Një qeveri si bashkia e Ramës, nga Armand Shkullaku

Armand Shkullaku

Edi Rama nuk ka zhgënjyer përsëri. Qeveria që ai shpalli para shqiptarëve është vazhdimësi perfekte e filozofisë së tij të drejtimit. Një replikë e modelit bashkiak që ai ndërtoi për 10 vjet, ku personaliteti i individit mbetet në plan të dytë, ndërsa shërbimi kokulur, vendimtar për të ecur përpara. Një kabinet në nivel bashkie, ku bie në sy menjëherë mungesa e figurave me personalitet dhe autoritet të lartë politik e publik. Nëse për qeverinë Berisha, kreu i PS pati ironizuar dikur duke thënë se ajo kishte një kryeministër dhe 16 zëvendësministra, qeveria e Ramës ka një kryeministër dhe 14 ndihmës- këshilltarë (përjashtuar 5 ministrat e LSI, që janë një deja vu e qeverisë së mëparshme).

Qeveria e re socialiste, e cila vështirë të kuptohet se mbi çfarë kriteresh është konceptuar, reflekton që në pamje të parë shqetësimin e Edi Ramës për të eliminuar çdo figurë politike që potencialisht do t’i krijonte probleme gjatë mandatit të tij. Ashtu si në bashki apo në parti, edhe në kabinet, Rama ka preferuar të ketë rreth tij njerëz që për karrierën e tyre i janë mirënjohës atij dhe jo investimit apo vlerave personale të krijuara ndër vite. Këta të dytët, me autoritetin e fituar falë aftësive të tyre, do të ishin andrallë e përhershme për kryeministrin e ri, ndaj ai vendosi t’i lërë jashtë ekzekutivit. Kjo zgjedhje e Ramës ndërpret arbitrarisht karriera politike me peshë në PS dhe krijon precedentin se ministër apo deputet nuk bëhesh nga raporti që krijon me qytetarin, por nga lidhja e shkurtër me kryetarin.

Pasaporta e qeverisë së re vuan mungesën e theksuar të individualiteteve. Një pjesë e anëtarëve të kabinetit kanë nevojë të njihen nga publiku e pastaj të gjykohen për punën e tyre. Përveç ndjekjes besnike të trilleve të shefit, pjesa më e madhe e ministrave të rinj nuk ka manifestuar asnjëherë të vetme ndonjë akt apo qëndrim me peshë në opinion. Vetë Edi Rama kur u thirr nga Fatos Nano për t’u bërë ministër i Kulturës, ndonëse nuk kishte karrierë politike, njihej nga të gjithë për aktet e tij publike dhe angazhimin intelektual. Ndërsa kabineti që vetë Rama pati më në fund shansin të krijojë, nuk ka brenda tij as politikanin e karrierës dhe as personalitetin publik. Ish-piktori rebel, tani ka kompozuar një tablo uniforme, ku më të vjetrit si Shkëlqim Cani apo më të rinjtë si Erion Veliaj, i bashkon elementi i të mos paturit ngjyrë. Mbi ta mund të veprohet lehtë, ashtu si dikur mbi fasadat e pallateve të Tiranës që nuk kishin gojë të ankoheshin.

Dikush mund të thotë se ekzekutivi është përgjegjësi e kryeministrit, se ai ka të drejtën të zgjedhë ekipin e tij, se duhet gjykuar puna dhe jo emrat, se po u hapet rruga të rinjve etj. Këto do të përbënin argumente sikur përzgjedhja të ishte bërë transparente, sikur arsyet pse u zgjodh ky për ministër dhe u la jashtë një tjetër të ishin bërë publike dhe mbi të gjitha të tregohej se mbi çfarë kriteri u bë vetë përzgjedhja. Fakti që 90 për qind e tyre s’kanë qenë më parë në qeveri apo se disa janë gra, nuk përbën ndonjë kriter politik që të shpjegojë përbërjen e kabinetit të ri. I vetmi kriter që e shpjegon dhe që e bashkon ansamblin Rama është bindja ndaj autoritetit të tij. Për këtë arsye mes atyre emrave nuk gjen as politikanët e karrierës dhe as personalitete publike, qofshin këta të rinj apo të vjetër në moshë. Prandaj aty nuk janë as Pandeli Majko, as Blushi, Klosi, Leskaj, Dade, Fino etj., të cilët drejtuan qarqet kryesore elektorale në betejën e fundit. Prandaj aty nuk ka vend për individë me profil dhe autoritet të fortë publik. Rama ka qenë i qartë se ka dashur të ketë një skuadër modeste që t’i bindet dhe jo lojtarë të nivelit të lartë që mund të luanin në kokë të tyre.


Vetëm me këtë model Edi Rama ka ditur të veprojë deri më tani. Ai arriti të drejtojë mbi dhjetë vjet Bashkinë e Tiranës, duke forcuar rolin e tij dhe duke i zbehur drejt anonimatit individët e tjerë. Të njëjtën gjë bëri edhe në PS, ku tashmë nga ngjyrat e deri tek të ngjyrosurit janë vepër e duarve të tij. Të njëjtën gjë do të bëjë edhe në qeveri dhe askush nga ministrat nuk do të guxojë t’i vërë në diskutim vendimet apo zgjedhjet e tij. I ka zgjedhur pikërisht për këtë. Njerëzit që mendoheshin se do të ishin rilindasit e Shqipërisë, janë thjesht një zgjatim i modelit të bashkisë. Vetëm mes tyre Edi Rama mund të ndihet i qetë dhe i sigurt se di ta bëjë kryeministrin.