Përse ndonjëherë është mirë t’u bindesh armiqve të tu

Një shqyrtim sa filozofik aq edhe konkret i çështjeve më të fundit që kanë ndezur konfliktet në Lindjen e Mesme, të krahasuara me mënyrën perëndimore të mendimit dhe besimit
Një leksion anglez
*Roger Scruton, BBC
Roger Scruton

Javën e shkuar shqyrtova disa nga institucionet që formojnë demokracinë, sipas mënyrës perëndimore të mendimit. Por duhet të merrem me pikën më të rëndësishme të demokracisë, që është të japësh pëlqimin të qeverisësh nga njerëz që nuk i pëlqen.
Sot në Egjipt shumë njerëz refuzojnë të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve të fundit. Ushtria ka ndërhyrë gjoja për të vendosur rregullin, por në fakt ajo po imponon çrregullimet me të cilat ushtria është specializuar të merret.
Pavarësisht arsyes se përse kjo po ndodh, nuk duhet të mendojmë se egjiptianët janë njerëz të ndryshëm nga pjesa tjetër e botës, kur vjen puna për t’u qeverisur nga njerëz që nuk i pëlqejmë.
E di nga vetë eksperienca ime sesa e vështirë është kjo lloj disipline. Babai im ishte një mbështetës i patundur i Partisë Laburiste. Ai besonte se konservatorët ishin të gjithë të korruptuar dhe prezantonin klasën shtypëse.
Ai besonte gjithashtu se kisha e Anglisë, Dhoma e Lordëve, monarkia, universitetet e vjetra, financierët dhe industrialistët ishin sisteme të shfrytëzimit, të projektuara që pakica të përfitonte nga shumica.
Unë mendoj se kjo ishte një pikëpamje shumë e përhapur mes mbështetësve të laburistëve në ato kohë dhe vetë Partia Laburiste nuk shqetësohej t’i përgënjeshtronte këto mendime.
Si përfundim, babai im e urreu Partinë Konservatore dhe të gjithë ata që uleshin në Parlament si anëtarë të saj. Asgjë nuk mund ta qetësonte zemërimin e tij kur Partia Konservatore fitonte zgjedhjet ose kur kalonte ligje që atij i dukej se dëmtonin klasën punëtore.
Për disa ditë kur ndodhnin këto lajme ai ishte shumë nervoz. Por babai im i pranonte rezultatet, e pranonte ligjshmërinë e tyre, ai binte dakord me faktin se nuk kishte rrugë tjetër për t’i luftuar ato reforma, përveç fushatës që do të bënte të mundur shfuqizimin e ligjeve që e kishin ofenduar atë.
E përjetova një version të zemërimit të tim eti kur qeveria e Toni Blerit vendosi, përkundrejt dëshirës së atyre që jetonin në fshat, të ndalonte traditën e gjuetisë.
Kjo ngjarje m’u duk si një lloj i ri legjislacioni, që synonte drejt minoritetit dhe që ishte frymëzuar nga emocione që kurrsesi nuk duhet të ishin pjesë e Parlamentit.
Ajo ndikoi te mua, duke qenë se gjuetia është pjesë e rëndësishme e jetës sime, dhe ndikoi te jeta rurale e fqinjëve të mi. Por m’u desh që ta kapërdija zhgënjimin dhe të pranoja se ligji është legjitim.
Unë mund të bëj fushatë kundër vendimeve të marra nga qeveria në mënyrë që të bëhet rekurs, por jam i detyruar si një qytetar t’i nënshtrohem ligjit.
Ta pranosh është një pjesë e barrës që si unë, ashtu edhe konservatorë të tjerë, e kemi vuajtur gjatë 13 viteve të qeverisjes laburiste. Të pranosh barrën e të qenët i qeverisur nga njerëz me të cilët nuk bie dakord dhe që ndonjëherë edhe nuk i pëlqen aspak.
Mendoj se njerëzit nuk janë të vetëdijshëm sa duhet për të kuptuar sesa kontradiktore është natyra njerëzore: të pranosh urdhra nga njerëzit me të cilët nuk je dakord.
Shumë njerëz i shohin ngjarjet në Pranverën Arabe si përfshirje e lëvizjeve popullore për demokraci kundër qeverisë autokratike, gjë që deri në një farë mase është e vërtetë.
Por një gjë që ka qenë shumë e dukshme, veçanërisht në Tunizi, Libi dhe Egjipt, ka qenë emergjenca e qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike, të cilat nuk kanë kohë për mendime të ndryshme nga të vetat.
Në demokracitë perëndimore, qeveritë tona janë të vetëdijshme që shumë njerëz, në mos edhe një shumicë, nuk kanë votuar për ta, ndaj ata duhet ta bëjnë veten të pranueshëm për kundërshtarët e tyre.
Le t’u hedhim një sy prononcimeve të Presidentit Morsi në Egjipt, i cili u zgjodh nga zgjedhjet e fundit dhe më pas u rrëzua nga pushteti prej grushtit të shtetit.
Do të gjejmë shumë pak ose aspak fakte që tregojnë se ai është i vetëdijshëm se ka egjiptianë të cilët nuk bien dakord me të, pëlqimi i të cilëve duhet të kërkohet vazhdimisht duke i bindur ata.
Është e pamundur të dallosh në fjalimet e tij se ekziston një minoritet i konsiderueshëm qytetarësh egjiptianë, të cilët janë të krishterë, të tjerë që janë ateistë apo se ka nga ata të cilët ndjekin mënyrën myslimane të jetesës, por që nuk duan që shteti i tyre të prononcohet kaq hapur si fetar.
Pikëpamja e Morsit për zgjedhjet është se ato japin të drejtën absolute për të imponuar te të gjithë njerëzit axhendën e tij politike dhe se kundërshtarët e kanë humbur të gjithë të drejtën për të pasur një axhendë të tyre.
Dhe përgjigjja e ushtrisë ishte për të thënë se të vetmit që kanë të drejtën të imponojnë axhendën e tyre janë ata të cilët përfaqësojnë interesin e të gjithë egjiptianëve dhe jo vetëm të Vëllazërisë Myslimane.
Në sistemin perëndimor dhe sidomos në atë britanik, opozita është një pjesë legjitime e procesit ligjvënës. Ligjet rrallë miratohen pa debate, por rezultati përfundimtar do të jetë një kompromis, një përpjekje për të pajtuar sa më shumë interesa kontradiktore.
Ideja e legjislacionit si kompromis është shumë e pazakontë. Ligji natyror që përshkruhet në Testamentin e Vjetër, tregon për mbretërit që e drejtonin vendin nëpërmjet dekreteve, duke marrë ndonjëherë ndonjë këshillë, por pa lejuar zërat e tjerë të shprehnin mendime të ndryshme nga të tyret.
Ka aspekte në jetë ku kompromisi është i dyshimtë ose i ndaluar. Në betejë nuk bën kompromis me armikun. Në fe nuk bëhet kompromis me djallin.
Dhe kur feja përfshihet në procesin politik, ky i fundit vihet në rrezik. Kjo është arsyeja përse në historinë moderne të Egjiptit, presidentët e njëpasnjëshëm janë përpjekur ta mbajnë larg nga pushteti Vëllazërinë Myslimane.
Vëllazëria beson se ligjet dhe politika nuk duhet të bëjnë kompromis, por duhet t’i binden dëshirës së Zotit.
Në shekullin e 17, Britania u nda nga lufta civile dhe në qendër të luftës ishte feja. Puritanët dëshironin të impononin rregullin e Zotit te njerëzit e Britanisë së Madhe, pavarësisht nëse ata e donin këtë gjë.
Nga ana tjetër, dinastia Stjuart kishte qëllim t’i drejtonte të gjithë për nga besimi katolik romak, që ishte bërë shumë antipatik për pjesën më të madhe dhe një mjet për ndërhyrjen e padëshiruar nga të huajt.
Në luftën civile, të dyja palët u sollën keq, sepse në mes ishte feja dhe fryma e marrëveshjes s’mund të mendohej gjithsesi. Zgjidhja nuk ishte të vendoseshin dekrete të reja nga lart, por të krijohej hapësirë për opozitë dhe për kompromis politik.
Përfundimi është ai që njihet si Revolucioni i Lavdishëm i vitit 1688, kur Parlamenti u riorganizua si një institucion i lartë legjislativ dhe të drejtat e njerëzve kundrejt pushtetit sovran u riafirmuan vite më pas nëpërmjet “Bill of Rights”.
Ky shembull ngre për mua pyetjen më të rëndësishme që shqetëson Lindjen e Mesme sot, që ka lidhje me pajtimin e bindjeve fetare dhe me sundimin e ligjit laik.
Ajo pyetje është debatuar nga kisha e hershme, madje është ngritur nga vetë Krishti, në shëmbëlltyrën e parave tribut. Në parabolën e tij Krishti na fton t’i japim Cezarit atë që është e Cezarit dhe t’i japim Zotit atë që është e Zotit.
Me fjalë të tjera, t’i bindemi Cezarit për çështje që kanë të bëjnë me qeverinë dhe t’i bindemi Zotit për çështjet e zgjedhjeve personale.
Supozimi i tij ishte që ne të pajtohemi me bindjet e një tjetri, meqenëse urdhëresat e fesë janë të thjeshta dhe të qarta. Në fakt të gjitha mund të përfshihen në dy: të duash Zotin dhe komshiun si veten.
Ai mendoi me të drejtë se këto dy urdhëresa nuk do të binin kurrë ndesh me kërkesat legjitime të qeverisë. Sigurisht që ekziston një konflikt i gjatë historik në Europë midis Papës dhe perandorëve, midis entuziazmit fetar dhe ligjit laik.
Me kalimin e kohës, njerëzimi e pranoi faktin se çështjet njerëzore ne i kemi përballuar nëpërmjet ligjeve tona, të bëra nga njerëzit, që janë laike dhe mundësisht neutrale nga varësia fetare.
Në çdo rast tjetër është bërë e qartë se ligji laik është ai që duhet respektuar. Shpresa që dy sferat e detyrës, laike dhe fetare të mbesin të ndara në çdo çast.
Me pak fjalë, feja në shoqërinë e sotme është bërë një çështje private, që nuk ka asnjë ndikim në bindjet publike në përgjithësi.
Privatizimi i fesë nuk është i qartë për këdo në botën moderne dhe sigurisht, as në atë myslimane. Sot shohim një Turqi pranë trazirave civile, për shkak të një Kryeministri islamik që rebelohet ndaj shtetit laik.
Shohim një Egjipt, në të cilin ushtria ka ndërhyrë për të shkarkuar një President që dëshiron ta qeverisë vendin sipas ligjeve islamike.
Shohim një konflikt të gjerë fetar midis këndvështrimit të besimit të sunive dhe shiave, që e ka ndarë Sirinë më dysh.
Dhe në të gjithë Lindjen e Mesme, liria e fjalës, organizimit dhe fesë janë të sulmuara. Përse ndodh kjo dhe çfarë duhet të bëjmë, këto janë pyetje që do t’i shpjegoj në një shkrim tjetër.

*Roger Scruton është një shkrimtar britanik dhe filozof i estetikës.

Related Posts: