Turizmi i Egjiptit po shkon drejt shkatërrimit teksa protestat shkaktojnë gjithnjë e më shumë të vdekur
Kriza dhe protestat në Kajro dhe qytete të tjera vazhdojnë, kjo ka ndikuar që këshilluesit qeveritarë të udhëtimit drejt Egjiptit të kufizojnë lëvizjen e turistëve.
Gjermania i ka zgjeruar këshillat e saj kundër udhëtimit në Egjipt duke përfshirë edhe resortet në Detin e Kuq rreth zonës së Hurghada-s dhe Sharm El-Sheikh. Po të njëjtën gjë ka bërë edhe Britania e Madhe, pasi protestat e së premtes së zemërimit u përhapën në të gjithë vendin.
Këto zona kanë qenë për shumë kohë të mbrojtura nga trazirat në vend dhe janë servirur si të sigurta nga qeveritarët, por kohët e fundit ngjarjet në Egjipt po dalin jashtë kontrollit.
Qeveria e Hong Kongut ka kaluar nga këshillimi te bllokimi i të gjitha udhëtimeve që të çojnë në Egjipt. Natën e së mërkurës kur ndodhën protestat masive të Vëllazërisë Myslimane, ku mbetën të vdekur qindra njerëz, pushuesit u zunë në panik.
Atyre iu tha të qëndronin brenda në dhomat e tyre të hotelit dhe të gjitha vizitat turistike u anuluan. E njëjta gjë ka ndodhur edhe të premten e protestave masive ku mbetën të vrarë dhjetëra njerëz. Pushuesit deklaronin se ndiheshin deri diku të sigurt, por për sa kohë?
Pas trazirave të ndodhura mes ushtrisë dhe mbështetësve të Presidentit të rrëzuar nga pushteti Mohamed Morsi, të gjitha shtetet u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre të kthehen sa më shpejt në atdhe.
Gjatë protestave janë përdorur pa ndonjë kriter të veçantë armë, granata lotsjellëse, makina të armatosura rëndë dhe situata është cilësuar si jashtë kontrollit.
Të dy kampet që përplasen kanë deklaruar se nuk kishin ndër mend të tërhiqeshin, teksa njëra palë, ajo e Vëllazërisë Myslimane kërkonte një qeveri të drejtë, ndërsa ushtarakët kërkonin shtypjen e kryengritjes.
SHBA-ja ka bërë thirrje të vazhdueshme që amerikanët të largohen nëse munden, në mos të qëndrojnë të strehuar mirë dhe të ndjekin lajmet vendase për zhvillimet më të fundit.
Ditë më parë në përplasjet e dhunshme, mes të paktën 500 vendasve, mbeti i vdekur një operator i televizionit britanik të lajmeve “Sky-News” dhe një reporter i Dubait.
Kompensimet
Këshillat qeveritare për udhëtimet janë të rëndësishme jo vetëm për sigurinë e udhëtarëve, por edhe sepse ato ndikojnë në kompensimin që ata do të kërkojnë.
Sipas deklaratës së qeverisë gjermane, operatori i udhëtimeve “TUI” tha se po anulonte të gjitha udhëtimet drejt Egjiptit deri më 15 shtator dhe se turistët që ishin tashmë në resorte mund të qëndronin për pjesën e mbetur të udhëtimit ose mund të largoheshin më herët.
Udhëtarët që kanë prenotuar për në vende si Sharm el-Sheik dhe Deti i Kuq, e kishin të pamundur t’i ndërronin prenotimet e tyre duke qenë se ato konsiderohen si të padëmshme.
Dëmet në turizëm
Dhuna e ndodhur në Egjipt i ka shkaktuar shumë dëm industrisë turistike të vendit, e cila zakonisht punëson 10 për qind të forcës së punës dhe ka si fitim 10 miliardë dollarë.
Që prej shtimit të protestave antiqeveritare në vitin 2011 numri i turistëve që janë të interesuar për Egjiptin ka rënë ndjeshëm nga 14 milionë në 10.5 milionë për vitin e shkuar.
Sipas raporteve të ministrisë egjiptiane të trashëgimisë kulturore, janë përzgjedhur për ruajtje të veçantë qytete arkeologjike dhe muze në të gjithë vendin.
Protestat e fundit kanë bërë që shtetet të anulojnë udhëtimet e turistëve drejt Egjiptit, situata e të cilit është e paqëndrueshmeTurizmi i sjell Egjiptit 10 miliardë dollarë fitime në vit, por numri i turistëve ka rënë nga 14 milionë në 10.5 milionë vitin e shkuarSHBA-ja u ka bërë thirrje shtetasve të saj të largohen sa më shpejt nga vendi ose në pamundësi të strehohen mirë dhe të ndjekin lajmet e fundit






