimet kanë mbetur po aq, 500 dollarë nata për një hotel me pesë yje dhe 300-350 dollarë për ato mesatare.
Një vakt në një nga restorantet e Luandës shkon mbi 100 dollarë për person, duke përfshirë antipastat dhe pijet. Çmime të tilla mund të përballohen vetëm nga ata që punojnë për kompani të mëdha ose nga zyrtarët që punojnë në fushën e naftës ose bankave.
Shumica e luandasve, përkundrazi, jetojnë në periferi të qytetit dhe kanë të ardhura shumë të ulëta. Pagat e bankierëve mund të shkojnë nga 8000-10000 dollarë, ndërsa ato të shoferëve dhe shërbëtorëve, maksimumi deri në 500 dollarë.
Makinat luksoze që bllokojnë trafikun mund të jenë të zakonshme në kryeqytet, por rrugët dhe shërbimet publike janë katastrofike.
Plazhi
Plazhi është një gjë e domosdoshme në verën angoliane. Pranë Luandës është ishulli Mussulo, që është një vend i mrekullueshëm me restorante me çati prej kashte dhe plazh me dallgë fantastike. Për të shkuar atje mund të merrni taksitë e ujit, që do t’ju kushtojë vetëm 5 dollarë.
Një mundësi tjetër është të drejtoheni 40 kilometra në jug të Luandës, në Miradouro da Lua, që ka një peizazh të bukur gjiri, shkëmbinjsh dhe fushash, që shtrihen përgjatë horizontit. Pemët e gjata baobab që gjenden në savanën bosh, do t’ju bëjnë të pyesni veten përse të gjithë qëndrojnë në qytet.
Kuzhina angoliane
Kuzhina angoliane përfiton prej mbi 100 mijë kilometrash të vijës bregdetare. Mesa duket peshqit nuk e kanë idenë sesa do të kushtojnë ata kur të kapen prej vendasve.
Angola ka një traditë kulinare të influencuar prej 500 viteve të kolonizimit portugez dhe prej prodhimeve të detit. Faturat në restorantet në qendër të qytetit mund të kushtojnë, por sa më shumë t’i largohesh qendrës, aq më të lira do të bëhen çmimet.
Koha për t’u mburrur
Nëse po kërkoni të mburreni, ky është qyteti më i shtrenjtë në botë, pra jeni në vendin e duhur. Firmat më të njohura kanë filialet e tyre në qendër të qytetit dhe çmimet e produkteve të tyre janë marramendëse. Kjo, sepse është llogaritur të blihen prej bosëve të naftës dhe rangut të tyre.
Restoranti Lookal Mar është mbreti i restoranteve të shtrenjta në Luanda. Vetëm antipasta këtu mund të kushtojë 150 dollarë, sepse produktet e detit vijnë prej Portugalisë tri herë në javë.
Jeta e natës në Luanda, varet nga kushtet tuaja ekonomike. Mund të frekuentoni “Switch Supper Club” ose “Epic Sana Hotel” për të bërë jetë të shfrenuar nate ose mund të zgjidhni lokalet e tjera më të lira.





