Dalin nga xhungla pas 40 vjetësh


Një burrë i moshuar dhe djali i tij që ishin larguar për të jetuar në xhungël gjatë luftës katër dekada më parë, u bindën më në fund të kthehen në shoqëri, thanë zyrtarët.
Ho Van Lang dhe babai i tij 82-vjeçar raportohet se ndërprenë kontaktet me botën, pasi bashkëshortja e të moshuarit dhe dy fëmijë vdiqën pasi shkelën mbi mina. Për shumicën e kohës në xhungël, vendndodhja e tyre ishte e panjohur. Ata u zbuluan ndërsa jetonin mes gjetheve të dendura në provincën qendrore Quang Ngai dhe qenë të paaftë të komunikonin. Zyrtarët thonë se Ho ishte në gjendje të nxirrte vetëm pak fjalë në dialektin vendës.
Media vendëse raportoi se vëllai i Ho ia doli të zbulonte vendndodhjen e tyre njëzet vjet më parë, por nuk kishte arritur t’i bindte të ktheheshin në shoqëri.
Ndërsa qëndronin në xhungël, ata të dy u veshën vetëm me mjete rrethanore dhe përdorën një sëpatë për të prerë pemë. Ata mbijetuan me misër, fruta e rrënjë kasave nga xhungla. Shtëpia e tyre ishte një pemë pesë metra mbi nivelin e tokës, ku mbanin shigjeta për të gjuajtur dhe thika për të vrarë kafshë.
Burri i moshuar mbante uniformën e tij ushtarake të palosur me kujdes në një cep si dhe kapelen e vogël të kuqe që djali i tij duhej të kishte kur ata u larguan drejt pyllit.
Një grup njerëzish vendës arritën t’i dallonin rastësisht në xhungël. Ata raportuan se ishin tronditur nga pamja e tyre. Zyrtarët krijuan një skuadër për t’i bindur dy njerëzit të dilnin nga xhungla. Pas pesë orë kërkimesh të enjten skuadra i gjeti ata në shtëpinë e tyre në pemë. Zyrtarët thanë se Ho iku në xhungël pasi u traumatizua nga shpërthimi i minave. Të dy të gjeturit po u nënshtrohen kontrolleve mjekësore dhe një programi për riintegrim në shoqëri.