Europa
Vendet e veriut do të detyrohen të ndihmojnë vendet kufitare të jugut për emigrantët
Shtetet në kufijtë e jashtëm të BE-së janë të mbingarkuar me problemin e refugjatëve. Prandaj BE-ja bën thirrje që shtetet e veriut të pranojnë më shumë refugjatë nga rajonet e krizës, raporton Dwelle.
Anije plot me refugjatë nga Afrika apo Azia në brigjet e Maltës dhe rregullisht lajme për të vdekur. E megjithatë, çdo ditë, shumë refugjatë marrin në sy sipërmarrje e rrezikshme të kalimit të Mesdheut, sepse Malta është vetëm disa qindra kilometra larg nga brigjet e Afrikës së Veriut dhe ata largohen prej luftës civile, varfërisë dhe shtypjes.
Sipas UNHCR-së, vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit, në brigjet e Italisë dhe të Maltës, kanë mbërritur 8400 refugjatë. Një numër i madh ky për Maltën, që ka vetëm 415 mijë banorë.
“Shtetet në kufijtë e jashtëm të BE-së janë pjesërisht të mbingarkuar, por kjo mbingarkesë e tepruar nuk i justifikon shkeljet serioze të të drejtave të njeriut që ndodhin atje”, thotë Karl Kopp, zëdhënës i organizatës “Pro Azil”.
Gjykata Europiane e dënoi Maltën në korrik që t’i paguajë dëmshpërblim një somalezeje. Ajo qe arrestuar dhe qe mbajtur në një qendër paraburgimi, në pritje të dëbimit për në vendin e origjinës. Në burg ajo vuajti nga të nxehtit ekstrem dhe të ftohtit për muaj dhe nuk u lejua të dilte jashtë. Gjykata Europiane u shpreh në gjykimin e saj për trajtim poshtërues dhe çnjerëzor.
Edhe Greqia është shumë e prekur prej refugjatëve, që në këtë vend vijnë jo vetëm me rrugë detare, por edhe nga kufiri greko-turk.
BE – Politikë e përbashkët për refugjatët
Në fillim të qershorit hyri në fuqi – Politika e përbashkët për refugjatët. “BE-ja mendonte më parë që refugjatët vinin vetëm në mënyrë sporadike. Politika për refugjatët tani duhet të rregullohet për të gjithë Europën, sepse me Pranverën Arabe pamë që drejt Europës erdhi një valë refugjatësh në të njëjtën kohë. Prandaj duhet të gjejmë zgjidhje të përbashkëta.” thotë Axel Voss, europarlamentar i CDU-së. Por kjo politikë duhet të mbajë parasysh jo vetëm njerëzit që ikin nga vendi i tyre për shkak të luftës, por edhe ata që duan të kthehen pas luftës në vendin e tyre.
Politika e përbashkët për refugjatët parashikon një procedurë të përbashkët azili dhe një status të njëjtë për azilkërkuesit, të vlefshëm për të gjithë Bashkimin Europian. Më parë këto procedura rregulloheshin në nivel kombëtar. Qëllimi i BE-së është që të sigurojë një nivel të njëtrajtshëm për azilkërkuesit. Edhe njerëzit, të cilët nuk kanë të drejtë për azil, duhet të gëzojnë trajtim të drejtë.
Megjithëse rregullat, marrëveshjet dhe ligjet ekzistojnë, ato edhe duhet të respektohen, thotë Karl Kopp, zëdhënës i organizatës “Pro Azil”. Dhe Gjykatat kombëtare dhe Gjykata e të Drejtave të Njeriut ua kujton këtë gjë dhe detyrimet e tyre qeverive të shteteve të BE-së. “Kjo tregon se dëshira për t’i dhënë formë konkrete kësaj politike vjen nga instancat më të larta europiane, sidomos prej Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg dhe Gjykatës Europiane.” – mendon Kopp.
Eurodeputeti Axel Voss thotë se vendet e vogla, si: Malta apo Qiproja kanë nevojë për ndihmë nga BE-ja. Për masa të tilla refugjatësh nuk ka asnjë vend në BE që është i përgatitur. Prandaj, në praktikë, zakonisht, kushdo që kërkon azil mbahet në paraburgim. Voss thotë se këto vende nuk mund t’i ndryshojnë sot me nesër kushtet.
Prandaj BE-ja bën thirrje në mënyrë të përsëritur që shtetet e veriut të pranojnë më shumë refugjatë nga rajonet e krizës. Sepse deri tani çdo vend i BE-së mund të ofrojë një herë në vit vullnetarisht që të pranojë refugjatë që gjenden në vende të tjera të BE-së. Kështu, Gjermania është zotuar këtë vit të marrë 5,000 refugjatë nga Siria. Në përgjithësi, sipas OKB-së nga lufta civile në Siri kanë ikur rreth 1.8 milion vetë.
Agjencia e refugjatëve të OKB-së (UNHCR) i bën thirrje Bashkimit Europian, që, në qoftë se nuk arrihet një zgjidhje politike e konfliktit në Siri, të ofrojë siguri për edhe dhjetë mijë refugjatë më tepër. Situata në Siri është përkeqësuar në mënyrë dramatike, sepse kufijtë me vendet fqinje nuk janë më të hapura dhe rrugët për refugjatët janë prerë.