Nga Thomas Friedman
(Nju Jork Tajms)

Vetëm një herë të jepet mundësia që të lësh një përshtypje të dytë. Mua më duket se Edward Snowden duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi, derisa presidenti rus, Vladimir Putin, e ka huq të veten. Duke pasur parasysh përmasat e reformave të cilat presidenti Obama i ka propozuar për të parandaluar shkeljen e privatësisë gjatë mbledhjes së të dhënave të inteligjencës, reforma këto që janë ndërmarrë pas zbulimeve që bëri Snowden, vetë Snowden e meriton një mundësi për ta lënë një përshtypje të dytë – se ai është njëmend një njeri që zbuloi një sekret, e jo tradhtar. Është fakt se ai i zbuloi të dhënat dhe iku në shtetet armiqësore ndaj nesh dhe ndaj parimeve që mbështeste ai. Për ta lënë një përshtypje të dytë, Snowden do të duhej të kthehej në shtëpi, të paraqiste qëndrimet e veta dhe të përballej me ata që e akuzojnë. Një gjë e tillë do të nënkuptonte rrezikun me një burgim afatgjatë, por edhe besimin mbi parimet e drejta të popullit amerikan, të cilët, besoj unë, nuk do të lejojnë që një zbulues i vërtetë të ndëshkohet padrejtësisht.
Sa i përket Putinit, ai e shkatërroi mundësinë për të lënë një përshtypje të dytë – rifillimin e raporteve amerikano-ruse – shumë para se t’i jepte azil Snowdenit. Raportet me Putinin gjithnjë e kanë nënkuptuar njëfarë pazarllëku për Amerikën: pranimin e autoritarizmit të Putinit në njëfarë shkalle, në shkëmbim të bashkëpunimit rreth çështjeve globale që kishin rëndësi për ne, përderisa Putin “disi” vazhdonte ta mbante Rusinë si shoqëri më të hapur dhe më konsensuale. Por, balanca nuk është më atje. Insistimi i Putinit për bllokimin e diplomacisë rreth Sirisë, e cila do të mund të kishte rezultuar me largimin e “njeriut të tij”, presidentit Bashar al-Assad, për abuzimin e homoseksualëve dhe lezbikeve ruse, ashtu si edhe përdorimin e taktikave për heshtjen e kritikëve do të thotë se ne nuk po përfitojmë asgjë nga kjo marrëdhënie, e as rusët.
Por në vend se Putinin ta përballim me këto gjëra, gjë që vetëm sa do t’ia rriste atij përkrahjen, do të ishte shumë më mirë që atë ta përballim me gjënë që e prek më së shumti: duke sfiduar publikisht nocionin se ai është duke e fuqizuar Rusinë.
Ja çfarë ka mundur të thotë Obama, kur u pyet për Putinin gjatë javës së kaluar: “Ju e dini se më 1979, pararendësit brutalë sovjetikë të presidentit Putin na patën dërguar Sergey Brinin dhe familjen e tij. Me sa e dini, Brin më vonë është bërë bashkëthemelues i Google. Ishte kjo humbje e Rusisë, por dhuratë për ne dhe për botën. Ne nuk do të kishim mundur t’i gëzonim përfitimet e kërkimit në internet, po të mos e kishin bërë sovjetikët jetën aq të vështirë për familjen e Brinit. Këtë po e them, për shkak se Putin nuk duket i interesuar që t’ua bëjë jetën atraktive Sergey Brinsave të gjeneratës së re. E vetmja gjë që i intereson Putinit është që të vërë gypa në tokë dhe të nxjerrë naftë dhe gaz – në vend se të përfitojë nga talenti i rinisë së tij – duke u siguruar që ai dhe besnikët e tij ta marrin një pjesë nga përfitimet e naftës.
Shikoni se çfarë bëri Putini. Sergei Guriev, është një prej ekonomistëve më të talentuar të gjeneratës së re në Rusi. Ai kishte qenë rektor i një prej institucioneve të pakta akademike me klasë botëror, që kanë mbetur në Rusi sot: “The New Economic School”. Guriev ishte këshilltar besnik dhe liberal i ish-presidentit Dmitri Medvedev, por pasi që u bë bashkautor i një raporti që dënonte ndëshkimin e Mikhail Khodorkovskyt, magnatit të burgosur të naftës, besnikët e Putinit filluan që ta kërcënojnë. Ai ka treguar se ata ia kishin kërkuar edhe e-mailet e para pesë viteve. (Snowden, ki kujdes). Kështu, në pranverë, Guriev iku në Francë, duke thënë se i frikësohej humbjes së lirisë. Ai ka bërë të ditur se nuk do të kthehet më në Rusi. “Sergei Guriev, eja në Amerikë. Silli me vete miqtë e tu. Silli anëtarët e bendit të burgosur nga Putini, “Pussy Riot”. Asnjë person kreativ nuk ka të ardhme në Rusinë e Putinit, për shkak se ai nuk e kupton të tashmen: nuk ekzistojnë më shtetet “e zhvilluara” dhe ato “në zhvillim”. Ka vetëm shtete që mundësojnë shprehjen e imagjinatës dhe ato që nuk e mundësojnë. Pra, ka shtete që kultivojnë novacionin dhe përkrahin novatorët, ashtu si edhe shtete që nuk e bëjnë një gjë të tillë – në një botë ku gjithnjë e më shumë njerëz mund t’i kthejnë idetë në produkte, shërbime, kompani dhe vende pune me një shpejtësi më të madhe dhe me kosto më të vogla. Putini është duke e krijuar një monokulturë politike që do ta bëjë Rusinë si një shtet që i jep fare pak rëndësi shprehjes së imagjinatës. “Putin në vend të kësaj preferon që të mbështetet tek njerëzit më pak të edukuar dhe ksenofobë, që mashtrohen me qëndrimin e tij antiamerikan dhe antihomoseksual se bota thjesht ia ka zili Rusisë. Derisa revolucionet teknologjike të shpimit horizontal dhe efiçiencës energjetike janë duke u përhapur në mbarë botën dhe derisa po bie çmimi i naftës dhe gazit, dështimi i Putinit për të investuar në talentin njerëzor të Rusisë – gjë që nuk do ta bëjë, për shkak se nënkupton fuqizimin dhe lirimin e tyre nga kontrolli – do të shndërrohet në një problem të madh për Rusinë”.
Këtë gjë do ta thosha unë. A humbim ne diçka nëse nuk e kemi ndihmën e Putinit? Natyrisht se po. Ata që thonë se nuk kemi nevojë për Rusinë e kanë gabim. Nuk ka problem botëror sot – Siria, Afganistani, Egjipti, krimet kibernetike, klima apo droga – që nuk do të zgjidhej me lehtësi, po të bashkëpunonin SHBA-ja dhe Rusia (Pikërisht për këtë arsye jam shprehur kundër zgjerimit të NATO-s). Por veprimi kundër Amerikës është tani esencial për mbijetesën e Putinit në Rusi. Prandaj nuk ka arsye që të humbim më shumë kohë më të. Ndonëse ai nuk do të na ndihmojë, nuk ka gjasa as të na dëmtojë rëndë. Ai mund ta dëmtojë vetëm Rusinë, duke e vënë besnikërinë përpara shkathtësive. Secili sistem që bën një gjë të tillë, vdes. Këtë mund ta gjesh edhe në Google.





