Një nga dhjetë PIN-e mund të gjendet me hamendësimin e parë

Hulumtimi prej ekspertëve të sigurisë “McAfee” ka dalë në përfundimin se 17 për qind e njerëzve në Europë kanë rënë viktimë e mashtrimeve me kartat e kreditit
Studimi


Edhe pse përmban të dhëna të rëndësishme financiare, 10 për qind e njerëzve mbajnë PIN-in më të përhapur 1234, gjithashtu edhe 1111 e 0000 si PIN-et e dyta dhe të treta më të përdorura.

Studimi ka zbuluar se një në dhjetë kode është aq i zakonshëm, saqë një krimineli do t’i duhej të përpiqej vetëm një herë për ta gjetur.

Për më tepër çereku i PIN-eve që janë në qarkullim, janë aq të shpeshtë sa mund të gjenden me më pak se 20 herë përpjekje.

Studimi i kryer nga “DataGenetics” zbuloi PIN-et më të përdorur në të gjithë botën. Kërkuesit analizuan 3.4 milionë kode katërshifrore dhe zbuluan se shumë njerëz përdornin vitet e lindjes si PIN-e, duke i bërë ato shumë të thjeshta për t’u vjedhur.

Hulumtimi prej ekspertëve të sigurisë “McAfee” ka dalë në përfundim se 17 për qind e njerëzve në Europë kanë rënë viktimë e mashtrimeve me kartat e kreditit dhe kjo i ka kushtuar çdo personi 1239 euro secilit.

Kostoja e vjedhjes së kartave të kreditit dhe e klonimit të tyre, për vitin që shkoi, në Britani ishte 48.5 milionë euro. Po të llogarisim sasinë e të gjithë krimeve të lidhura me mashtrimin e kartave të kreditit në total del 446 milionë euro.

“DataGenetics” përdori të dhëna nga tabelat e fjalëkalimeve të lëshuara më parë dhe nga shkeljet e sigurisë. Duke kombinuar të dhënat e fjalëkalimeve, kërkuesit filtruan rezultatet që të tregoheshin vetëm numrat me katër karaktere dhe kështu ishin në gjendje që të analizonin 3.4 milionë kodet që u dolën.

Ata zbuluan se ekzistojnë 10.000 kombinime të mundshme për kodet me katër shifra që përdorin numrat nga 0 tek 9. Ata u bënë të njohur me të gjitha kodet e përdorura që nga 0000 te 9999.

Fjalëkalimi më i përdorur ishte 1234, por frekuenca me të cilin ky kombinim përdorej i habiti studiuesit, pothuajse 11 për qind e 3.4 milionë kodeve ishte 1234.

Ky PIN ishte gjithashtu më i njohuri mes 4200 kodeve që përdoreshin rregullisht nga ata që përdorin bankomatet. Katër shifrat e dyta më të përhapura të kodeve ishin 1111 në 6 për qind të llogarive. I treti vinte PIN-i 0000 me 2 për qind përdorues.

“DataGenetics” përmbushi një listë me 20 fjalëkalimet më të njohura dhe zbuloi se 26.83 për qind e të gjitha kodeve në këtë listë mund të hamendësoheshin fare lehtë.

Kërkuesit vunë re gjithashtu se shumë nga PIN-et e shpeshta, mund të identifikoheshin si vite pasi fillonin me numrin 19. Ky klasifikim tregoi raportin e kodeve që përmbanin në fillim të tyre shifrën 19 dhe atyre që nuk e përmbanin. Çdo kombinim me numrin 19 shfaqej në listën e 50 më të përdorurve.

Kërkuesit thanë: “Statistikisht, me 10000 kombinime të mundshme, nëse fjalëkalimet do të ishin të shpërndarë në mënyrë të njëtrajtshme rastësisht, mund të pritet që “top 20” fjalëkalimet e dala nga studimi, të përbënin vetëm 0.2 për qind të numrit total, jo 26.83 për qind siç u zbulua.

Kjo ndodh për shkak se shumë kode janë të njëjta mes njerëzve, sepse ata zgjedhin ato që do t’i mbajnë mend më lehtësisht.

Shumë nga fjalëkalimet e frekuentuara shpesh dominojnë listën e hartuar prej studiuesve. Çuditërisht u zbulua se 10 për qind e PIN-eve mund të hamendësohen saktësisht që me herën e parë.

Më shumë se 20 për qind mund të gjenden duke përdorur vetëm pesë përpjekje dhe statistikisht, një e treta e të gjitha kodeve mund të hamendësohet duke provuar vetëm 61 kombinimet më të përhapura.

Nga studimi u zbulua se kodi më pak i përdorur ishte 8068 me vetëm 25 njerëz që e përdornin nga 3.4 milionë.

Shumica e PIN-eve në listën e “DataGenetics” fillojnë me numrin një, shkaku i të cilit mund të jetë prej përdorimit të vitit të lindjes.

Zero dhe dyshi ishin gjithashtu shumë të njohur. Sa më i lartë të jetë numri që përdorni, aq më të ulëta janë pritjet që shumë njerëz të tjerë ta përdorin.

Ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen është fakti i përdorimit të shpeshtë të numrit 19 në kodet PIN. Nuk dihet me saktësi nëse mund të jetë një vit lindjeje ose një përvjetor, por nëse një haker mund të gjejë moshën e dikujt, do ta ketë shumë të lehtë të vjedhë edhe PIN-in e tij.

Një tjetër studim zbuloi se emrat e kafshëve shtëpiake ishin ndër fjalëkalimet më të përhapur në internet. Një nga gjashtë njerëz e përdorte emrin e kafshës së tij të dashur si fjalëkalim.

Po ashtu, një nga gjashtë britanikë pranon se është futur në llogarinë e dikujt tjetër vetëm duke hamendësuar fjalëkalimin, që nga partnerët si shënjestrat më të përdorura deri tek ish-ët.

Sipas studimit të bërë nga “Google Apps”, një nga dhjetë njerëz mund ta gjejnë fjalëkalimin e një kolegu të punës duke hamendësuar.