Brazili kundër ‘Samsungut’; sipas qeverisë së shtetit amerikano-jugor punëtorët e gjigantit ndërkombëtar të elektronikës janë shfrytëzuar skllavërisht në mënyrë sistematike duke punuar me turne 15-orëshe pa pushim dhe me paga fare minimale.
Prokuroria braziliane ka nisur një hetim pas denoncimit të bërë nga ana e ministrisë vendase të punës ndaj kompanisë koreano-jugore e cila sipas saj nuk ka respektuar detyrimet e parashikuara me ligj dhe se ka shfrytëzuar punën skllavëruese, në një impiant të ndodhur në Amazonë.
Sipas punëtorëve vendas të filialit të qytetit Manaus, një nga më të rëndësishmit në botë për ‘Samsung’, ata janë detyruar të punojnë me turne të stërgjata nga 15 orë në ditë, nga të cilat 10 orë duke qëndruar vetëm në këmbë, për 27 ditë në muaj, pa asnjë pushim.
Qeveria e Brazilit ka kërkuar një dëmshpërblim prej 108 mln dollarësh nga gjiganti i elektronikës, i cili sipas saj ka dhunuar të drejtat minimale të punëtorëve duke i shfrytëzuar pothuajse si skllevër.






