Disa nga ekonomitë që po rriten më me shpejtësi në botë janë në Afrikë. Ekonomia e kontinentit është në lulëzim, por cilësia e jetës vazhdon të jetë e mjerueshme
Cilët po përfitojnë?
Alexis Akwagyiram, BBC Africa
Përkundrejt rënies së vazhdueshme ekonomike që gjunjëzoi Perëndimin, ekspertët kanë identifikuar se Afrika po përjeton rritjen më të shpejtë ekonomike në botë.
Disa theksojnë faktin se shkalla e lartë e rritjes duhet të shihet në kontekstin që ekonomitë afrikane (përgjithësisht të vogla), po zhvillohen në një bazë të ulët, duke bërë përmirësime që janë disproporcionale dhe mbresëlënëse.
Ndërkohë që në Europë, Greqia dhe Spanja po përjetojnë papunësi të madhe, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore shprehen se vende si Gana, Etiopia, Ruanda dhe Mozambiku po përjetojnë një bum ekonomik.
Shumë njerëz ia atribuojnë këtë gjendje edhe ngritjes së klasës së mesme në shumë vende. Shefi i ekonomisë në Bankën Afrikane të Zhvillimit e ka përshkruar situatën si të pandalshme.
Për ekonomistin e mirënjohur Jeffrey Sachs, telefoni celular është bërë simboli i këtij agimi të ri. Ai e ka përshkruar atë dhe aksesin në internet, si mjeti i vetëm më transformues për zhvillim.
Është mirë të flasësh
Komunikimi celular ka qenë në krye të bumit afrikan. Më shumë se 70 për qind e të rriturve në Nigeri, shteti më i populluar në kontinent, zotëron një celular.
Dhe në Kenia përdorimi i gjerë i softuerit për pagesën e faturës së celularit, ka hapur mundësi të reja për biznesin e vogël dhe të mesëm, duke ofruar lehtësi dhe fleksibilitet aty ku transaksionet dhe bankat janë një shqetësim.
Fermerët, për shembull, mund të marrin çmimet më të fundit të tregut ose informacione të tjera rreth shitjeve dhe aksioneve, me një mesazh të vetëm.
Kudondodhja e celularëve ka krijuar në Afrikë një grup të ri sipërmarrësish, që mund të gjenden edhe në qytetet më të largëta, si Dakar, Dar es Salaam dhe Durban. Ata shesin kohë telefonike.
Salim Evoudidi, një shitës i tillë në Republikën Demokratike të Kongos, tregon se me këtë punë ai mban familjen dhe se klientët që blejnë kredit telefonik po shtohen gjithnjë e më shumë.
“The Economist”, që e etiketoi hapur Afrikën si “kontinentin e pashpresë”, në vitin 2000, e ndërroi këtë ide pas më shumë se një dekade, duke e quajtur Afrikën “kontinentin e shpresës”.
Por nën sipërfaqen e atij që duket si lajm i mirë për pjesën e botës që Perëndimi e paraqiti si të shkatërruar nga lufta dhe uria, pyetjet mbeten. Çfarë e përbën statusin e klasës së mesme? Dhe a tregon ai term cilësinë e rritur të jetës?
Miti i klasës së mesme?
Kombet e bashkuara e përkufizojnë një person të klasës së mesme si dikë që jeton me të ardhura nga 10-100 dollarë në ditë.
Megjithatë, Banka Afrikane e Zhvillimit përdor masën prej 2-20 dollarë në ditë, për të cilën thotë se është një kosto e përshtatshme e jetesës në kontinent.
Klasa e mesme përkufizohet në lidhje me të ardhurat dhe kjo mesatare në Afrikë është më e ulët së në Perëndim. Abdul Jalil, një mësues anglishteje në kryeqytetin e Mozambikut, tregon se paratë që merr nga puna dhe nga kurset e të rriturve, e vendosin atë në shtresën e klasës së mesme.
Nuk ka asnjë dyshim se përqindja e afrikanëve të pasur është rritur. Teoria ngrihet rreth faktit se Afrika ka më shumë njerëz me të ardhura të mira dhe se kompanitë e huaja e shohin kontinentin si tregun e fundit më të madh në botë ku mund të investosh dhe të shesësh mallrat.
Në të kundërt të Europës, popullata e së cilës po plaket dhe forca e punës po bie, Afrika ka një popullsi në rritje, një forcë punëtore në shpërthim dhe një klasë të mesme të lulëzuar me të holla gati për t’i shpenzuar.
Analistët besojnë se ndërkohë që ekonomitë afrikane zhvillohen, mirëqenia do të shkojë nga të pasurit te të varfrit nëpërmjet grupit të të ardhurave të mesme.
Me zhvillim prej 6 për qindësh dhe rritje të produktivitetit prej 3 për qind, është e thjeshtë të kuptosh përse gjërat po përmirësohen.
Bumi i mallrave dhe investimeve nga Kina po u jep të rinjve afrikanë një arsye për shpresë. Megjithatë jo të gjithë janë kaq optimistë. Disa besojnë se këto janë mite që janë përhapur në kontinent nga drejtuesit e korporatave.
“Pesimistët” debatojnë duke thënë se koncepti i klasës së mesme si një motor i rritjes ekonomike është i pavërtetë dhe se mirëqenia e përgjithshme nuk po prek pjesën më të madhe të shoqërisë.
Përkundrazi, flitet se palë të tjera interesi, si për shembull elitat lokale dhe investitorët e huaj të Kinës, Indisë dhe Brazilit janë duke përfituar nga burimet e pashfrytëzuara të Afrikës. Mirëqenia që po rritet në të vërtetë duket se është ajo e kompanive që bëjnë biznes në Afrikë.
Muajin e shkuar, një raport i nxjerrë nga Kofi Anan tregonte se shmangia e taksave, marrëveshjet sekrete të minierave dhe transfertat financiare ishin duke e privuar Afrikën nga përfitimi i bumit të resurseve të saj.
Thuhej se këto marrëveshje po i kushtonin kontinentit 38 miliardë dollarë çdo vit. Duncan Clarke, nga këshilli i “Global Pacific”, thotë se realiteti është se Afrika ka një klasë të vogël të mesme. Ai mendon se këta njerëz me të ardhura të mesme përbëjnë më pak se 5 për qind të popullsisë. Clarke thotë se ekonomia e thjeshtë e mbijetesës mbetet themeli i ekonomisë së kontinentit.
Linjat ajrore në ndryshim
Në Gana, një shtet shpesh i cituar si një sukses ekonomik i vendosur për të përfituar nga pasuritë e naftës të zbuluara së fundi, realiteti i asaj që quhet jetë e klasës së mesme, ndryshon nga përvoja e pjesës tjetër të botës.
Energjia elektrike po racionalizohet, vendi po kalon një mungesë uji dhe doktorët kanë qenë në protestë prej shkurtimit të pagave.
Ndërkohë, njerëzit që mendohet se i përkasin klasës së mesme po përjetojnë çmime të shtrenjta teksa të huaj dhe klasa e lartë merr me qira ose blen prona luksoze.
Një raport i Bankës Afrikane të Zhvillimit mbi perspektivën e ekonomisë së kontinentit ka paralajmëruar: “Rritja është shoqëruar nga zvogëlim i pamjaftueshëm i varfërisë, papunësisë dhe ka zhvilluar pabarazinë e të ardhurave në disa vende, duke përkeqësuar nivelin e shëndetësisë dhe edukimit.”
Disa vende po e përjetojnë këtë kontrast më shumë se Angola, e cila po shijon rritjen ekonomike falë rezervave të mëdha të natës dhe gazit.
Sipas Bankës Botërore, shumë vendas nuk po përjetojnë nga ky bum i resurseve natyrale, duke qenë se rreth dy e treta e popullsisë vendase jeton me më pak se 2 dollarë në ditë.
Megjithatë, vende të tjera duket se kanë gjetur mënyra të ndarjes së mirëqenies së ardhur nga burimet natyrore. Botswana i ka përdorur të ardhurat e saj nga minierat e diamanteve për të bërë investime të dukshme në edukim dhe shëndetësi.
Dhe duke u mësuar vendasve si të presë dhe të shkëlqejë diamantet, ky shtet ka krijuar vende pune për të ndarë mirëqenien dhe për të siguruar se nuk ekziston nevoja e ekspertëve të kompanive shumëkombëshe.
Ata që besojnë se jetët po përmirësohen në kontinentin afrikan, theksojnë ndryshimin e shpejtë të linjave ajrore në shumë qytete në Afrikë.
Apartamentet moderne dhe blloqet e zyrave po ndërtohen në metropolet e mbipopulluara si në Lagos, Najrobi dhe Johanesburg, për të siguruar shtëpi dhe hapësira pune për brezin e ardhshëm.
Ndërkohë, qendrat e reja tregtare dhe dyqanet e shumta u japin mundësi njerëzve të shpenzojnë shumë nga paratë e fituara me vështirësi.
Por është shumë herët për t’u përcaktuar nëse ky brez i ri ndërtesash do të përputhet me përmirësimet në cilësinë e jetesës së afrikanëve.
Mësuesi i anglishtes, Jalil, tregon për shpresat e tij për të ardhmen. Ai po ndërton një shtëpi të re dhe beson se çelësi i suksesit për klasën e mesme është hyrja në fushën e sipërmarrjes. Sipas tij, është mirë të kesh një biznes privat, meqenëse nuk mund të mbështetesh plotësisht te rroga.
Cilët po përfitojnë nga bumi ekonomik në Afrikë?
Afrika është një rast i gjallë që tregon sesi të varfrit mbahen larg nga burimet natyrore. Shifrat ekonomike janë në të shumtën e rasteve të manipuluara për të ngjallur një shpresë tek afrikanët e varfër. “Duket se vetëm liderët dhe investitorët e huaj kanë të drejtën të ndajnë të ardhurat prej naftës në Kenia dhe Uganda, po ashtu edhe të gazit në Tanzani”, shprehet dikush.
Duket se niveli i shfrytëzimit të burimeve natyrore të gazit dhe naftës, është në proporcion të zhdrejtë me numrin e investimeve të kryera si nga qeveria ashtu edhe nga kompanitë e huaja.
Opinionet
BENJAMIN OBEGI, Najrobi, Kenia
Është vetëm një pjesë e vogël njerëzish në majë që po përfitojnë. Po të më duhej të hamendësoja do të thosha vetëm 5 për qind e popullsisë, që përbëhet nga zyrtarët e korruptuar.
Anonim, Harare, Zimbabve
Nga njëra anë Afrika po përjeton një rritje ekonomike tashmë prej 10 vjetësh, nga ana tjetër ajo vazhdon të jetë e mbytur në varfëri, papunësi dhe sëmundje. Që ngritja ekonomike e Afrikës të jetë e dobishme, nevojitet reformim i institucioneve, edukimit, bujqësisë dhe infrastrukturës.
Peter Stein, Stokholm, Suedi
Shpresa që rritja ekonomike e Afrikës të përmirësojë jetën e njerëzve që jetojnë atje është e madhe. Për fat të keq, prej arsyeve të përmendura më lart, si korrupsioni, marrëveshjet e fshehta dhe aferat e tjera, shumica e njerëzve vuan. Kjo është shumë e trishtueshme dhe duhet të marrë fund.
Unisa Dizo-Conteh, Londër, Britani
Në Zimbabve, së pari janë politikanët ata që po mbushin xhepat. Forcat politike fitojnë tenderë dhe në mënyrë të dyshimtë po marrin mbi vete të drejtat e minierave të diamanteve dhe arit. Së dyti, kompanitë shumëkombëshe po përfitojnë nga mungesa e mirëfilltë e ligjit, duke marrë avantazhe që nuk i meritojnë.
Sam, Londër, Britani
Përgjigjja është Kina. Nëse shikojmë cilësinë e investimeve në industrinë e nxjerrjes së mineraleve në Afrikë, ajo është e ulët. Materialet e ndërtimit, inxhinierët dhe artizanët vijnë nga Kina. Kjo e fundit ofron kredi joshëse për ndërtimin e projekteve dhe rrugëve, të cilët në shumicën e rasteve realizohen nga firmat kineze. Vështroni borxhet që po rriten në këto vende të varfra, për shembull në Zambi. Klasa e mesme që përmendet mund të ketë disa para më shumë, por ajo blen në dyqanet e zotëruara nga të huajt edhe produkte të importuara.





