Dasmë turistike në kullën e Radacve në Mirditë

U zhvillua këto ditë “Mirdita turistike 2013″. Organizuar nga pallati i kulturës “Mirëdita”, ky aktivitet ofroi shijim të natyrës, por dhe riteve të bukura të dasmës vendase, ku u inskenua i gjithë rituali, nga ardhja e krushqve, te nxjerrja e ujit nga pusi e këngët e bukura të zonës.
 
Pjesë e ritualit të dasmës mirditore inskenuar në kullën e Radacve në Kthellë të Mirditës
Te kulla e Radacve në komunën Kthellë të Mirditës ka dasmë. Dera është e hapur për të gjithë. Aq më tepër për ata që po digjen nga zhegu i asfaltit në qytet. Por nuk është një dasmë dosido, por një dasmë… turistike. Për të tretin vit është organizuar në Mirditë guida “Mirdita turistike 2013″. Shijuesit e natyrës, aventurës dhe traditës, përshkuan “aksin kulturologjik” të krahinës, që banorët e zonës e njohin si “bajraku i Kthellës”, duke nisur me shtegtimin turistik, për të përfunduar me një nga ritualet më të bukura, siç është dasma vendase. Pas Oroshit dhe Rubikut, mikpritësja e aktivitetit ishte Kthella.
Ky aktivitet i rëndësishëm i turizmit malor u organizua nga pallati i Kulturës “Mirëdita”, komuna Kthellë, sipërmarrësit vendas, Banka Societa Generale Albania, pjesëtarë të ekipit të Rrally Albania. Por asgjë nuk mund të ndodhte pa mbështetjen e banorëve e fshatrave përreth.

Itinerari

Shtegtuesit turistikë janë ndalur fillimisht në vendin e quajtur Prosek, një vendbanim që lidhet sot me varrezat arbnore të zbuluara para disa vitesh nga gërmimet arkeologjike. Më pas, në zonën e Përlatit, te një kullë e moçme me sharipop, nga të rrallat në vendin tonë. Pjesë e shtegtimit është bërë dhe vajtja te shpella e Valit, duke demonstruar vlerat që ka turizmi speleologjik në vendin tonë, e sidomos në Mirditë, krahinë e cila njihet për këtë resurs të begatë turistik. Më pas, i gjithë grupi shtegtues është pritur në një kullë vendase, ku ia nisi dasma e hershme e Mirditës me të gjitha detajet e saj.














“Dasma turistike”

“Tashmë shqiptarët po u kthehen traditave të bukura të dasmave, që përmbledhin një kompleks dokesh, zakonesh dhe ritualesh të çmuara. Për fat të mirë, në jo pak vise të vendit po kërkohet kjo traditë. Ndaj dhe iu referuam kësaj epjeje për të mos harruar gjërat e mira të traditës. Ne kemi ansamble folklorike, diku më të angazhuara e diku më pak, por që në këtë aspekt janë vlerë e shtuar turistike e vendit. Ndaj e kemi pasur parasysh këtë fakt prej vitesh”, thotë Gjergj Marku, drejtor i pallatit të kulturës “Mirdita”. Ai shton se ansambli “Mirdita” ka krijuar një përvojë të vyer kombëtare në këtë aspekt, për të cilën Ministria e Kulturës duhet të investojë. Artistët e këtij ansambli e kanë treguar më së miri këtë gjë edhe në edicionin e tretë të “Mirdita turistike 2013″ për rreth tri orë, në një dasmë turistike pranë një kulle në Kthellë.

Ritet

Gjithçka mund të shijoje aty dhe asgjë të mos mërziste askënd për asnjë minutë. Ardhja e krushqve me këngën e rapsodit të njohur Nikoll Preçi, krushqit në zakon e traditë, pritja nga i zoti i shtëpisë (këngëtari Frani) te dera e oborrit, riti i bërjes se kryqit me mjaltë në derën e kullës, ndeja e nuses pas zbritjes nga kali, hareja dhe alegria e dasmorëve, këngët e bukura të dasmës, shijimi i ushqimeve bio etj. dhe një program i larmishëm artistik përshtatur për një dasmë të tillë.

Rite, këngë, valle, që nga dyshja e nuse-dhëndër (Oresti dhe Rikardo, pjesëtarë të Miss dhe Mister Mirdita), krushkëmadhja (Bardhja, ky portret aq interesant i një gruaje zakoni mirditoreje), kënga e dasmës, sjellë bukur nga Gjela, apo dueti i Prenës me Nikollën dhe me pas me Franin, grupi i burrave me Servetin, Mrika me shpalosjet e forta dhe tipike të saj në interpretim, hareja e sjellë nga Ndueja, këngët lirike të Kurtit apo Antonit dhe Paulinit…. Një atmosferë e papërsëritshme me veshje shumëngjyrëshe të nuses e dhëndrit, gazit të tingujve muzikorë e zërave të këngëtarëve… Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe te kulla e Radacve në komunën Kthellë të Mirditës, kishte dasmë.