Millovan Gjillas: Stërgjyshërit e Titos ishin nga Kuçi i Malit të Zi

Gjekë Gjonlekaj/New York

Këto ditë “Politika” e Beogradit transmetoi një analizë të hollësishme të CIA-as e cila tregon se: Tito nuk ka qenë me origjinë jugosllave. Në dokument, të cilit i është hequr se voni shenja “sekret”, thuhet se: Gjuha amtare e Titos ka qenë një gjuhë serbo-kroate me theks të huaj. Ata kanë thënë se identiteti i Titos vetëm mund të supozohet, por kanë theksuar se janë të sigurtë se Tito nuk kishte origjinë jugosllave.
Për origjinën familjare të Josip Broz Titos është folur më shumë se për asnjë udhëheqës tjetër të pas Luftës së Dytë Botërore. Biografët e tij shkruanin se kishte lindur në Zagorje të Kroacisë, ndonëse ishin të dyshimtë nuk kishin guxim t’i bënin pyetje në lidhje me këtë çështje.
Phoenix Press në Londër dhe Harcourt Brace Jovanovich në New York kishin botuar anglisht në vitin 1980 dhe 1981 monografinë e Millovan Gjillasit me titull: “TITO-Tregim Nga Brenda”. (TITO-The Story Frome Inside)
Nga viti 1937 e deri në mesin e viteve ’50 Millovan Gjillasi ishte pranë Titos më shumë se asnjë politikan tjetër, bile të gjithë mendonin se Gjillasi ishte njeriu numër 2 në politikën jugosllave. Në librin e lartpërmendur Millovan Gjillas shkruan: “Tito i mësonte kollaj gjuhët e huaja. Pas luftës, ose më mirë me thënë pas konfliktit të vitit 1948 me Bashkimin Sovjetik, Tito e mësoi anglishten shumë mirë, bile ishte në gjendje t’i ndiqte dhe t’i kuptonte tekstet e thjeshta anglisht. E kishte mësuar rusishten si i burgosur gjatë Luftës së Parë Botërore, por shihej qartë se nuk e kishte studiuar mirë këtë gjuhë. Ai i ngatërronte shumë herë fjalët rusisht dhe serbisht dhe i shqiptonte njësoj pavarësisht se kishin kuptime të ndryshme. Theksi dhe shqiptimi ishin të mjaftueshëm. Ai kishte dëgjimin e mirë dhe kujtesën e fortë. Frëngjishtja e tij ishte e dobët, ndonëse kishte jetuar një kohë të gjatë në Paris për punët e Partisë. Gjermanishten e zotëronte shumë mirë por unë nuk kisha njohuri te gjermanishtes, prandaj vlerësimi im nuk kishte ndonjë rëndësi. Serbo-kroatishten e fliste keq dhe bënte shumë gabime dhe për këtë ishte krijuar bindja se nuk ishte jugosllav. Intelektualët tregonin për përpjekjet e tij serioze për ta mësuar gjuhën serbo-kroate. Kur e takova për herë të parë në vitin 1937 tregon Gjillasi ai nuk e zotëronte aspak drejtshkrimin e serbo-kroatishtes, pavarësisht se e zotëronte shumë mirë gramatikën, pastaj radhitjen dhe strukturën e fjalive. Tito i pranonte sugjerimet dhe korrigjimet kur ato nuk cënonin përmbajtjen. Pas Luftës, së bashku me Zogoviqin ia redaktonim fjalimet për transmetime në Tanjug. Ne ishim shumë të kujdesshëm ndaj kërkesës se që të mos ndryshohej kuptimi i mendimit. Tito e respektonte rëndësinë e redaktimit por atyre që nuk u besonte nuk ua lejonte këtë përgjegjësi. Fjalët ”sine qua non” njëherë e shqiptoi gabim, por kur i tregova kurrmë nuk e përsëriti këtë gabim. Ishte shumë i vëmendshëm”.
Millovan Gjillas shkruan se mbiemri Broz vjen nga Ambroz që e kishte burimin në shekullin XV. Por nuk ka të dhëna se familja e Titos e ka prejardhjen nga brezi i parë i Brozëve. Sipas të dhënave të familjes së Titos, stërgjyshërit e Brozëve kishin emigruar ne Zagorje nga një rajon kufitar mes Bosnjës e Dalmacisë. Atje ishin vendosur mbase në shekullin XVI. Tito i kishte thënë Gjillasit se stërgjyshërit e tij kishin ikur nga fisi i Kuçit në Mal të Zi. Mali i Zi në Jugosllavinë e pas Luftës së Parë Botërore ishte vetëm një provincë (banovine) pa asnjë të drejtë kombëtare. Malazezët prisnin një luftë tjetër të madhe për t’i rikthyer vendit një lloj shtetësie. Kështu ata u angazhuan në luftën antifashiste, duke marrë pjesë aktive, bile nga gjiri i këtij populli të vogël dolën shumë komandantë të shquar në Luftën e Dytë. Gjatë luftës antifashiste Tito qëndroi edhe në Malin e Zi, dhe u premtoi se pas fitores mbi fashizmin ata do të gëzonin të gjitha të drejtat kombëtare që i kishin humbur gjatë sundimit të ish Jugosllavisë.
Cornell University Press botoi në vitin 2007: “Realm of the Black Mountain – A History of Montenegro” të autores Elisabeth Roberts. Kjo vepër me përmbajtje historike dhe politike u prit mirë ne Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë,bile revista e njohur letrare amerikane “The New York Review of Books” botoi në atë kohë një recension të historianit të mirënjohur britanik Profesor Noel Malcolm
Në kapitullin: “Identiteti Malazez në Kohë dhe në Hapësirë”, Elisabeth Robertes thotë: “Natyrisht se përforcimi i idesë për identitetin e veçantë malazez i shkonte për shtat politikës së Titos për t’i zvogëluar dy kombet e mëdha–serbët dhe kroatët—kështu ‘kombet’ e vogla mund të qëndronin në atë federatë. Pavarësisht motivit për themelimin e Republikës së Malit të Zi, tani po zgjidhej problemi i vështirë i identitetit kombëtar malazez… Nga ana tjetër kjo gjysmë shtetësie zgjoi ndjenjat patriotike të atyre që dëshironin të vepronin si aktorë të pavarur në skenën sllave. Kjo zgjidhje siguronte anëtarësimin në shtetin e përbashkët të atyre malazezëve që kërkonin vazhdimin e lidhjeve me Serbinë.
Në sipërfaqe Jugosllavia e Titos kishte arritur një zgjidhje të balancuar për të cilën ishin deklaruar shumica e malazezëve. Por problemi i madh lindi në vitin 1948 në kohën e ndarjes me Stalinin. Ndjenjat rusofile të malazezëve dhe lidhjet tradicionale mes tyre kishin ndikuar që shumë nga entuziastë të ndiqnin vijën politike të Stalinit dhe nuk ishin gati për kompromis. Kundërshtimet e ‘devijuesve’ të cilët mendonin se po përhapej në gjithë Jugosllavinë, shpërthyen në vitin 1948 dhe vazhduan edhe më gjatë por më në fund u shtypën. Disa nga ata u ekzekutuan, pjesa tjetër u burgos. Stalinistët e Malit të Zi u dënuan më shumë se ata në republikat e tjera. Në përpjesëtim me popullsinë Mali i Zi kishte më shumë anëtarë në Partinë Komuniste se republikat tjera. Malazezët ishin shumë të privilegjuar në Federatën Jugosllave. Ata mbanin pozita të larta në Ushtrinë Jugosllave. Ata fituan shumë nga ajo politikë bile për t’i bërë qefin Titos i hoqën emrin Podgoricës, duke i dhënë emrin Titograd.
Millovan Gjillas ishte shkrimtar i madh dhe disidenti antikomunist më i nderuar në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropën perëndimore. Veprat e tij “Klasa e Re”, ”Bisedimet me Stalinin” dhe shumë e shumë të tjera kishin qenë “best seller” në “The New York Times”. Zoti Gjillas kishte qenë ndër autorët më antikomunist pas Luftës së Dytë Botërore.
Shpjegimi i Titos se stërgjyshërit e tij kishin ikur nga fisi i Kuçit të Malit të Zi është interesant. Dihet shumë mirë nga historia se Kuçi ishte një prej krahinave më të njohura në kohën ilire. Mbreti Gence i fisit labeat të Ilirisë në Medunë të Kuçit kishte themeluar kryeqendrën e tij. Kuçasit ishin iliro- shqiptarë. Kuçi u sulmua nga serbët dhe malazezët më shumë se asnjë krahinë tjetër. Serbo-malazezët bënin gjenocid mbi popullsinë shqiptare të Kuçit. Ata deri vonë folën gjuhën shqipe dhe ushtronin fenë e tyre katolike,por më vonë u detyruan me forcë të ndryshojnë gjuhën e fenë. Si pasojë e këtyre masave barbare shumë nga ata braktisën vendin, ndërsa ata që nuk u larguan më në fund u asimiluan. Vallë a mos ekziston ndonjë lidhje fisnore mes Kuçit të Malit të Zi dhe Kuçit të Kurveleshit? Ne Kuç u bënë kryengritje të vazhdueshme antiosmane. Kuçi kishte dërguar përfaqësuesit e vet në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Kuvendet e Kuçit janë pjesë e rëndësishme e historise së popullit shqiptar. Gjatë Luftës së Dytë Botërore në Kuç të Malit të Zi ishin vrarë kundër nazistëve gjermanë shumë partizanë nga Shqipëria. Edhe Zenel Gjoleka i Kuçit të Kurveleshit ishte vrarë në Mal të Zi nga forcat serbo-malazeze në mbrojtje të shqiptarëve.
Emri Ambroz dhe Broz janë shumë të njohur në viset veriore të Shqipërisë sidomos në Mirditë dhe në Shalë.
Shumë vjet më parë e takova në festën e Flamurit në Detroit juristin e njohur shqiptar Zef Brozin. Nuk e di si filloi biseda në lidhje me mbiemrin Broz. Dikush e pyeti Zef mos ke ndonjë lidhje me Josip Brozin. Zefi u qesh dhe tregoi në lidhje me ngushëllimin që i kishte shprehur profesor Luan Omari për vdekjen e kushëririt të famshëm Broz në vitin 1980. Unë qesha tregonte Zef Brozi dhe nuk thashë asnjë fjalë sepse ishin kohëra të vështira për komente politike por nuk e kam harruar kurrë ngushëllimin e profesorit tim të nderuar Luan Omari.
Origjina e personaliteteve të njohura të historisë është gjithmonë aktuale. Për origjinën familjare të Presidentit amerikan Barak Obama flitet për ditë në Shtetet e Bashkuara. Para shumë vjetësh revista e njohur letrare amerikane “New Yorker” kishte botuar një jetëshkrim të shkurtër për luftëtarin e përmendur afgan të lirisë Ahmed Masud, i cili kishte qenë armiku më i madh i Osama bin Laden. Ahmed Masud i kishte thënë gazetarit amerikan se ai ishte evropian për nga origjina, bile stërgjyshërit e tij ishin vendosur atje në vitin 239 para Krishtit si ushtarë të Lekës së Madh “Aleksandri i Madh” dhe nuk ishin kthyer kurrmë në Evropë. Ahmed Masud i kishte paralajmëruar amerikanët dhe evropianët për tmerrin që mund t’u shkaktonte terroristi Osama bin Laden. Një javë pas takimit me autoritetet amerikane dhe evropiane në Paris, Ahmed Masudi u vra nga terroristët e Osama bin Laden. Por pavarësisht se kishin kaluar 2350 vjet Ahmed Masudi ishte përsëri kryelartë për origjinën e tij evropiane. Ai është cilësuar nga amerikanët në luftën kundër pushtimit sovjetik si Luani i Afganistanit.
Monografinë e Gjillasit për Titon e kisha blerë e lexuar para 33 vjetësh, por isha kurioz gjithmonë për deklaratën e Titos se stërgjyshërit e tij kishin ikur nga Kuçi prej ku kishin ikur edhe stërgjyshërit e mi para 300 vjetësh, për të mos humbur gjuhën shqipe dhe fenë katolike. Analiza e CIA-s amerikane se Tito nuk ka qenë me origjinë jugosllave më shtyri të bëjë këtë shënim. Gjithmonë pyes vallë mos ekziston ndonjë lidhje fisnore mes Gjolekëve te Kuçit të Kurveleshit me Gjolekët e fisit tim? Zbërthimi i kodeve gjenetike po bën mrekullira. Një fjalë e urtë thotë: “Dyshimi zbulon të vërtetën”.