Ja ku e bëjnë plazhin yjet e estradës

9f249130ea688ff90d960d0ec225c96e
Sezoni i verës është koha e angazhimeve për estradën muzikore, mbase pjesa dërmuese e tyre janë të angazhuar me koncerte e mbrëmje muzikore. Ndërkaq pushimi veror mbetet si një plan që vështirë se mund ta realizojnë sipas dëshirës së tyre. Por në fakt disa prej këngëtarëve të estradës kanë gjetur momentin për të pushuar pak, ku gjatë ditës kanë qëndruar në plazh, ndërsa gjatë mbrëmjes kanë kënduar në koncerte.
Por preferencë e pjesës dërmuese të tyre vazhdon të mbetet muaji shtator si koha më e përshtatshme për pushime ku edhe fillojnë të zvogëlohen angazhimet e tyre muzikore për shkak të përfundimit të sezonit veror. Sa i përket shpenzimeve disa nga emrat e estradës sonë nuk kursehen fare, për shkak se kanë krijuar luksin për të bërë një pushim të këndshëm. Ndërkaq sa i përket vendeve të pushimeve, pjesa dërmuese e personaliteteve publike kanë destinacion Turqinë, e cila mbetet vendi më preferues i pushimeve verore.
Këngëtarja Mihrie Braha pas një pushimi të shkurtër që kishte bërë në Antalia, ajo pretendon të bëjë edhe një pushim tjetër kah muaji shtator. “Natyrisht se sezoni i verës, gjegjësisht muaji korrik, gusht janë muajt më të angazhuar për ne estradën të cilët kemi mbrëmjet tona muzikore. Por unë muajin e kaluar kam shfrytëzuar disa ditë pushimi për të qëndruar në plazhet e bukura të Antalias. Ndërsa kah muaji shtator do të bëjë një pushim të gjatë ashtu siç unë dua. Por kësaj radhe përveç se do të jem diku jashtë vendit, nuk do të më kaloj një pushim i këndshëm edhe në bregdetin shqiptar”, ka thënë ajo për “Zëri”. Mihria është e dhënë pas pushimit, andaj edhe shpenzon bukur shumë për këto pushime.
Këngëtarja Çiljeta Xhilaga pushimet verore i ka bërë në Vlorë dhe ajo shprehet e kënaqur që për herë të parë po pushon me bebushin e saj. “Këtë vit po ndjehem e lumtur për këto pushime verore për faktin se po pushoj me bebushin dhe bashkëshortin tim dhe e veçanta e këtij pushimi është që për herë të parë jemi në pushime të tretë”, thotë ajo. Çiljeta planifikon të bëjë edhe një pushim tjetër gjatë muajit të ardhshëm.
Angazhimi muzikor para pushimeve
Rovena Stefa pas një pushimi disaditor që ka bërë në Antalia dhe Alanya, ajo ka në plan edhe për një pushim tjetër pas përfundimit të disa mbrëmjeve muzikore që ka gjatë këtij muaji. Ajo është njëra nga këngëtaret e estradës muzikore që shpenzon bukur shumë për pushime. “Preferoj që pushimet t’i kaloj ashtu siç unë dua, pa kursyer, por pushimet e mia nuk zgjasin shumë gjatë sezonit veror për shkak të angazhimeve të mëdha që i kam nëpër koncerte e mbrëmje muzikore”, shton ajo.
Edhe këngëtarja Gjyste Vulaj ka gjetur pak kohë të lirë për të bërë një pushim në Sukruq të Tuzit, ku ajo plazhin e ka shfrytëzuar gjatë ditës për t’u mbushur energji për mbrëmjet që do t’i performojë. “Pushim ende nuk kam bërë, mirëpo meqë gjatë ditës kam qenë e lirë, kam shfrytëzuar të bëjë pak plazh. Ndërsa në mbrëmje vazhdoj të jem mjaft e angazhuar me koncerte muzikore. Planifikoj që kah muaji shtator të bëjë një pushim të këndshëm diku jashtë vendit”, potencon ajo. Edhe Gjystja si shumë kolege të saj thotë se shpenzon shumë për këto pushime.
Për këngëtaren Eliza Hoxha, bregdeti shqiptar vazhdon të mbetet vendi më i dashur për pushime. Ajo thotë se ka kaluar disa ditë të bukura në plazhin e Dhërmiut bashkë me familjen dhe miqtë e saj. Ndërkaq planet edhe për një pushim tjetër janë të mundshme.
Fjolla Morina është e dhënë pas pushimeve, ajo gjatë një viti i bën më shumë se dy pushime dhe gjithmonë preferon të shkoj në ndonjë vend të ri që nuk ka qenë më parë. “Jam e dhënë pas pushimeve, këtë vit përveç pishinave ende nuk kam bërë një pushim të këndshëm ashtu siç dua unë. Por planifikoj që gjatë këtij muaji gusht dhe muajit shtator t’i bëjë së paku dy tre pushime në disa vende të botës ku nuk kam qenë më parë. Planifikoj në ndonjë ishull, por ende nuk e kam caktuar se në cilin ishull do të jem”, thotë ajo.
Edhe për Besjana Kasamin Turqia mbetet vendi më i pëlqyer për pushime. Ajo ka vendosur që gjatë këtyre ditëve të shkoj në Antalia. Por atje do të ketë edhe disa angazhime për një projekt të ri. “Pushimet verore do t’i kaloj në Turqi, atje do të jem edhe për festën e Fitër Bajramit”, shprehet ajo.
Pushimet për estradën tonë vazhdojnë të mbesin të rëndësishme por edhe dytësore për faktin se në radhë të parë janë koncertet dhe mbrëmjet muzikore e më pas pasi t’i mbushin xhepat pasojnë pushimet dhe shpenzimet e mëdha që i bëjnë në këto pushime.